Kërko

Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, Bazilika e Shën Shtjefnit, Bolonjë Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, Bazilika e Shën Shtjefnit, Bolonjë

Çelësi i fjalëve të Kishës: Dëftimi i Zotit, besimtarët si Mbretërit

Besimtarët, ashtu si Mbretërit Dijetarë, nxiten nga malli për Zotin, nga dëshira për ta takuar, e bëjnë ç’është e mundur për të arritur para Foshnjës Hyjnore, pavarësisht se kundërshtohen nga Herodi, i mbyllur në kultin e vetvetes e të fitores me çdo kusht. Shtegtimi më i vështirë, që bënë Mbretërit Dijetarë, ishte ai që i çoi tek zbulimi se Mbreti të cilin po shkonin për ta adhuruar, nuk të skllavëron, as nuk të poshtëron, përkundrazi, të fal e të shpëton

R.SH. - Vatikan

Sa  larg është për disa Jeruzalemi nga Betlehemi, aq larg është Herodi që fle, nga Tre Mbretërit e zgjuar, për udhë. Shën Mateu ungjilltar, në rrëfimin e tij, tregon se Mbretërit Dijetarë shtegtonin “për ta parë” e “për ta adhuruar” Mbretin e Mbretërve.

Mbretërit dijetarë e shohin yllin, sepse për udhë, në kërkim të Zotit

Tre Mbretërit Dijetarë nuk u vunë për udhë, sepse panë yllin. Në të vërtetë, ai nuk shndriste në mënyrë të veçantë e, as ata nuk kishin ndonjë ADN të posaçme për ta zbuluar, por e panë yllin, sepse qenë vënë për udhë, domethënë e kishin zemrën të hapur për të parë horizonte të reja. Mundën ta shikojnë atë, që u dëftonte qielli, sepse kishin në zemër një dëshirë, që i shtynte e sepse zemra e tyre ishte e hapur për të pritur të renë.  E kështu, Mbretërit kthehen në simbol të njeriut besimtar, njeriut që ka dëshirë, ka mall për Zotin; njeriut që e ndjen mungesën e shtëpisë së tij, të atdheut qiellor. Simbolizojnë kështu të gjithë njerëzit, zemrat e të cilëve nuk flenë kurrë, rrinë gjithnjë zgjuar.

Malli për Zotin kundër determinizmit dhe profetëve të fatkeqësive

Malli për Zotin është ai, që na i hap sytë përballë përpjekjeve për ta kufizuar e për ta varfëruar jetën, është kujtesa e besimtarit, që rebelohet përballë profetëve, që shohin gjithkund vetëm fatkeqësi e që frymëzoi një mori figurash ungjillore. Simeoni, për shembull, të cilin ky mall e nxiti të shkonte ditë për ditë në Tempull, i sigurt se, para vdekjes, do ta mbante në krahë Shëlbuesin; e  nxiti djalin plangprishës të kthehej rishtas tek i ati; e nxiti bariun t’i lërë në mëshirën e fatit nëntëdhjetë e nëntë delet, për të kërkuar të humburën. E është malli shenjt për Zotin, që e shtyu Marinë Magdalenë, në agimin e Pashkëve,  të ngarendë tek varri, për ta  kërkuar Mësuesin. Malli për Zotin na bën të dalim nga vatha jonë e sigurt, ku mendojmë se në këtë botë nuk ka asgjë të re, se asgjë nuk  mund të ndryshohet. Malli për Zotin na bën të dalim nga konformizmi i trishtë e na nxit të angazhohemi për atë ndryshim, për të cilin kemi etje e nevojë. Malli për Zotin i ka rrënjët në të kaluarën, por nuk ndalet kurrë, është gjithnjë në kërkim të ardhmërisë.

Besimtari në kërkim të Zotit, si lypësi në vijën e kufirit

Besimtari i përmallur, i nxitur nga feja e tij, niset në kërkim të Zotit, ashtu si Mbretërit Dijetarë, sepse, në zemër të vet, e di se atje po e pret Zoti. Shkon në periferi, në vijën e kufirit, në viset ku nuk ka shkelur akoma Ungjilli, për ta takuar atje Zotin: e këtë nuk e bën me ndonjë qëndrim epërsie, e bën si lypës, që nuk mund të mos e shikojë në sy atë, që ende nuk e njeh Lajmin e Mirë.

