Kërko

Santi, icone, sensus fidei Santi, icone, sensus fidei

Shenjtorët e javës 24 - 31 tetor

E diel 24 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar. Po sot më 24 tetor kalendari përkujton edhe Shën Antonin Maria Klaret, ipeshkëv e themelues I Kongregatës së Bijave të Zemrës së Papërlyer të Marisë.

R.SH. - Vatikan

E diel 24 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar. Po sot më 24 tetor kalendari përkujton edhe Shën Antonin Maria Klaret, ipeshkëv e themelues I Kongregatës së Bijave të Zemrës së Papërlyer të Marisë. Po sot Bie Dita Botërore Misionare.

Ungjilli i Markut na tregon ngjarjen shërimit tё Bartimeut të verbër. Çasti vendimtar është pikërisht ai i takimit personal, të drejtpërdrejtë të Zotit me këtë njeri që vuante. Ndodhen njëri përballë tjetrit: Zoti Jezus me dëshirën për ta shëruar dhe njeriu me dëshirën për t’u shëruar. Dy liri, dy vullnete që përkojnë: “Ç’ dëshiron të bëj për ty?” - e pyet Krishti. “Të më kthehet drita e syve” - përgjigjet i verbëri. “Shko, feja jote të ka shpëtuar”. Me këto fjalë bëhet mrekullia. Gëzimi i Zotit dhe gëzimi i njeriut!

Të hënë më 25 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Krispini e Krispiniani, Kristani e Darja, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.

Të martën më 26 tetor,  kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin, martir. Liturgjia e ditës na fton t’i kërkojmë Zotit gjënë më të çmuar: Fenë e vërtetë që shëlbon.

Të mërkurën më 26 tetor,  kalendari kishtar përkujton shën Evaristin, papë dhe shën Frumencin, ipeshkëv e apostull i Etiopisë. Në liturgjine e ditës jehon rishtas fjala e re që u dëgjua për herë të parë në sinagogën e Kafarnaumit, fjalë që e trandë dhe e çliron ndërgjegjen, fjala e Krishtit, Zotërisë së Kishës.

Të enjten më 28 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Simonin Kananeas dhe shën Judën Tadeu, apostuj. Liturgjia e ditës na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.

Të premten më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës dhe Shën Ermelinden. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi, me mrekullitë e tij, vë në dukje sa brishtësinë njerëzore, aq dhe lajmin e mirë se ka ardhur për të na bërë të lirë e të fortë. Me fjalët e tij Krishti i çjerr maskën hipokritëve, që shkojnë nga fryn era e pas interesave vetjake, tepër larg vullnetit të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.

Të shtunën më 30 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
 
Të dielën e ardhshme më 31 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar e po më 31 tetor, kalendari përkujton edhe shën Rodriguezin, rregulltar jezuit dhe shën Alfonsin (emri i të cilit në gjuhën shqipe ka marrë trajtat Ukë e Ukshin). Liturgjia e ditës na kujton se Hyji është këngë e shpëtim për ata që i besojnë me gjithë zemër. E vetëm Zoti mund të na e thotë kush shëlbohet e kush jo! Ne mundemi vetëm të përpiqemi për t’u shëlbuar, duke e lënë Zotin të na prijë me fjalën e tij. Në se do të jetojmë ashtu si na mëson Ai, sigurisht do të hyjmë edhe në mbretërinë e amshuar.

24 tetor 2021, 09:41