Kërko

2021.10.01 La prima redazione del programma albanese - Albania 2021.10.01 La prima redazione del programma albanese - Albania

Rregulltarja Engjëllore Luçia Laca, në përvjetorin e vdekjes

Gjatë veprimtarisë në Radio Vatikan, dha kontributin e vet në shumë drejtime: në transmetimin e veprimtarisë së Atit të Shenjtë, në historinë e Kishës, në lajmet kishtare, por ajo që vlen për t'u kujtuar është se përktheu e transmetoi një nga veprat më të bukura e më të vështira të letërsisë së krishterë: "Të përgjamët e Krishtit". Pati dy dëshira në jetë: të kthej në atdhe, por me motrat e veta engjëllore në Atdhe.

R.SH. - Vatikan

Rregulltarja Engjëllore Luçia Laca, zëri i parë femëror që foli shqip nga Radio Vatikani, në përvjetorin e vdekjes. Motër Luçie Laca e kreu shtegtimin e saj të gjatë e të shqetësuar mbi tokë më 19 tetor 2001, në shtëpinë e përgjithshme të Motrave Engjëllore, në Romë. Pas ritit të salikimeve, kremtuar më 20 tetor 2001, në Kishën e Motrave Engjëllore, u varros në varrezën romake të "Prima Porta".

Motra e parë engjëllore shqiptare, Luçie Laca, lindi në Shkodër më 11 maj 1918 prej prindërve Rrok e Roza Laca, besimtarë të devotçëm katolikë, të lidhur ngushtë me Kishën, të cilëve pak më vonë Zoti do t'u falte një vajzë tjetër, Karmelinën. Luçia e vogël shumë shpejt do ta humbiste ngrohtësinë e atit, i cili do të nisej në Amerikë, për të siguruar jetën e familjes.

Ishte një gjë e pazakontë për familjet e vjetra qytetare shkodrane, në sa rrugën e Amerikës e rrihnin kryesisht shqiptarët e Jugut. Mbetën, pra, vetëm, tri femra, nën mbrojtjen e farefisit. Kur babai ishte ende në Amerikë, vajzat filluan shkollën: zgjodhën shkollën e motrave stigmatine, që ishte më e mira e qytetit. Aty Luçia kreu normalen. Ndërkaq i ati, i kthyer nga Amerika, deshi që vajzat të vijonin studimet në shkollat më të mira të Evropës. Zgjodhi për këtë Trieshten, ku prej kohe kishte shumë shqiptarë. Më 1940 dy motrat, në lule të rinisë, morën rrugën drejt Italisë, për të mos u kthyer më kurrë. Karmelina do të vdiste shumë shpejt, duke e lënë motrën fare vetëm, pa shpresë për t'u kthyer në atdheun, që tashmë kishte mbetur pas perdes së hekurt.

Pas vdekjes të së motrës, Luçia nuk mundi të qëndronte më në Trieshtë: u nis për në Romë, ku jetoi sërish në mjedise rregulltare, kësaj radhe në shtëpinë e motrave të Notre Dame. Në Romë pati si atë shpirtëror rrëfyesin e famshëm jezuit, Atë Capello. Deshi të hynte ndër stigmatine, por nuk u pranua për shkak se Kushtetuta e Institutit pranonte vetëm vajza në moshë ende të vogël. Atëherë në jetën e saj u hap një faqe e re: ajo e veprimtarisë pranë Radio Vatikanit, ku u thirr nga Don Zef Shestani. Filloi punën më 1 tetor 1975, për ta përfunduar më 31 maj 1986, duke u shënuar në historinë e programit shqip si zëri i parë femëror.

Gjatë veprimtarisë në Radio Vatikan, dha kontributin e vet në shumë drejtime: në transmetimin e veprimtarisë së Atit të Shenjtë, në historinë e Kishës, në lajmet kishtare, por ajo që vlen për t'u kujtuar është se përktheu e transmetoi një nga veprat më të bukura e më të vështira të letërsisë së krishterë: "Të përgjamët e Krishtit". Fatkeqësisht nuk e dimë ku ka përfunduar ky dorëshkrim. Në arkivin e radios ruhen vetëm copëza të rubrikës dhe shkrime të tjera fragmentare të motrës engjëllore shqiptare.

Pas vdekjes së Atë Capellos, motra Luçie zgjodhi si rrëfyes Eprorin gjeneral të Barnabitëve, dega mashkullore e motrave Engjëllore, themeluar nga Shën Anton Zakaria. Ati shpirtëror e bëri të vetëdijshme për thirrjen e saj: e ajo pa ngurrim zgjodhi rrugën rregulltare në Kongregatën e Motrave Engjëllore. E nuk u pendua kurrë. Deri në fund të jetës e ndjeu veten të lumtur në këtë mision që e kreu me gjithë shpirt për dashuri të Krishtit, në të cilin gjeti pushim, pas sëmundjes së gjatë e të rëndë.

Pati dy dëshira të zjarrta në jetë: të kthej në atdhe, por jo vetëm. Dëshirën e dytë, atë të kthimit jo vetëm, por me motrat e veta engjëllore në Atdhe, e realizoi: motrat engjëllore prej kohe janë vendosur aty ku pa dritën së pari e para engjëllore shqiptare, për të vijuar kështu misionin e lënë përgjysmë.

Ja zëri i motër Luçisë nga arkivi i Radio Vatikanit:

Ja zëri i motër Luçisë nga arkivi i Radio Vatikanit
19 tetor 2021, 08:45