Kërko

 Sacra Famiglia Sacra Famiglia

Shenjtorët e javёs 26 dhjetor - 2 janar

E diel 26 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Familjes Shenjte festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore

R.SH. - Vatikan

E diel 26 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Familjes Shenjte festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore.

Gjithnjë më 26 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shёn Shtjefnin, martiri i parë i Kishës. Ja çfarë shkruante për festën e tij Shën Fulgjenci i Ruspes: “Dje kremtuam lindjen në kohë të Mbretit tonë të amshuar, sot kremtojmë mundimin ngadhënjimtar të ushtarit. Dje, mbreti ynë, i veshur me trup njerëzor e duke dalë nga prehri i Virgjërës, denjoi të vizitojë botën; sot, ushtari, duke dalë nga tenda e trupit, hyri ngadhënjimtar në qiell”.

Të hënën mё 27 dhjetor, kalendari kishtar pёrkujton Gjonin ungjilltar,  Biri i Zebedeut, vëllai i Jakobit, nxënësi i Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët ndjekës të Jezusit. Është dishepulli i dashur, që, në darkën e fundit, vuri kryet në kraharorin e Jezusit. Dëshmitar i shndërrimit dhe i agonisë së Zotit, është i pranishëm tek këmbët e kryqit, ku Jezusi i besoi Nënën e vet. Bashkë me Pjetrin pa varrin e zbrazët të Krishtit dhe besoi në ringjalljen e Zotit.

Të martёn më 28 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Fëmijët martirë të Pafajshëm, të mbytur nga Herodi, në përpjekjen për të zhdukur Krishtin Foshnje. Fëmijët e vrarë nga Herodi i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Ata na kujtojnë se martirizimi është dhuratë e Zotit.

Tё mërkurën më 29 dhjetor, kalendari kujton Shën Tomën Beketi. U lind në Londër nga një tregtar i pasur dhe u bë kancelar i mbretit të Anglisë Henriku II, pastaj këshilltar dhe i besuari i tij. Kancelari i shkëlqyeshëm i mbretit u zgjodh udhëheqës shpirtëror i të krishterëve të Anglisë, u shugurua meshtar e ipeshkëv, por mbreti, që e kishte pasur mik, u bë armiku i tij. Tomas Beket u martirizua në katedralen e Londrës, i vrarë me shpatë para altarit. Ndërroi jetë duke thënë: “E pranoj vdekjen për Krishtin dhe për Kishën”.

Të enjten më 30 dhjetor, kalendari përkujton Shën Feliksin. Në errësirën e Nazaretit, Jezusi Foshnje zhvillohet e rritet, kalon etapat dhe rrethanat e gjendjes së përditshme të jetës, duke shenjtëruar të gjitha momentet e jetës njerëzore.

 premten më 31 dhjetor, përkujtohet Shën Silvestri papë, e Shenjtoret Donata e Hilaria, martire dhe Shën Melania, matronë romake. Eshtë nata e Vitit të Ri 2008 – Deo Gratias! Ta falënderojmë Hyjin për të gjitha ngjarjet e vitit të kaluar dhe t’i lutemi të na dhurojë një vit të ri në përkim me vullnetin e Tij!

Shën Silvestri, papë, jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin 314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papunin e tij u kremtua Koncili Ekumenik Kishtar i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor.

Të shtunёn më 1 janar, përkujtohet solemniteti i Marisë, Nënë e Zotit. Ditën e parë të Vitit të Ri kremtohet Dita Botёrore e Paqes, e cila shoqërohet me mesazhin e Papës. Virgjëra Mari është nëna e çdo njeriu që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore e nderojmë si “Përherë Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili i Efesit, me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, Biri i Hyjit dhe Biri i Njeriut”.

Të dielёn e ardhshme më 2 janar, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e Dytё pas Krishtlindjes, e po mё 2 janar, kalendari përkujton Shën Bazilin e Cezaresë e Shën Gregorin e Naxianxit. Shën Bazili u lind në vitin 330 në Cezarenë e Kapadokisë nga prindër të shenjtë. Mori një edukatë letrare të thellë dhe jetoi me virtyt. Vendosi të përqafonte jetën heremitike, por në vitin 370 u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Theksoi pa u lodhur temën e dashurisë, sidomos si angazhim për vëllezërit në nevojë. Luftoi kundër arianëve dhe shkroi vepra të shkëlqyeshme, veçanërisht rregullat murgare, që ndiqen edhe sot e kësaj dite nga shumë murgjër lindorë. Vdiq i varfër, siç edhe jetoi, në vitin 379. Ndër miqtë e parë e më të çmueshëm të Shën Bazilit gjejmë Shën Gregorin e Naxianxit. E nxisnin njëri-tjetrin për të ushtruar virtytin e për të zgjeruar dijen. Edhe Gregori u lind në vitin 330, por jetoi më gjatë se Bazili. U shugurua prift e pastaj ipeshkëv i Kostantinopojës, por, për shkak të ndasive që e pllakosën kishën e tij, u tërhoq në Naxianx, ku ndërroi jetë në vitin 390.

26 dhjetor 2021, 09:27