Kërko

Festivali i Këngës së krishterë, ipeshkvi: thesar për të gjithë

Pak ditë para Festivalit të Këngës italiane, në kalendar më 1 deri më 5 shkurt, në San Remo, ipeshkvi i qytetit, Antonio Suetta vë në dukje rëndësinë e një festivali tjetër që, njëkohësisht me të, më 3 deri më 5 shkurt, bashkon talentin muzikor me historitë ungjillore. Është fjala për këngën kishtare, që i dhuroi njerëzimit kryevepra si “Ave Maritë” apo “O e qeta Natë”, e që vijon të paqëtojë zemrat e shqeta, me jonet e veta të ëmbla, në ngjasim të këngës së Engjëjve në Betelhem.

R. SH. - Vatikan

Zgjon interes gjithnjë më të madh Festivali I i Këngës së krishterë, në program në Sanremo, më 3 deri më 5 shkurtin e ardhshëm.

“Përvojë  absolutisht interesante”, pohon  për Radio Vatikanin, ipeshkvi i Ventimiglia-Sanremo-s, imzot Antonio Suetta, duke shtuar se e mbështet plotësisht nismën, parë si çast i rëndësishëm takimi. “I pres artistët me shumë ngrohtësi e, natyrisht, do të kem edhe fatin t’i dëgjoj, t’i takoj e t’i përshëndes”.

Prelati fton që manifestimi, media zyrtare e të cilit është Radio Vatikani, të shikohet si mundësi për ta njohur më nga afër muzikën e krishterë. Një fushë - vijon - e njohur dhe e përhapur në të gjitha trojet e Italisë, në famulli, grupe e lëvizje, që te muzika gjejnë mënyrën për të shprehur jonet e shpirtit, dëshminë para Tabernakujve, shndërruar në tinguj muzikantësh, frymëzuar nga fjalë poetësh. E krahas artistëve të mirënjohur, do të ketë edhe njerëz, që nuk janë profesionistë, por që kanë shumë këngë të pakënduara në shpirt e do të vijnë t’i këndojnë këtu, në San Remon e famshme për këngë e këngëtarë.

Christian music propozon vlera të mëdha

Kujtojmë se Christian music propozon vlera të mëdha. Tesktet e këtyre këngëve - vëren imzot Suetta - shprehin gëzimin që buron nga drita e fesë - dritë që shndërrohet në tinguj e në fjalë, në këtë Festival të muzikës së shpirtit njerëzor.  Tinguj-mesazh, që dalin nga skena, për të hyrë në zemra, duke u folur gjithë njerëzve me gjuhën e muzikës. Nga Sanremo, “shtëpia e muzikës italiane”, do të fluturojnë edhe tinguj këngësh të reja, që do t’i mbartin në hapësirë, edhe në kishat tona shqiptare, vlerat e fesë e të Ungjillit. Duke i frymëzuar njerëzit t’i shtojnë këngë të reja, atyre të traditës, kudo që zemra njerëzore këndon këngë që dalin nga shpirti!

Festivali i Këngës së krishterë është thesar për të gjithë!

22 janar 2022, 11:48