Kërko

Papa Francesco e Madonna Papa Francesco e Madonna

Papa Françesku: lutja Zojës së Papërlyer

Ti je Bukuriplote, o Mari,/Në ty është gëzimi i përsosur i jetës së lume me Zotin! /Bëj që të mos e humbasim kuptimin e shtegtimit tonë mbi tokë: /drita e fisme e fesë i ndriçoftë të gjitha ditët tona, /forca ngushëlluese e shpresës na i drejtoftë hapat, /ngrohtësia e dashurisë e gjallëroftë zemrën tonë, /sytë tanë mbetshin ngulur në Zotin, ku është gëzimi i vërtetë...

R.SH. - Vatikan

Lutja Zojës së Papërlyer :

Virgjër e Shenjtë, e Papërlyer,
Ty, që je nderi i popullit tonë,
e roje e kujdesshme e qytetit tonë,
të drejtohemi sot me besim e dashuri.

Ti je Bukuriplote, o Mari
E mëkat në ty nuk ka!

Ngjalle në ne dëshirën e re për shenjtëri:
në fjalën tonë shndritët drita e së vërtetës,
në veprat tona kumboftë kënga e dashurisë,
në korp e në zemër tonë banofshin pastria e dhimbsuria,
në jetën tonë qoftë e pranishme gjithë bukuria e Ungjillit.

Ti je Bukuriplote, o Mari!
Fjala e Zotit në Ty u mishërua!


Ndihmona ta dëgjojmë vëmendshëm zërin e Zotit:
britma e të varfërve të mos na lërë kurrë indiferentë,
vuajtja e të sëmurëve e nevojtarëve të mos na gjejë çkujdesur,
vetmia e pleqve e brishtësia e fëmijëve të na prekin përçast,
çdo jetë njerëzore qoftë përherë e dashur dhe e nderuar nga të gjithë.

Ti je Bukuriplote, o Mari,
Në ty është gëzimi i përsosur i jetës së lume me Zotin!


Bëj që të mos e humbasim kuptimin e shtegtimit tonë mbi tokë:
drita e fisme e fesë i ndriçoftë të gjitha ditët tona,
forca ngushëlluese e shpresës na i drejtoftë hapat,
ngrohtësia e dashurisë e gjallëroftë zemrën tonë,
sytë tanë mbetshin ngulur në Zotin, ku është gëzimi i vërtetë.

Ti je Bukuriplote, o Mari!!
Dëgjoje lutjen tonë, përmbushe dëshirën tonë: 
qoftë në ne bukuria e dashurisë plot mëshirë të Zotit Jezus,
na shpëtoftë kjo bukuri hyjnore, ne, qytetin tonë, botën mbarë.
Amen!

Lutja Papa Françesku, në Sheshin e Spanjës nё Romё 8 dhjetor 2013, drejtuar Zojës sё Papërlyer.

08 dhjetor 2021, 09:26