Kërko

Jezu Krishti shëron Bartimeun e verbër Jezu Krishti shëron Bartimeun e verbër

Çelësi i fjalëve të Kishës: Fjala e bërë njeri

Më 23 janar, Papa Françesku do të kremtojë në Vatikan meshën në të Dielën e Fjalës së Zotit, një festë e vërtetë e Shkrimit Shenjt, themeluar pikërisht prej tij me Motu Proprion “Aperuit Illis”, më 30 shtator 2019. Qëllimi është për t’i bërë besimtarët të thellohen edhe më shumë në Fjalën e Zotit, që ajo t’u udhëheqë jetën. Por ç’është “Fjala e Zotit” e pse jemi të sigurtë se është pikërisht fjala e të Gjithpushtetshmit? E pse duhet ta ndjekim?

R.SH. - Vatikan

Fjala e Zotit, për çdo të krishterë, s’mund të jetë tjetër veçse Jezu Krishti, njeri e Zot. Biri i amshuar është Fjala, që ekziston përgjithmonë në Zotin, sepse ajo vetë është Zoti: “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj” (Gjn 1,1). Fjala na zbulon misterin e Zotit, Njëni e Trini. Shqiptuar gjithmonë nga Hyji Atë në dashurinë e Shpirtit Shenjt, Fjala do të thotë dialog, përshkruan bashkim, na fut në thellësitë e jetës së lumnueshme të Trinisë Shenjte. Në Jezu Krishtin, Fjalën e amshuar, Zoti na zgjedh para krijimit të botës, duke na destinuar të jemi bijtë e tij të dashur (shih Ef 1,4-5). Ndërsa Shpirti Shenjt rrihte krahët mbi ujra dhe errësira mbretëronte humnerash (shih Zan 1,2), Hyji Atë vendosi të krijonte qiellin e tokën përmes Fjalës: “Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë” (Gjn 1,3).

Fjala e Zotit është në histori

Prandaj, gjurmët e Fjalës gjenden në botën e krijuar: “Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!” (Ps 18,2). Kryevepra e krijimit është njeriu, bërë në përngjasim e në shembëllim me Zotin (shih Zan 1,26-27), në gjendje të hyjë në dialog me Krijuesin e vet, të perceptojë në Gjithësi vulën e Autorit, të Fjalës që krijon e, përmes Shpirtit Shenjt, të jetojë në bashkim me Të (shih Es 3,14), me Zotin e gjallë e të vërtetë (shih Jer 10,10). Fjala i jep çdo njeriu mundësinë për t’ia hapur zemrën dikujt tjetër, duke i zbuluar ndjenjat, mendimet dhe jetën e vet. Kështu bëri Zoti, duke e dashur aq shumë krijesën e vet, sa e bëri të ngjashme me Të.

Fjala e Zotit frymëzoi patriarkët e profetët

Kjo miqësi u ndërpre nga mëkati i paraardhësve tanë (shih Zan 3,1-24), gjë që e mjegulloi edhe perceptimin e Zotit në histori e në natyrë. Por Hyji i mirë dhe i mëshirshëm (shih 2 Kor 30,9), në mirësinë e tij, nuk i braktisi njerëzit. Zgjodhi një popull ndër të gjitha kombet (shih Zan 22,18) dhe vijoi t’i flasë gjatë shekujve, përmes patriarkëve e profetëve, njerëz të zgjedhur për ta mbajtur gjallë shpresën që ngushëllon, edhe gjatë ngjarjeve dramatike të historisë së shëlbimit. Fjalët e tyre, të frymëzuara nga Hyji, janë mbledhur në librat e Besëlidhjes së Vjetër. Ato e kanë mbajtur gjallë pritjen për ardhjen e Mesisë, birit të Davidit (shih Mt 22,42), pinjollit të rrënjës së Jeseut (shih Is 11,1).

Fjala u bë njeri e banoi ndër ne

 Kur erdhi koha, Zoti deshi t’u zbulojë njerëzve misterin e jetës së Tij, fshehur prej shekujsh e brezash (shih Kol 1,26). Biri i Njëlindur i Hyjit u mishërua, “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne” (Gjn 1,14). Krejtësisht i ngjashëm me ne, përveç mëkatit (shih Heb 2,17; 4,15), Fjalës së Zotit iu desh të shprehej në mënyrë njerëzore përmes gjesteve e fjalëve, që tregohen në Besëlidhjen e Re, sidomos në Ungjijtë. Është një gjuhë krejtësisht e ngjashme me atë të njerëzve, pa gabimet e tyre. Me sytë e fesë, në brishtësinë e natyrës njerëzore të Jezu Krishtit, besimtari zbulon kështu shkëlqimin e lavdisë së Tij, “atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm, plot hir e të vërtetë” (Gjn 1,14).

Analogjikisht, përmes Shkrimit Shenjt, i krishteri ftohet ta zbulojë Fjalën e Zotit, dritën e Ungjillit të lavdishëm të Krishtit, që është shembëllim i Hyjit (shih 2 Kor 4,4). Është proces, që kërkon durim e këmbëngulje. Por me ndihmën e Shpirtit e nën udhëheqjen e Kishës, besimtarët i afrohen Shkrimit Shenjt për ta kuptuar plotësisht Fjalën e Hyjit, që s’është tjetër veçse Zoti ynë Jezu Krisht, i vetmi, që ka fjalët e jetës së pasosur (shih Gjn 6,68). Sepse siç nënvizon Katekizmi i Kishës Katolike (108): “Feja e krishterë… nuk është ‘fe e Librit’. Krishtërimi është fe e ‘Fjalës’ së Zotit: e një Fjale, pra, që nuk është ‘fjalë e shkruar dhe e heshtur, por Fjalë e mishëruar dhe e gjallë’”. E më tej (65): “Krishti, Biri i Zotit bërë njeri, është Fjala e vetme, e përsosur dhe përfundimtare e Atit, i cili në Të thotë gjithçka e, nuk do të ketë fjalë tjetër përveç saj”.

(Marrë kryesisht nga parathënia e Instrumentum Laboris për Sinodin e Ipeshkvijve 2008 (asambleja XII e përgjithshme e zakonshme), me temë “Fjala e Zotit në jetën e në misionin e Kishës”)

20 janar 2022, 08:23