Kërko

Vatican News

Betlehem: rikthimi i shtegtarëve sjell shpresë e punë për të krishterët palestinezë

Dëshmia e Robert Giacaman i cili, së bashku me tre vëllezërit e tij, punon në laboratorin artizanal për objekte fetare në Sheshin e Lindjes së Krishtit, themeluar nga i gjyshi në vitin 1930. “Vijuam punën për jashtë, por shumë dyqane të tjera u mbyllën. Rikthimi i shtegtarëve na jep përsëri forcë, e jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore” - pohon me entuziazëm artisti.

R.SH. - Vatikan

Me rihapjen e kufijve e të aeroporteve të Izraelit, pas grupeve të organizuara,  e edhe shtegtarëve të veçantë, që kanë bërë vaksinat ose janë shëruar prej jo më shumë gjashtë muajsh nga Covid-19, të krishterët e Betlehemit  shpresojnë se do të mund të jetojnë përsëri me djersën e ballit të tyre - siç na e kujton Rojtari françeskan i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, i intervistuar nga Programi i Radio Vatikanit “Në shtegtim”. Të krishterët e qytetit ku lindi Krishti “jetojnë më shumë duke punuar në hotelet, duke pritur shtegtarët, duke udhëhequr të ardhurit, duke punuar objekte të vogla artizanale me dru ulliri, me guaska ose qeramikë, që i blejnë  shtegtarët, e pastaj  drejtojnë edhe dyqane, ku tregtojnë mallra të ndryshme.

Toka Shenjte: një  vit e nëntë muaj pa shtegtarë

Një vit e nëntë muaj pa autobusët ngarkuar me turistë e shtegtarë, për Betlehemin ishin një dramë e vërtetë, më e rëndë se në pjesën tjetër të Tokës Shenjte: “Në Izrael situata ishte tepër e vështirë - kujton akoma atë Patton - ndonëse jo pa një farë mirëqenieje, që mungonte në Territoret palestineze, si Betlehemi”.

Giacaman: ç’gëzim ta kremtosh Krishtlindjen i rrethuar nga një mori vëllezërish!

Ndërmjet atyre, që mundën ta shpëtojnë veprimtarinë pa ndihma nga jashtë, është Robert Giacaman, 53 vjeçar, që punon në Sheshin e Lindjes së Krishtit, në Betlehem, pak hapa larg Bazilikës, së bashku me tre vëllezërit. Kanë një punishte artizanale me objekte fetare, shpella Betlehemi e shtatore. Quhet “Foshnja: art e skulpturë”. Veprimtari e nisur  nga i gjyshi, Elias, në vitin 1930 dhe e vijuar nga i ati, Salem. Roberti e vëllezërit nuk i kanë ngritur akoma tarabat e dyqanit, por gjatë pandemisë punuan pa pushim, duke arritur ta mbajnë gjallë veprimtarinë, përmes furnizimit të dyqanxhinjve të vendeve të huaja. Roberti flet një italishte të rrjedhshme sepse ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, në Milano e tani e krijon në laboratorin e tij,  artin e mësuar në Itali.

E intervistuam:

Robert Giacaman, a kanë nisur të duken tashmë shtegtarët e turistët në Betlehem?

“Po, filloi të ndjehet nga pak lëvizja e shtegtarëve nga të katër anët e botës, edhe pse janë grupe të vogla, që po arrijnë në Betlehem për të vizituar Bazilikën e Lindjes së Krishtit. Pasi kaloi gjithë kjo kohë pa shtegtarë, me një qytet që i ngjiste më shumë shkretëtirës, nis një shpresë e re kur i shikon vëllezërit tanë që arrijnë grupe-grupe nga mbarë bota, për ta jetuar festën e fenë me ne”.

