Kërko

 Beato Padre Gasper Suma ofm, martire della Chiesa albanese Beato Padre Gasper Suma ofm, martire della Chiesa albanese

Takim me martirët: i Lumi at Gaspёr Suma, ofm, martir

I Lumi Atë Gaspër Suma qe frat minor i butë, shumë i dashur, i thjeshtë, i gatshëm për t’i shërbyer popullit të Zotit. Përveç Eukaristisë së Shenjtë, kishte edhe një devocion të ëmbël e birnor për Zojën e Bekua . Me 24 maj 1948, sigurimi e arrestoi në Gomsiqe, u dënua me 3 vjet burg, nga vuajtjet dhe dhimbjet ishte shpërfytyruar, po ai tregonte një durim të madh dhe i ishte nënshtruar vullnesës hyjnore. Vdiq mё 16 prill 1950

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e 27-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit Atë Gaspёr Suma, ofm.

Atë Gaspёr Suma me misionin e tij nëpёr malet e vështira tё Dukagjinit qe ungjillëzuesi i zellshëm, por edhe “mjeku” i shpejtë që gjendej në vështirësitë shëndetësore për dhënien e ndihmës së parë, si edhe mësuesi që përpiqej të mësonte shkrim e këndim njerёzit. Misioni i tij, që mban gjurmën e trashëgimisë shpirtërore të shën Françeskut, u dallua sidomos për dashurinë e tij bujare dhe bamirësinë heroike deri në vënien në rrezik të jetës së tij. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:

Në këtë muaj, në të cilin në mënyrë më intensive lusim për shpirtrat e të gjithë besimtarëve të vdekur, jo rastësisht kujtojmë edhe të Lumin Atë Gaspër Suma, i cili kultivonte një devocion të veçantë për shpirtrat e shenjtë të Purgatorit, aq sa thoshte: “Kur lutem për ta, gjithçka i kërkoj Zotit, Ai ma jep”.

Atë Gaspri rrodhi nga një familje e vjetër në Shkodër, ajo e Sumajve. Lindi më 22 mars 1897 e në pagëzim i vunë emrin Kel. Familja e tij, e pasur dhe me frymë demokratike, përbëhej, përveç tij e prindërve, edhe nga tre fëmijë të tjerë: Angjelini, Gulielmi dhe Çiljeta, e cila, pasi u bë murgeshë te Motrat Servite, mori emrin motër Geltrude. Kur Keli ishte ende fëmijë, për arsye hakmarrjeje, një mysliman në Shkodër i vrau të atin. Megjithë ngjarjen e rëndë, ai u rrit me frymën e një dashurie e demokracie të vërtetë, mbështetur në ligjet e Ungjillit dhe sipas mësimeve të Kishës, dhe me përkushtimin e plotë ndaj Zotit e të afërmit. Shtëpia e familjes së tij ishte afër kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Kjo bëri që ai të kishte mundësi të shkonte shpesh te fretërit minorë. Kështu, pak nga pak, u formua me shpirtin françeskan e, pas përfundimit të gjimnazit dhe i bindur për thirrjen e tij për t’u bërë frat, u pranua ndër fretërit minorë të Shqipërisë. I vazhdoi studimet në Austri: Vjenë, Graz dhe Lankowitz.  Pas një periudhe në Shqipëri, për shkak të shëndetit që kishte filluar t’i jepte shqetësime serioze në mushkëri, dërgohet të përfundojë vitin e fundit të teologjisë në Voltri (Genova, Itali). Këtu edhe do të shugurohet meshtar më 24 korrik 1921. Me përmirësimin  e shëndetit, kthehet në atdhe, ku fillimisht do të japë mësim në kolegjin serafik të Shkodrës e për një periudhë do të jetë edhe guardian i kuvendit të Gjuhadolit, për t’u transferuar më vonë nëpër famulli të ndryshme: Peshkash, Nikaj, Theth, Rrapshë (Brigje-Hot) e në periudhën e fundit deri në arrestimin e tij në Gomsiqe.

