Kërko

30 anni delle suore stimmatine in Albania 30 anni delle suore stimmatine in Albania

Motrat Stigmatine kremtojnë 30 vjetorin e misionit në Shqipëri

Motrat Stigmatine kremtuan 30 vjetorin e misionit të tyre në Shqipëri, që pas rënies së komunizmit, të bindura se gjithmonë janë në kërkim të vazhdueshëm të veprave të Hyjit. Me praninё e tyre nё Shqipёri deri më sot janë një pikë në oqeanin e misionit, gjithnjë e më shumë në shërbim të Kishës dhe të njerëzve, nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Motrat Stigmatine kremtuan 30 vjetorin e misionit të tyre në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, një mision në shërbim të Kishës dhe të njerëzve që flet shumë, të bindura siç janë se duhet kërkuar gjithmonë, në mënyrë të vazhdueshme,  për t'i zbuluar dhe njohur veprat e Hyjit. Me praninё e tyre nё Shqipёri, deri më sot, Motrat Stigmatine janë një pikë e rëndësishme referimi shpirtëror për shumë besimtarë si dhe pёr Kishat famullitare e madje edhe ato dioqezane. E kështu vazhdojnë tё dёshmojnё rrugëtimin e misionit tё tyre në shërbim të Kishës dhe të njerëzve, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt.

Me rastin 30 vjetorit tё misionit të tyre në Shqipëri Motrat Stigmatine inauguruan rezidencën “Si një Familje” kushtuar të moshuarve, në Shirokë  si dhe përkujtuan 71 vjetorin e vdekjes së të Lumes Maria Tuci, me kremtimin e një Meshe. Po mё hollёsisht tё ndjekim shёrbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejёs:

Tё ndjekim shёrbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejёs

 

MOTRAT STIGMATINE KREMTOJNË 30 – VJETORIN E MISIONIT NË SHQIPËRI

Këto ditë, Motrat Stigmatine kanë kremtuar 30 vjetorin e misionit të tyre në Shqipëri. Me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar për këtë kongregatë, janë organizuar dy ditë kremtimesh, ku në ditën e parë është bërë bekimi dhe inaugurimi i Rezidencës “Si një Familje” dedikuar të moshuarve, në pikën turistike në Shirokë, një vepër kjo e provanisë Hyjnore që do ketë një impakt shpirtëror, social dhe shëndetësor.

Me ftesë të motrave ishte i pranishëm edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi, i cili përcolli urimet dhe bekimin e Atit të Shenjtë, Papa Françesku.

Në ditën e dytë u kremtua mesha e Shenjtë në Kishën e Motrave Stigmatine, udhëhequr nga Arqipeshkvi i Shkodër –Pult, Imzot Angelo Massafra në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Me kremtimin e kësaj meshe u kremtua edhe 71 vjetori i vdekjes së të lumes Maria Tuci. Të pranishëm ishin populli i Zotit, Nëna Gjenerale e ardhur nga Italia, Motër Encarna Lobato e shoqëruar nga këshilltarja e saj, Motër Dukata Radoja, si dhe mbarë bashkësia e motrave stigmatine në Shqipëri.

Misioni i motrave stigmatine i ka fillimet që në vitin 1894, të cilat, me ftesen e Fretërve Françeskan, me mbështetjen e Konsullates së Hungarisë, dhe mikëpritjen e familjes Koliqi u vendosën në Shkodër dhe duke hapur filialin edhe në Shirokë. Në një kohë shume të shkurter motrat filluan shkollën, laborator dhe kopshte. Nga Shiroka dolen 12 murgesha stigmatine, të cilat e shkruan historinë me shembullin besnik të idealit jetësor, por që fatkeqësisht sistemi komunist e këputi në mënyrë makabre.

Me ardhjen e lirisë fetare, në vitet 1991, motrat u rikthyen sërish dhe rifilluan aty ku e kishin lënë misionin e tyre. Fati i mirë i tyre ishte se gjetën disa kolona që i kishin rezistuar kohës. Ndër to ishin disa prej motrave stigmatine, që pavarësisht stuhive që kishin përjetu, i kishin qëndruar besnik Krishtit. E sot, pas 30 viteve të rihapjes së misionit, kemi ende dy motra të cilat gëzojnë ende ditë të bukuara me Krishtin dhe në familjen e Stigmatineve, dhe janë motër Marije Kaleta dhe motër Roza Kraja, të cilat sikur qiri vazhdojnë ende të bëjnë dritë. E kjo kongregatë vazhdon të lulëzojë në një mënyrë ndryshe, tash 30 vjet, duke bërë histori e duke shënuar vazhdimësinë e tyre në tokën shqiptare.

Motrat stigmatine shërbejnë në Dioqezën Shkodër-Pult dhe në Dioqezën e Sapës. Madje në Dioqezën e Sapës, kanë dy kuvende në dy famulli të ndryshme, të cilat shërbejnë në fushën pastorale dhe në edukimin e të rinjëve.

Misioni i tyre 30 vjeçar pas rënies së komunizmit flet shumë, por të bindur se gjithmonë janë në kërkim të vazhdueshëm të eksplorojnë veprat e Hyjit, ato deri më sot janë një pikë në oqeanin e misionit të tyre, ndaj nuk do të ndalen këtu, por janë të thirrur të japin atë që munden gjithnjë e më shumë. E kështu e vazhdojnë këtë rrugëtim, duke e përmbushur planin e Hyjit në përputhje me misionin në shërbim të Kishës dhe të njerëzve, nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë.

Nga Vau-Dejёs njofton Violeta Marashi    

27 tetor 2021, 14:11