Kërko

il-funerale-del-francescano-e-poeta-albanese-Padre-Gjergj-Fishta-31-dicembre-1940-a-Scutar il-funerale-del-francescano-e-poeta-albanese-Padre-Gjergj-Fishta-31-dicembre-1940-a-Scutar

Át Gjergj Fishta, në përvjetorin e vdekjes, kronikë e një jete pa fund

“Në 81-vjetorin e vdekjes, “nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, Át Gjergj Fishta” (Ilir Meta)

R.SH. - Vatikan

Sot më 30 dhjetor kujtojmë 81-vjetorin e vdekjes së françeskanit e poetit  shqiptar At Gjergj Fishtës (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940), figurë e madhe e Kombit dhe e Kishës shqiptare. Pra, kanë kaluar shumё vjet nga dita e kalimit të Atë Gjergj Fishtës në shtëpinë e Atit Qiellor, nga dita e 30 dhjetorit të vitit 1940.   

E “në 81-vjetorin e vdekjes, “nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë,  At Gjergj Fishta” (Ilir Meta).

Kronikë e një jete pa fund. Gjergj Fishta, në përvjetorin e vdekjes.

Në fund të Kishës françeskane, hapet një varr i ri

Nata e 31 dhjetorit 1940 nuk ishte natë gëzimi: nji ndër bijtë më në zë të Shqipërisë kallej në varr. Ndërsa dy pushtues të huaj kacafyteshin në atë truall, për të cilin Ai kishte shkrirë gjithë jetën. Qielli ishte i ngrysur, i ftoftë, i ngrirë, si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur kremtohej funerali i zi i Fishtës.

Natën e 31 dhjetorit, vonë, nji grup i vogël françeskanësh ia hapën varrin e, me zemër të thyer e me lot ndër sy, i vunë te kryet nji kryq dullije, për të çuar në vend dëshirën e Poetit: “Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…”.

Varri i zbrazur

Nuk do të kalonte shumë kohë, kur ca njerëz të panjohur hynë në kishë dhe kërkuan varrin e Fishtës, për t’u hakmarrë me të, si të ishte i gjallë. Nga që e dinin mirë se i gjallë ishte me të vërtetë. Mendonin se duke ia zhdukur kockat, do të zhduknin edhe veprën e tij. Nga varri në fund të kishës u shkul kryqi prej dullije. Më pas edhe rrasa e ftohtë prej mermeri! E simbas një dishmitari okuar, eshtërat e të zhvarrosurit u hodhën në Drin. Partia kishte vendosur ta shndërrojë Kishën Françeskane në kino-teatër, ndoshta nga frika se nga fundi i navatës mund të dëgjohej nji zë, që do të lëshonte kushtrimin. E do të tundeshin “muret e kombit” nga thirrja:

“Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t'krahnorit

Mburojë me i ndêjë Shqypnis”…

Ndërkaq Gazeta letrare “Drita” do të niste një fushatë kundër personalitetit të Fishtës, e cila më pas do të vijonte dhe me heqjen e emrit të tij nga tekstet shkollore.

Varri u zbraz, por Lahuta s’heshti!

Megjithatë, sistemi diktatorial nuk mundi ta hidhte në koshin e harresës një personalitet si Fishta. “I mbetun pa varr, Fishta vazhdoi të jetojë i strukur në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me heronjtë e epopesë së tij. Lexuesit nuk dinin gjë mbi fatin e eshtrave të Poetit. Por vijonin t’i përsërisnin nën zë, këngët e “Lahutës së Malcis”, të “Anzave…”, Të “Valles”, të “Gomarit”, shfletim ky, që dënohej së paku me 10 vjet burg. Histori që nisi heret e vijoi deri në vitin 1990...

Takim i çuditshëm

Një nga ngjarjet që bëri më shumë bujë në Shkodër, ndërsa regjimi komunist lëkundej deri në themel, ishte kremtimi krejt i papritur i 50-vjetorit të vdekjes së Fishtës, më 30 dhjetor 1990. Një grup intelektualësh erdhi në Shkodër nga Tirana, për ta ringjallë të vdekurin e flakur në Dri! Ishin Aurel Plasari, Skëndër Buçpapaj, Rudolf Marku dhe aktori Ndrekë Luca.