I shkathët e i fortë, i gjatë gati 1 metër e 90, hijerëndë e fisnik, ishte një frat minor i butë, shumë i dashur, i thjeshtë, rinor dhe i pëlqente të bënte humor. Ishte gjithmonë i buzëqeshur. Kishte përherë gati një batutë të hareshme për të kënaqur njerëzit që e rrethonin. Meshtar i gatshëm për t’i shërbyer popullit të Zotit. Përveç Eukaristisë së Shenjtë, kishte edhe një devocion të ëmbël e birnor për Zojën e Bekuar. Pavarësisht shëndetit të dobët, qe i palodhur në punën baritore. Provinciali i atëhershëm, Atë Vinçenc Prennushi, duke admiruar dëshminë e Atë Gasprit e të fretërve të tjerë, të cilët jetonin në kushte shumë të këqija nëpër malet e vështira të Dukagjinit, i shkruan Ministrit të Përgjithshëm të Fretërve në Romë: “Ata [fretërit]… gjejnë në atë që do ta quaja pothuajse martirizim i tyre i vazhdueshëm, atë kënaqësi e cila, duke i mbajtur, i gjen të gatshëm për flijime të reja”. Fjalë profetike! Po ashtu edhe Provinciali, Atë Çiprijan Nikaj, më 1938, në një relacion shkruan me admirim për zellin baritor e kurajën e këtyre fretërve “që bëjnë një jetë flijimi të vazhdueshëm”, duke theksuar që, “për të shkuar nëpër ato famulli duhen këmbë shumë të mira dhe nuk duhet të të merren mendtë, përndryshe, mjerë ata! Humnerat prej 400-500 m janë të gatshme t’i përpijnë”. E Atë Gaspri në ato male ishte ungjillëzuesi i zellshëm, por edhe “mjeku” i shpejtë që gjendej në vështirësitë shëndetësore për dhënien e ndihmës së parë, si edhe mësuesi që përpiqej të mësonte shkrim e këndim. Mbarështimi i tij, që mban gjurmën e trashëgimisë shpirtërore të shën Françeskut, u dallua sidomos për dashurinë e tij bujare dhe bamirësinë heroike deri në vënien në rrezik të jetës së tij. Ndërkohë shëndeti i tij vinte duke u dobësuar, i goditur, me sa duket, prej një tumori hepatik.

Një frat e meshtar i këtyre përmasave nuk do të kalonte pa u vënë re nga regjimi i ri komunist, për të cilin “Kisha duhej konsideruar dhe trajtuar e paligjshme dhe priftërinjtë duheshin mbikëqyrur e, në rastin më të volitshëm, edhe arrestuar, që të arrihej qëllimi: shkatërrimi i organizimit të Kishës dhe largimi i njerëzve nga çdo praktikë fetare”. Atë Gaspri vetë, nuk ishte naiv, prandaj që në fillim e jetoi në një përgatitje asketike pritjen “e orës” së tij. E kjo “orë” erdhi pa vonuar në festën e Zojës Ndihmëtare. Atë ditë, pra me 24 maj 1948, Sigurimi e arrestoi në Gomsiqe. Kështu në shoqërinë e Zojës fillon kalvari i tij për ta derdhur gjakun në besnikëri të kushteve rregulltare dhe të shugurimit meshtarak. E dërguan në kuvendin e Gjuhadolit, tashmë i kthyer në burg. Edhe pse me shëndet aspak të mirë nuk ia kursyen torturat mizore. Por forca e tij shpirtërore dilte në pah, kur në intervalet mes një torture e tjetrës, i kushtohej lutjes dhe, si apostull i vërtetë, i mësonte të luteshin ata që ishin në burg me të dhe fshehurazi i pajtonte me Hyjin vëllezërit në fe. Gjithashtu e tregoi veten edhe në gjyq, ku haptazi dha arsyet se pse duhej kundërshtuar komunizmi: është kundër fesë e karakteristikat e tij janë shkatërrimi i familjes e i moralit.

U dënua me 3 vjet burg, edhe pse i mohoi zyrtarisht akuzat dhe kërkoi më kot rishikimin e vendimit. Pas vendimit e transferuan në “Burgun e Madh” të Shkodrës. Atë Zef Pllumi ka dëshmuar: “Sjellja [e Atë Gasprit në burg] ka kenë shembullore, pa marrë parasysh vuajtjet që kishte nga sëmundja e kancerit… I ishte nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit, prandaj edhe dhimbjet i duronte për dashuri të tij. Luste vazhdimisht rruzaren dhe lutje të tjera”. Përgjegjësit e burgut nuk ngurronin t’ia shtonin vuajtjen duke e lënë herë-herë edhe pa ngrënë e pa pirë. Megjithëse nga vuajtjet dhe dhimbjet e sëmundjes ishte tretur e shpërfytyruar, ai tregonte një durim të madh dhe i ishte nënshtruar vullnesës hyjnore - dëshmojnë ish-shokë të tij të burgut, si edhe nuk e kishte ndryshuar aspak natyrën e vet të qeshur e me humor.

E kështu, në moshën 53-vjeçare, në infermierinë e burgut, ku e kishin çuar në fill të vdekjes, ashtu si Mësuesi i tij Hyjnor, “dha shpirt”. Ishte data 16 prill 1950, e Diela e Bardhë (sot e Diela e Mëshirës Hyjnore). Kështu qe tamam Pashkë për të! Atë ditë edhe ai e lau stolën e vet meshtarake në gjakun e Qengjit dhe i shndërruar hyri “në aradhën e dëlirë të martirëve” për t’iu bërë kurorë Hyjit Atë. Eshtrat e tij prehen sot në kishën “e Shën Françeskut” në Gjuhadol, aty ku kishte qenë epror e aty ku më vonë ishte burgosur e torturuar. E tashmë pranë Jezusit, Martiri hyjnor, e shën Françeskut, Atit të tij Serafik ai vazhdon sot e kësaj dite të jetë një bekim e dhuratë për të gjithë ata që i besohen lutjes e ndërmjetësimit të tij. Amen.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Gaspër Suma,

meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

14 nëntor 2021, 09:17