Takim me martirët: i Lumi at Bernardin Palaj ofm, martir (II )
R.SH. – Vatikan
Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e dytё 25-tё dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit at Bernardin Palaj, ofm (pjesa Ii).
Kalvari tragjik i At Bernardinit, që e kishte pasuruar shpirtin e tij me një fe të patundur, me një dashuri të zjarrtë për Krishtin e për popullin e vet dhe me shpresën e sigurt për lavdinë që po fitonte, u mbyll më 2 dhjetor 1946, në moshën 52-vjeçare, i varur në pemë në kopshtin “e kuvendit”. Regjimi më vonë e zhduku trupin e tij në një gropë gëlqereje, por nuk arriti të zhdukte veprën e tij, të cilën ai ia la si trashëgimi historisë së ardhshme të popullit të vet, por akoma më shumë nuk arriti të zhdukë në njerëz famën e martirizimit të tij, falë të cilit Kisha e nderon e i lutet duke e radhitur në vargun e madh të të gjithë atyre të lumëve e shenjtërve, që duke jetuar “për Krishtin, me Krishtin e në Krishtin”.
Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:
Emisionin e kaluar e mbyllëm duke kujtuar që “Shpirti i uratës së shenjtë dhe i devotshmërisë” e mbajti Atë Bernardin Palajn deri në frymën e fundit. Siç e thamë, tek ai ndërthurej lutja dhe puna. Puna për të qe një “hir” që ia kishte dhuruar Hyji, të cilin diti ta pranonte dhe ta shfrytëzonte deri në fund.
Atë Bernardini pati një krijimtari shumë të gjerë. Shumë prej shkrimeve të tij (1922-1943) u botuan në revistën kulturore të françeskanëve “Hylli i Dritës” dhe në tekstet shkollore të Ministrisë së Arsimit të asaj kohe. Patër Daniel Gjeçaj më së miri thotë për Atë Palajn se “nëse nuk është më shenjti ndër artistë, me siguri është më artisti ndër shenjtër”.
Atë Bernardin Palaj, ashtu si bashkëvëllezërit e tij meshtarë, e donte atdheun dhe popullin e vet. Ai shpresonte se me ardhjen e italianëve që luftonin komunizmin, populli, i liruar edhe nga pushteti despotik i mbretit Zog, do të përparonte dhe do të kishte një mbështetje e një mbrojtje. Në poemën “Moska-Alkazar” ai e shpreh qartësisht bindjen e tij se e gjithë ajo që po ndodh me përhapjen e komunizmit është vepër e djallit dhe se te të krishterët është Krishti që vazhdon të përndiqet, të torturohet, të dënohet me vdekje. Për Palajn është figura e Krishtit që është drejtpërdrejt objekti i “valles së mnderëshme” (i valles së neveritshme) “të Moskës” e “të satelitëve” të saj. Me këtë poemë Atë Bernardini zbulon thellësinë e formimit të vet shumë shpirtëror bazuar në Fjalën e Zotit, që e bën t’u hapet konkretisht problemeve të mprehta dhe në rritje të historisë, duke vënë në qendër njeriun, dinjitetin e tij, thirrjen e tij për liri e demokraci, përkrahës e mbrojtës i të cilave ai ndihet.
Nëpërmjet veprave të veta synon t’i mësojë popullit dashurinë për një vizion demokratik të jetës. Ai nuk gabohej që shihte te komunizmi një tjetër tiran. E në të vërtetë ky tiran qe një uragan që mori njerëzit më të mirë dhe më të shquar, së bashku me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të çdo feje, të gjithë fajtorë vetëm se besonin në lirinë e bijve të Hyjit. E ky qëllim i kësaj tiranie vetëdeklarohet në vitin 1977, kur në revistën e Gjykatës së Lartë të Tiranës shkruhet: “Në vendin tonë nuk ka liri mendimi për elementët armiq”. E “armik” ishte kushdo që mendonte ndryshe, prandaj edhe personaliteti i spikatur i të ndriturit Atë Bernardin Palaj nuk mund t’i ikte sundimtarit të ri. Por Palaj nuk kërkonte t’i ikte, përkundrazi, siç e thekson Atë Zef Pllumi, ai “e konsideronte si nder të arrestohej nga ky [sundimtar i ri] «antikrisht»”.
