Kërko

Takimi i personave me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës Takimi i personave me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës

Dioqeza e Sapës: takimi tradicional i Krishtlindjes me personat me aftësi ndryshe

Të bashkuar në ambientet e Karitasit, në këtë takim morën pjesë 40 persona me aftësi ndryshe të shoqëruar nga familjarët e tyre. I pranishëm ishte edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili me shumë dashuri dhe përkushtim iu gjendet afër gjithmonë. Ai i ftoi të gëzojnë së bashku në këtë kohë të veçantë të hirit të Zotit, që Ai i Lumi ia dhuron secilit.

R.SH. - Vatikan

I veçantë, takimi i këtij viti me njerëzit me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës. Kishte dy vjet që, për shkak të pandemisë së Covid-19, nuk mbahej ky çast tradicional feste, me të cilën Kisha Katolike vendase u qëndron atyre afër dhe u uron Krishtlindjen. Në ambientet e Karitasit ishin të pranishëm 40 vetë, së bashku me ipeshkvin, imzot Simon Kullin e me drejtorin e organizmit bamirës kishtar, Nikolin Lekaj. Të ndjekim informacionin e Violeta Marashit, nga Vau i Dejës…

Dëgjo Violeta Marashin...
Takimi i njerëzve me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës
Takimi i njerëzve me aftësi ndryshe në dioqezën e Sapës

Në prag të Krishtlindjes, pas dy vite ndërprerjeje për shkak të Pandemisë Botërore të Covid-19, Caritas Dioqezan Sapa organizoi të shtunën e 18 dhjetorit 2021, takimin tradicional me Personat me Aftësi Ndryshe, që i paraprin festës së madhe të Lindjes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit.

Të bashkuar në ambjentet e Caritasit në këtë takim morën pjesë 40 persona me aftësi ndryshe të shoqëruar nga familjarët e tyre. I pranishëm ishte edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili me shumë dashuri dhe përkushtim iu gjendet afër gjithmonë këtyre personave. Ai i ftoi që të gëzojnë së bashku në këtë kohë të veçantë të hirit të Zotit që na dhuron secilit për dobinë tonë shpirtërore. Edhe pse në vuajtje të ndryshme fizike, mos harroni tha Imzot Simoni se ju nuk jeni vetëm, ju jeni gëzimi i jonë që na i bëni ditët edhe më të bukura ndërsa ju shohim duke gëzuar bashkë me ne.

Ndërsa drejtori i Caritasit, z. Nikolin Lekaj, tha se është ditë e veçantë për insitucionin tonë, për arsye se edhe misioni i Caritasit është vendosja në qendër të vëmendjes personat me aftësi ndryshe dhe mbështetja e tyre duke krijuar takime të tilla të gëzueshme dhe në harmoni të plotë me të gjithë pjesëmarrësit.

Pas momenteve festive me babagjyshin e Vitit të Ri u shtrua edhe dreka vëllazërore që Caritasi ofroi për këto persona, shoqëruar dhe me muzikë live nga këngëtari i mirënjohur shkodran, z. Luigj Aliaj, ndërkohë që nuk munguan edhe dhuratat e përgatitur enkas për to nga Caritasi së bashku me vullnetarët. Me bekimin e dhënë nga duart e Ipeshkvit, Imzot Simoni, dhe me urimet e përzemërta që të gëzojnë secili Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në sofrën e tyre familjare duke u mbushur me dritën dhe frymën e Jezusit fëmijë, u mbyll edhe ky takim festiv dedikuar enkas Personave me Aftësi Ndryshe.

20 dhjetor 2021, 13:14