Kërko

Refugjatë rohingya Refugjatë rohingya

Caritas Internationalis: solidariteti, forma e parë e dialogut në Azi

Webinari i fundit, nga shtatë, që iu kushtuan 70-vjetorit të Caritas Internationalis. Ndërmjet pandemisë dhe mbështetjes për viktimat e fatkeqësive të mëdha natyrore, impenjimi i 25 Karitaseve lokale shkon nga ndihma për studimet në Kirgistan në atë për refugjatët Rohingya në Bangladesh. Sekretari Aloisius John: është dëshmi e dashurisë së Kishës për të varfrit

R.SH. - Vatikan

Mianmari i lënduar nga puçi ushtarak, Indonezia që përballet me pasojat e shpërthimit të vullkanit Semeru dhe Pakistani me vështirësitë në pritjen e refugjatëve afganë, pas kthimit të talebanëve. Këto vende janë aktualisht më kritikët në Azi, kontinent të cilit iu kushtua i fundit nga shtatë webinarët e organizuar në 70-vjetorin e Caritas Internationalis. Solidaritetin me këto kombe e shprehu sekretari i përgjithshëm i organizatës Aloysius John, duke kujtuar kontributin dhe impenjimin për të varfrit të 25 Karitaseve vendase, të cilat, që nga viti 1999, bëjnë pjesë në Karitasin e Azisë. Lindur, kryesisht, për të përballuar fatkeqësitë e mëdha natyrore, që godasin rregullisht kontinentin, Karitasi aziatik vepron në një kuadër, ku kushtet ekonomike, shoqërore dhe fetare janë mjaft të ndryshme nga një vend në tjetrin e ku Kisha vepron pa dallim feje apo kaste.

Fener dashurie, shprese e paqeje

Vende, ku puna e Karitasit dëshmon se bamirësia mund të jetë bazë për dialog, “fener dashurie, shprese, gëzimi dhe paqeje”, siç e quajti Benedict Alo D'Rozario, kryetar i Karitasit të Azisë. Pandemia e Covid-19, theksoi ai, i ka bërë të varfërit edhe më të varfër, por ka krijuar edhe mundësi të reja për solidaritet. Sfidat, nënvizoi nga ana tjetër, Zar Gomez, koordinator rajonal i Karitasit të Azisë, e “përforcojnë bashkëveprimin me bashkësitë dhe me shoqëritë aziatike, drejt zhvillimit të gjithanshëm njerëzor”.

Ndihma për fëmijët e Kirgizistanit

Ndër projektet e paraqitura gjatë webinarit, rëndësi e veçantë iu kushtua atij të promovuar nga Karitasi i Kirgizistanit, i cili ka të bëjë me formimin e 250 nxënësve në kryeqytetin Bishkek dhe në Suzak. Fëmijët do të ndiqen falas për tre vjet, në mësimin e gjuhës kirgize, në rusisht dhe sidomos në matematikë, kimi e biologji, lëndë tekniko-shkencore, që nuk ndiqen si duhet nga sistemi shkollor i vendit. Në republikat post-sovjetike të Azisë Qendrore, pandemia ka pasur një ndikim shkatërrimtar mbi ekonomitë e brishta dhe mbi sistemin kombëtar shkollor, sidomos në zonat fshatare.

Mbështetja për punëtorët migrantë

Në Azinë Qendrore, Sher Abdugapirov i Karitasit të Kazakistanit kujtoi se të krishterët janë një pakicë e vogël, por po punohet për integrimin shoqëror të atyre, që janë kthyer nga jashtë. Për Azinë Lindore, Paul Pun, sekretar i përgjithshëm i Karitasit të Makaos, theksoi angazhimin e Japonisë në ndihmë të viktimave të tërmetit të madh të vitit 2011, si edhe projektet e integrimit për punëtorët migrantë në Makao, Hong Kong dhe Tajvan.

Lufta kundër përmbytjeve dhe ndihma për Rohingya-t

Përsa i përket nënkontinentit indian, Mahendra Gunathilike, drejtoreshë ekzekutive e Karitasit të Sri Lankës, shpjegoi impenjimin për pajtimin me Tamilët, pas tridhjetë vjetësh luftë. Përsa i përket Pakistanit, u nënvizua rimëkëmbja e zonës së përmbytur të Nagarparkar, në jug të vendit dhe ndihma për të mirëpritur refugjatët afganë, përveç ndihmës për 300.000 Rohingya nga Mianmari, aktualisht, në kampin e refugjatëve të Cox's Bazar në Bangladesh, prekur nga zjarret dhe përmbytjet. Në përfundim, Cristine Wong, drejtoreshë ekzekutive e Karitasit të Singapurit paraqiti projektet për të mbështetur njerëzit më të prekur nga pandemia, ndihmat për të moshuarit, programet për përmirësimin e shëndetit të tyre fizik dhe mendor dhe për mbrojtjen e grave, viktima të dhunës.

08 dhjetor 2021, 13:26