Kërko

Mesha në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës Mesha në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës

Imzot Massafra: udha sinodale, nën mbrojtjen e Zojës së Shkodrës

Me lutjen që Zoja e Shkodrës t’i ndihmojë besimtarët të ndjekin gjurmët e Jezu Krishtit, duke dhuruar vetveten për ungjillëzimin e shqiptarëve, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit kremtoi sot meshën në festën e Pajtores së qytetit verior të Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve. Festa përkoi bukur me fillimin e udhës sinodale

R.SH. - Vatikan

Udha sinodale në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit filloi nën mbrojtjen e Zojës së Shkodrës, festa e së cilës kremtohet sot. Por që në vigjilje, bashkësia katolike e qytetit verior të Shqipërisë u mblodh rreth barinjve të Kishës për procesionin, meshën e për festën tradicionale me fishekzjarre, që u shprazën nga kambanorja e katedrales së Shën Shtjefnit. Që dje, në homelinë e meshës për hapjen e etapës dioqezane të udhës sinodale, kryeipeshkvi metropolit, imzot Angelo Massafra, nënvizoi:

“Modeli që duhet të kemi gjithmonë para syve duhet të jetë ai i Marisë, ashtu siç qe në të gjitha momentet kur, pas tragjedisë së komunizmit, njerëzit tanë bartën, në çdo ngjarje feje, ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë që tani e shohim të ekspozuar në altarin e kishës sonë katedrale. Ajo qe dëshmitare e vdekjes së Birit të saj në Kryq, por edhe dëshmitare e Ngjalljes së tij, së bashku me Apostujt”.

Procesioni për Zojën e Shkodrës
Procesioni për Zojën e Shkodrës

Edhe sot, gjatë meshës për festën e Zojës së Shkodrës, kremtuar në orën 10.00, në katedrale, imzot Massafra e shpjegoi sërish udhën sinodale të sapofilluar.

Dëgjo imzot Angelo Massafra-n...

Pavarësisht se ditë pune, në katedrale ishin mbledhur shumë besimtarë. Imzot Massafra e përqendroi homelinë në interpretimin e fugures së Zojës së Shkodrës, që pas restaurimit, shkëlqen sërish nga altari i kishës katedrale. Kryeipeshkvi i vendosi besimtarët në vend të Nënës së Zotit për t’u dhënë atyre të kuptojnë se mirëkuptimi i dukshëm ndërmjet Zojës e Birit të saj Jezu Krishtit – më se i qartë nga shkëmbimi i vështrimeve në fugure - duhet të jetë i njëjtë me atë ndërmjet tyre e Birit të Zotit. “Duhet të jemi bashkëpunëtorë të Krishtit në udhën e ungjillëzimit”, nënvizoi ai, duke kujtuar edhe sinodin e sapofilluar. Por, le të dëgjojmë homelinë e imzot Angelo Massafra-s, përfunduar me kërkesën tradicionale “Zoja e Shkodrës lutu për ne”…

Dëgjo homelinë e imzot Angelo Massafra-s...

 

 

18 tetor 2021, 11:27