Pakëz më parë, më 28 dhjetor 1990, salla e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve do të jetonte një çast emocionues, pikërisht në vendin ku ishte hedhur shumë baltë mbi figurën e Fishtës. Gjysëm shekulli nga vdekja fizike, e kishte vërtetuar plotësisht jetëgjatësinë e veprës së tij letrare! Fishta po dilte nga katakombat! Jo me fjalë. Po me shtypjen e rishtypjen e veprës së tij, e sidomos, me leximin e saj nga të gjitha breznitë, duke nisur nga ata që e patën fshehur ndër skuta, për të përfunduar tek ata që nuk duhet ta njihnin  fare e që me gjithatë, mësonin përmendësh nga gjyshat qindra vargjet e Lahutës.

 E kështu derisa të rregullohen marrëdhëniet e Poetit me historinë e letërsisë, që tani nuk është më as e realizmit socialist. Jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”, siç shprehet Aurel Plasari.

Në Akademi, pas 150 vjetësh

U desh të kalonin 150 vjet nga lindja e Tij, që të shkelte për herë të parë në pragun e Akademisë, ai që kish shkruar:

“Edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”

me këto vargje e nisi mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta në 150-vjetorin e lindjes së Fishtës.

“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, epikun e madh dhe shprehësin më të fuqishëm të idealeve atdhetare dhe demokratike, personalitetin e jashtëzakonshëm politik, artistik, diplomatik dhe klerik, veçanërisht gjatë periudhës kur jetoi, që si rrallë kush jetësoi vlerat e Rilindjes Kombëtare, iluministin e paharruar At Gjergj Fishta”, u shpreh Meta.

Presidenti theksoi se “shqiptaria e kulluar, që na la trashëgim, prej së cilës frymëzohemi dhe me të cilën krenohemi, angazhimi i jashtëzakonshëm për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përpjekjet brilante diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe vendosja, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e trojeve dhe sovranitetit të vendit, e bën rolin dhe kontributin e tij, një gurthemel të rëndësishëm të vetëdijes shqiptare”.

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

E me dije e me Lirí

Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera”,

me këto vargje të At Gjergj Fishtës, përfundoi Meta mesazhin e tij në nderim të përvjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Ndërkaq Fishta i sharë, i mohuar, i vdekur, i varrosur, i zhvarrosur edhe nga akademikët, u pranua në Akademi. Kryetari i Akademisë, Skënder Gjinushi, e quajti “Figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi”. Për herë të parë At Gjergj Fishta, akademik i Accademia Italiana dei Lincei, hyri në Akademinë e Shkencave të Kombit të vet, i vlerësuar për të gjitha kontributet e tij në fushën e albanologjisë si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar, botues.

Në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës Akademia e Shkencave mbajti konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai e vlerësoi si figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi në tërësi.  

Kush është Gjergj Fishta – sipas Skënder Gjinushit

Përse Gjergj Fishta meriton të nderohet në një konferencë të tillë ndër-akademike dhe ndëruniversitare? – kujtoi Gjinushi.

Sepse, që prej Kongresit të Manastirit, deri kur u nda nga jeta, nuk ka ngjarje të rëndësishme kombëtare, arsimore, kulturore, në të cilën ai të mos ketë qenë pjesëmarrës dhe me rol të rëndësishëm vetjak, prandaj do të vlerësohet në vazhdimësi si i tillë.

Themelues e bashkëthemelues i Shoqnisë së bashkimit të gjuhës shqipe, e njohur më pas si shoqëria Bashkimi në pikëtakimin e dy shekujve; kryetar i komitetit që drejtoi kongresin e njësimit të alfabetit të shqipes në Manastir (1908). themelues i Hyllit të Dritës, tribuna shkencore dhe letrare më me rëndësi gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit të kaluar; Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën.

