Kërko

2019.12.26 Santo Stefano Primo martire 2019.12.26 Santo Stefano Primo martire

Shën Shtjefni martir, në Shqipërinë e martirizuar

Shën Shtjefni është shumë i nderuar në Shqipëri. E tregon fakti që një nga katedralet më të mëdha të vendit, ajo e Shkodrës, me një histori të lashtë, mban emrin e Tij. Emër, të cilin e ruajti nëpër flakë të pushkës e të topit!

R. SH. - Vatikan

Shën Shtjefni është shumë i nderuar në Shqipëri. E tregon fakti që një nga katedralet më të mëdha të vendit, ajo e Shkodrës, mban emrin e Tij, ndoshta edhe pse shkodranët qenë ndër të parët që u martirizuan, për t’i ndenjur besnikë Krishtit, kur vendi u pushtua nga turqit. U varen në litar, u ngulën në hunj, u copëtuan nga qentë, ikën ndër male, por besën e parë nuk e shkelën. E as nuk e harruan Kishën e lashtë në Kala, kushtuar martirizimit të shenjtit të parë të krishterimit, Shtjefnit, edhe pse e shndërruar në xhami.

Shumë më vonë vendin e saj e zuri Kisha Katedrale e Shkodrës, kushtuar edhe ajo Shën Shtjefnit. Ishte viti 1851, kur nisi ndërtimi. Punimet filluan më 7 prill të vitit 1858, në praninë e sundimtarit të Shkodrës, Ali Pashës. Nisi kështu një histori e pasur me ngjarje sa të përshpirtshme, aq edhe dramatike. Si të mos mjaftonte pushtimi turk, më 1912-1913 Katedralja, e rrethuar prej ushtrisë malazeze, u bombardua nga artileria. U martirizua edhe ajo, si Shenjti, që i kishte dhuruar emrin! Predhat, shenjat e të cilave duken edhe sot, dëmtuan rëndë sidomos krahun e saj juglindor dhe shkaktuan djegien e kumbonares.

Pastaj do t’i nështrohej “një bombardimi” tjetër, edhe më të rrezikshëm: atij të ‘artilerisë’ së diktaturës komuniste. Historia nis me arrestimin e famullitarit, dom Mikel Koliqi, që më pas do të krijohej kardinal, si katedralja që, nga kishë, do të shndërrohej në pallat sporti e nga pallat sporti përsëri në katedrale! Shndërrimet do të nisnin më 3 shtator 1945. Detyra e famullitarit mbeti në dorë të dom Ernest Çobës, që e mbajti deri me 20 prill 1952.

Pastaj erdhi tërmeti i dytë i madh, ai i vitit 1967, kur Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti. Gjëja që i çuditi më shumë autoritetet komuniste, ishte se në shkallët, ndërtuar për dashamirët e sportit, shiheshin vazhdimisht njerëz që s’e kishin fare mendjen tek ndeshja. E nësa lëviznin në heshtje buzët, në vend që t’i drejtonin sytë nga fusha e lojës, i mbanin gjithnjë të drejtuar lart, nga qielli, ku Zoti përgatiste për Katedralen historike, vizitën e Papës Gjon Pali II. Ishte një fenomen shprehës, që pasuron historinë e Kishës së Madhe, e cila për besimtarët mbeti gjithnjë Katedrale.

E Shën Shtjefni, gjithnjë Pajtori i Katedrales e Simbol i qytetit më të martirizuar të Shqipërisë. Pa harruar se emri i tij  edhe sot e kësaj dite dëgjohet nga Veriu-në Jug të vendit, brenda e përtej kufijve shtetërorë, ku vijojnë të lindin shqiptarë të vegjël që në gurrën e pagëzimit marrin emrat Stefan e Stefani! Si të donin ta siguronin Krishtin se edhe sot e kësaj dite janë gati t’i mbarojnë ditët të mbytur me gurë, për dashuri të emrit të Atij, që lindi në një shpellë, nga dashuria për njeriun!

26 dhjetor 2021, 13:48