Herodi fle me idenë e fitores me çdo kusht

Krejt e kundërt me sjelljen e njeriut në kërkim është ajo e njeriut që, si Herodi, ndërsa Tre Mbretërit vijonin udhën, pak më larg nga Betlehemi, flinte i zhytur në gjumin e ndërgjegjes  së  djegur e që, edhe në gjumë, tronditet e trembet. Është tronditja e njeriut, i cili, përballë risisë që e revolucionarizon historinë, mbyllet në vetvete, në rezultatet e veta, në njohuritë e veta, në sukseset e veta. Tronditja e atij, që rri ulur mbi pasuritë e nuk mund të shikojë më përtej. Tronditja e lindur në zemrën e atij, që dëshiron t’i kontrollojë të gjitha e të gjithë. Tronditja e atij, që është zhytur në kulturën e fitimit me çdo kusht, në atë kulturë, ku ka vend vetëm për fitimtarët, me çdo çmim. Tronditje, pra, e cila lind nga frika përballë gjithçkaje, që vë në rrezik sigurinë, mënyrën tonë të kapjes fort pas botës e pas jetës. E provoi Herodi që, prandaj shkoi ta kërkojë sigurinë në krimin kundër fëmijëve të pafajshëm.

Zoti deshi të lindë ku nuk e prisnim

Veprimi tjetër i Mbretërve Dijetarë, sipas rrëfimit të Ungjijve, është “adhurimi”. Ata arritën nga Lindja në një Pallat, domethënë, pikërisht në vendin e përshtatshëm për një mbret, shenjë e fuqisë, e suksesit, e jetës së realizuar me fund; vend i idhujve, të cilët i adhurojmë, por që premtojnë vetëm trishtim e skllavëri. E pikërisht aty, në këtë Pallat, për Mbretërit nisi shtegtimi më i gjatë, aty u desh guximi më i madh, ai i zbulimit se çka po kërkonin, nuk ishte aty, në pallat, por gjindej në një vend tjetër, jo vetëm gjeografik, por edhe, e kryesisht, ekzistencial; u desh guximi i zbulimit të një Zoti, që dëshiron të duhet vetëm nën shenjën e lirisë, e jo të tiranisë.

U desh të zbulonin se shikimi i këtij Mbreti të panjohur - por të shumëdëshiruar -  nuk poshtëron, nuk skllavëron, nuk burgos. Të zbulonin se shikimi i Zotit të ngre përsëri në këmbë, të fal, të shëron. Të zbulonin se Zoti deshi të lindë atje, ku nuk e presim e ku, ndoshta, nuk e dëshirojmë. Ose, ku shumë herë, edhe e mohojmë. Të zbulonin se në sytë e Zotit ka vend për të fundmit, të plagosurit, të lodhurit, të keqtrajtuarit, të braktisurit; se forca e tij e pushteti i tij quhen mëshirë! Sa larg është, për disa, Jeruzalemi nga Betlehemi!.

Kulti i vetvetes të pengon t’ia hapësh zemrën Zotit

Herodi, pra, nuk mund të adhurojë, sepse nuk deshi, as nuk mundi ta ndryshojë shikimin e tij, nuk deshi të hiqte dorë nga adhurimi i vetvetes, e si ai, edhe priftërinjtë, nuk mund ta adhuronin, ngaqë, ndonëse i njihnin mirë profecitë, nuk ishin të gatshëm as të ecnin e as të ndryshonin. Të dyja palëve, edhe një herë, u kundërvihen fort Dijetarët. Ishin mësuar, ishin pështirosur, ishin lodhur nga Herodët e kohës së tyre. Por atje, në Betlehem, ishte premtimi i risisë, premtimi i shpëtimit, pa asnjë shpërblim. Atje po ndodhte diçka e re. Dijetarët mundën ta adhuronin, sepse e morën guximin të ecnin e të përkuleshin në adhurim para vogëlsisë, para të varfërit, të përkuleshin para të pambrojturit. Të përkuleshin para Fëmijës së pazakontë e të panjohur të Betlehemit, ku zbuluan Lumninë e Zotit.

06 janar 2022, 08:20