Gjergj Fishta qe një figurë mbizotëruese veçmas në periudhën midis dy luftërave sepse ishte kthyer në pikë reference jo vetëm për letërsinë e kohës, për ata që e admironin e për ata që e quanin jashtë mode; por para së gjithash për botën albanologjike të asaj kohe në tërësi.

Më 1937 ishte Ndre Mjeda ai që ndërmori të parën nismë të themelimit të një akademie shqiptare, që njihet si Akademia Saveriane, e cila është pjesë e historisë së gjatë të akademizmit shqiptar, që nis simbolikisht që me shekullin e Voskopojës dhe Akademinë e Re të saj. Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.

Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama.

Tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.

Jo pa shkak, letërsia shqipe, prej fillimeve deri në vitet 1920-1930, e kishte mendjen e vëmendjen tek moti i madh; epoka e Gjergj Kastriotit. Mund të thuhet se për letërsinë shqipe nuk ekzistonte asgjë me rëndësi që prej asaj epoke të lavdishme. E tillë ishte para së gjithash letërsia arbëreshe, që shprehte përmes lavdisë së moçme edhe krenarinë e prejardhjes. E tillë ishte edhe letërsia e Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit; e Naimit, e rilindësve dhe pjesës më të madhe të shkrimtarëve të periudhës së Pavarësisë. Letërsia shqipe mund të thuhet se ishte mbërthyer, ishte kryqëzuar tek figura e kryeheroit, tek kryezoti i Arbërisë, që ishte edhe simboli i shpirt të saj të mbijetesës. I pari që “guxoi” ta shpërngulte letërsinë së paku katër shekuj, tek një epokë tjetër me një rëndësi fatale për popullin shqiptar, siç qe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qe Gjergj Fishta.

Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, Lahuta e Malcìs, para se të ishte guxim krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër revanshizmave të fqinjve. Mbas Lahutës së Malcìs ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi.

Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë, nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë; prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj.

Dijetari gjerman Maximilian Lambertz, kur shkroi se Lahuta e Malcìs ishte epopeja e madhe e shqiptarëve krahasuar me eposin e kreshnikëve, të cilin e quante epopeja e vogël, me siguri këtë kishte parasysh. Eposi heroik legjendar ishte i vogël jo nga bëmat, sepse bëmat e tij ishin të mbinatyrshme, por për shkak se shqiptarët tashmë kishin nevojë për heronj të vërtetë, për njerëz frymëzues që nuk luftonin për bjeshkë e grabitje, por për kufirin e shtetit, për trojet e të parëve. Këtë shpërngulje të madhe epokale prej një periudhe të kryehershme, që ishte mbyllur me këngët për betejën e Fushë Kosovës, e bëri Gjergj Fishta.

Në traditën e shkrimeve shqip shumë herë ka ndodhur që laikja dhe religjiozja të bëhen bashkë. Por Gjergj Fishta, edhe duke qenë një poet që vinte nga radhët e klerit franceskan dhe që urdhri i rendit i kërkonte respektimin e kanonit, arriti si rrallëkush tjetër t’i bënte bashkë mitet psagane dhe mitet e krishtera, në një vepër që kishte receptimin më të madh për kohën kur u botua. Ky ishte një akt i shkëlqyer emancipimi, që do të guxonim ta quanim edhe iluminist.

Figurativisht vepra e Gjergj Fishtës i kaloi të tria fazat: parajsën, ferrin dhe purgatorin. Prandaj flasim për tri kohë të Gjergj Fishtës në historinë e letërsisë shqipe, që janë kohët e nderimit, mbijetesës dhe rikthimit.

Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës.

Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë.

Ose siç pati shkruar Naimi:

Unë jam në shpirtin tuaj

Mos më merrni për të huaj.

S’kemi ç’t’i shtojmë më për këtë përvjetor figurës vigane të Fishtës! Na mjafton fjala e kryetarit të Akademisë, për t’u bindur se Fishta doli i gjallë nga varri, e do të rrojë “Sa të rrojë gjithësia”, siç këndon një këngë patriotike korçare!

30 dhjetor 2021, 09:27