Një vit e nëntë muaj pa shtegtarë: si kaluan për Betlehemin e banorët e tij? Prania e tyre është i vetmi burim për jetesë pothuajse për gjysmën e qytetarëve…

“Ashtu është! Ne jemi mësuar ta shikojmë qytetin gjithnjë plot e përmaje me pullman. Sëmundja sikur e zhveshi qytetin, që nisi të na dukej tejet i trishtuar. Në fillim të pandemisë ishim të gjithë në shtëpi. E duke parë se askush nuk shkonte në punë, krijohej një atmosferë tejet tragjike. Betlehemi varet krejtësisht nga turizmi, e kur mungon, këtu nuk punon askush. Rrinë të gjithë me duarkryq. Edhe ata, që shesin barishte. Faleminderës Zotit, pas pak kohe, filluan të arrijnë shitëse nga jashtë,  përmes disa shoqatave katolike e të tjera, që i hapin rrugën kërkesave për objektet tona të krishtera, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me Krishtlindjen  e Pashkët. Por gjithsesi një pjesë e mirë janë ende pa punë, e ky numër i vogël shtegtarësh nuk mund ta  ngrejë në këmbë qytetin.  Ne, pastaj nuk na vijnë ndihma ekonomike nga askush, duhet të jetojmë vetëm me forcat tona”.

Vitet e kaluara, para pandemisë, në këtë periudhë për Krishtlindje të  gjitha dhomat ishin plot. Çdo të thoshte sot një i krishterë italian, që po mendon të vijë e ta jetojë Krishtlindjen në Betlehem, po nuk vendos dot?

“Dua të kujtoj se si të krishterë jemi tashmë pakicë, e është gëzim i madh për ne të shikojmë vëllezërit tanë të krishterë nga mbarë bota. Posaçërisht italianët, që janë më pranë nesh, duke e kremtuar së bashku Krishtlindjen.  Ata na japin jo vetëm forcën tregtare, por edhe atë shpirtërore. Kur afrohet koha e Krishtlindjes, domethënë koha për t’i parë këta vëllezër përbri nesh, ne mendojmë vetëm për Krishtlindjen, mendojmë për këta vëllezër, që luten së bashku me ne, që na dhurojnë një gëzim të papërshkrueshëm, i cili na jep forcë edhe për të vijuar jetën në Tokën Shenjte”.

E pastaj duhet të kujtojmë edhe magjinë, emocionin e pakrahasueshëm, që të krijon kremtimi i Lindjes së Krishtit në vendin ku ndodhi, ku nisi gjithçka….

“Vitin e kaluar, faleminderës Zotit, mundëm t’i jetojmë, ndonëse të vetëm,  të gjitha nismat që organizohen në qytet e edhe tani po përgatitemi për kremtimet, si administratë komunale e si të krishterë, me familjet tona, me grupet skaut e me ortodoksët që janë në Betlehem. Kemi shumë grupe skaut, të krishterë katolikë e ortodoksë. Në ditët që i paraprijnë Krishtlindjes qyteti bëhet jashtëzakonisht i bukur, ndjehet fryma e Festës, dëgjohen bandat muzikore të skautëve, që e mbushin vendin me tinguj kryeveprash e me gëzimin, që premton ditë më të mira. E duhet pasur parasysh se Krishtlindja këtu zgjat gati dy muaj: nga dhjetori në janar”.

Së fundi tradita e Shpellës së Betlehemit, lindur në Itali, 800 vjet më parë, e pikërisht në Greçio, ku Shën Françesku krijoi Shpellën e parë të Betelhemit…

“Edhe ne bëjmë Betlehemin dhe Pemën e Krishtlindejs në shtëpitë tona e në institucionet. Japim edhe shfaqje Krishtlindjeje, që u kujtojnë të gjithëve si lindi Jezusi. Organizojmë edhe Karvanin e Krishtlindjes, me njerëz të veshur si Shën Maria, Shën Jozefi e Foshnja Hyjnore. Pastaj edhe si Tre Mbretërit. I ndjekin të gjithë, edhe myslimanët, të cilët shikojnë, kështu, gëzimin që lind nga Festa. Por ritet që lidhen më ngushtë me Lindjen e Krishtit, i kremtojmë brenda, për të ruajtur shenjtërinë e traditës sonë”. 

25 nëntor 2021, 12:51