Ipeshkvijtë polakë dhe ukrainas: e gjithë Evropa kërcënohet nga konflikti
R.SH. - Vatikan
Kërcënimi i një sulmi rus kundër Ukrainës mbetet gjithnjë aktual, pavarësisht nga bisedimet, që vijojnë edhe kësaj jave, pas takimit të javës së kaluar ndërmjet ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit amerikan, Anthony Blinken, në Gjenevë. Sot, çështja ukrainase diskutohet në Bruksel, në Këshillin e parë të Punëve të Jashtme gjatë presidencës franceze të BE-së, në lidhje videokonferencë me vetë Blinken. Në tryezën e bisedimeve, paketa e sanksioneve kundër Federatës Ruse, nëse Kremlini përpiqet të hyjë ushtarakisht në Ukrainë. As që mendohet të pranohen shumë nga kërkesat ruse, paraqitur me ultimatumin e dhjetorit, sidomos ajo për tërheqjen e forcave të NATO-s nga Evropa qendrore dhe lindore.
Ipeshkvijtë: çdo luftë është fatkeqësi
Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës i kërkoi javën e kaluar bashkësisë ndërkombëtare ta mbështesë Ukrainën përballë rrezikut të ofensivës ushtarake ruse, duke përsëritur ftesat e fundit të Papës Françesku për ta zgjidhur krizën pa armë. E sot (24 janar), kësaj thirrjeje i bashkohen edhe ipeshkvijtë ukrainas e polakë, të cilët denoncojnë se kriza ukrainase është potencialisht, më e madhja kundër sigurisë së krejt Evropës, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
“Çdo luftë është fatkeqësi e s’mund të jetë mënyrë e përshtatshme për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë, sepse ajo krijon konflikte të reja më të rënda”, shkruajnë ata, duke përmendur fjalët e shën Palit VI, i cili, në Sesionin e Konferencës së OKB-së për çarmatimin, më 1978, e quajti luftën “mjet të paarsyeshëm e të papranueshëm për zgjidhjen e kundërvënieve ndërmjet shteteve”. Ipeshkvijtë kujtojnë edhe lutjen e shën Gjon Palit II: “O Atë, jepi kohës tonë ditë paqeje. Kurrë më luftë”.
Për gjithë botën, pasoja nga konflikti
Prelatët katolikë denoncojnë se “pushtimi i Donbasit dhe i Krimesë dëshmojnë se Federata Ruse, duke dhunuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës, nuk respekton normat e së drejtës ndërkombëtare. Gjendja aktuale përbën kërcënim të madh për vendet e Evropës qendro-lindore dhe për krejt kontinentin evropian”.
Sipas ipeshkvijve, “kërkimi i rrugëve të ndryshme nga lufta për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare është bërë sot urgjent, sepse pushteti i tmerrshëm i mjeteve të shkatërrimit në masë, në dispozicion të fuqive të vogla e të mesme, si edhe lidhjet gjithnjë e më të forta ndërmjet kombeve të gjithë botës, e bëjnë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, kufizimin e pasojave të konfliktit”.
Të mos harrojmë tmerret e regjimeve totalitare
Ipeshkvijtë kujtojnë terrorin, që sollën në botë, regjimet totalitare të shekullit XX, të cilat injoruan autoritetin e Zotit. “Në emër të ideologjive të rreme, kombe të tëra u dënuan me shfarosje; nuk u respektua dinjiteti i njeriut dhe, ushtrimi i pushtetit politik u kufizua vetëm në dhunë”. Duke pasur parasysh përvojën e brezave të mëparshëm, prelatët polakë dhe ukrainas u bëjnë thirrje qeveritarëve të mos shkaktojnë luftë. “I ftojmë krerët të tërheqin menjëherë ultimatumet dhe të mos i përdorin vendet e tjera si mall për treg. Çdo lloj divergjence duhet të zgjidhet përmes marrëveshjes e jo përmes përdorimit të armëve”, shkruajnë ata.
Të krishterët e lindjes e të perëndimit, gati për sakrifica
“Themelet e marrëdhënieve ndërpersonale në kulturën judeo-kristiane janë vlerat e fesë, të shpresës e të dashurisë, si edhe e vërteta, bukuria dhe mirësia, pa të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore. Situata kërkon nga të krishterët e lindjes e të perëndimit të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të tashmen dhe të ardhmen e kontinentit”, pohojnë ipeshvijtë, duke u bërë thirrje atyre të jenë gati për të sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e familjes, kombit e shtetit. Përmendin edhe Katekizmin e Kishës Katolike, sipas të cilit “veprimet në kundërshtim të hapur me ligjin ndërkombëtar dhe me parimet e tij universale, janë krime”.
Thirrja nënshkruhet nga: kryeipeshkvi i madh Sviatosłav Szewczuk, Primat i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës; kryeipeshkvi Stanisław Gądecki, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Polake; kryeipeshkvi Mieczysław Mokrzycki, i ngarkuar me funksionin e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Ukrainase; kryeipeshkvi Eugeniusz Popowicz, Metropolit i Przemysł-Varsavia i Kishës Greko-Katolike në Poloni; ipeshkvi Nił Łuszczak, Administrator Apostolik sede vacante i Eparkisë Greko-Katolike të Mukaczewska sui juris në Ukrainë.