Atë Bernardini më herët i kishte thurur himne “së bukurës uzdajë” [shpresës së bukur], që mbetet si dëshmi e tij e fesë, që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, në tortura e në vdekje. Ai jetonte ditën, duke pritur radhën e vet, i mbështetur prej një feje të thellë, duke pasur besim në ndërhyrjen hyjnore. Dhe radha e tij erdhi. U arrestua më 22 tetor 1946 në kuvendin e Rubikut. Më përpara komunistët ishin përpjekur të përdornin autoritetin e tij për të bërë ndjekës për partinë, por ai nuk kishte pranuar. Në fakt, një ditë më parë ishte kthyer nga Tirana, ku së bashku me meshtarë të tjerë katolikë ishte thirrur për një takim me Enver Hoxhën.
Nga Rubiku e çuan në Shkodër dhe e mbajtën të burgosur pikërisht në kuvendin e fretërve të Gjuhadolit, në atë kuvend ku kishte kaluar vitet më të bukura të adoleshencës e të shërbimit e që tashmë, i konfiskuar, ishte shndërruar në hetuesi, vend torturash e burgosjeje. Gjatë torturave e trajtuan aq barbarisht, sa pati ndonjë moment kur dikush e dëgjoi t’u thoshte torturuesve: “Më vrisni, pashë hatrin e Zotit!”. Në ato kushte Atë Bernardini rezistoi vetëm dyzet ditë: një kreshmë vërtet e pafund pastrimi dhe daljeje. Nëpërmjet këtyre mundimeve përgatiti shtegun e martirizimit të tij heroik, në të cilin hyri me dinjitet dhe ku takoi shëlbuesin e vet, edhe Ai padrejtësisht i dënuar, i cili ia mblodhi frymën e tij të fundit. Ashtu i lidhur te pema e kuvendit të tij të Gjuhadolit e lëshoi trupin e vet duke dhënë shpirt në duart e Atit të Mëshirshëm.
Tom Leci, shok i tij i burgut, kujton: “Në kopshtin e kuvendit si të ishte sot, shoh Atë Bernardin Palajn të lidhur e të varur para meje. E kishin rrahur aq shumë sa kishte humbur ndjenjat dhe varej pa jetë”. Kur, gjatë torturave, e varnin në pemë, të lidhur me litar, shumë herë e rrihnin me shufra hekuri. Ndoshta edhe prej këtu e mori tetanozin. Ndërsa Lekë Harapi na sjell një marrje në pyetje të Atë Bernardin Palajt prej komisarit politik të Sigurimit, famëkeqit Nesti Kopalit: “Thuaj ky është Zoti yt [për kuadrin e Enver Hoxhës]”. Dhe Atë Bernardini i përgjigjej: “Jo, ai asht zotnia juej, pse Zoti im asht në qiell dhe ai nuk më ka mësue me ba keq në këtë jetë, por me i mësue e edukue njerëzit si të bajnë mirë”. Tue pa se kundërshtonte, ia përsëriste gjithmonë atë pyetje tue shoqnue me të rame, derisa lodhej ai vetë. Edhe atëherë kishte ndihmsin, Elez Mesi, kampioni i torturave i të gjitha mizorive”. I sëmurë me zemër nuk mundi t’i rezistojë gjatë tetanozit të shkaktuar nga teli i ndryshkur me të cilin ia kishin lidhur duart, si dhe torturave të tmerrshme.
Kalvari i tij tragjik, që e kishte pasuruar shpirtin e tij me një fe të patundur, me një dashuri të zjarrtë për Krishtin e për popullin e vet dhe me shpresën e sigurt për lavdinë që po fitonte, u mbyll më 2 dhjetor 1946, në moshën 52-vjeçare, i varur në pemë në kopshtin “e kuvendit”. Regjimi më vonë e zhduku trupin e tij në një gropë gëlqereje, por nuk arriti të zhdukte veprën e tij, të cilën ai ia la si trashëgimi historisë së ardhshme të popullit të vet, por akoma më shumë nuk arriti të zhdukë në njerëz famën e martirizimit të tij, falë të cilit Kisha e nderon e i lutet duke e radhitur në vargun e madh të të gjithë atyre të lumëve e shenjtërve, që duke jetuar “për Krishtin, me Krishtin e në Krishtin” gëzojnë tashmë lumnitë e Parrizit.
Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme
Trini e Shenjtë,
Atë e Bir e Shpirt Shenjt,
Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,
që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë
të Lumin Bernardin Palaj,
meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,
si model besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.
Të lutemi me përvujtëri:
ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,
denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë
duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë
e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë
(në këtë moment shprehet kërkesa).
Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.
Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …