Kërko

Hollerich u shkruan krerëve të BE-së për krizën klimatike: “jemi në limit”

Në prag të COP26, në Glasgow, kryetari i COMECE-së, kardinali Jean-Claude Hollerich, i kërkon BE-së të luajë një rol të dorës së parë në nivelin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur me guxim emergjencës klimatike dhe humbjes së biolarmisë. “Gjetja e udhës, që respekton pragun e 1,5°C për ngrohjen globale - shkruan ai - është detyrë e rëndësishme morale”

R.SH. - Vatikan

“Pandemia e Covid-19 ka nxjerrë në dritë, në mënyrën më të vrazhdë, faktin se gjithçka është e ndërvarur dhe se shëndeti ynë lidhet pazgjidhshmërisht me shëndetin e ambientit në të cilin jetojmë”. Me këto fjalë hapet letra e kardinalit Jean-Claude Hollerich, kryetar i Comece-së (Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), i cili u shkruan krerëve të Bashkimit Evropian, që do të marrin pjesë në Takimin e Glasgout mbi klimën, nga 31 tetori më 12 nëntor. Ai bën një thirrje të zjarrtë që, me atë rast, të punohet me vendosmëri për t’u siguruar që “sistemet tona shoqërore dhe ekonomike të jenë të drejta dhe të barabarta”, përndryshe planeti do të vuajë nga pasoja shkatërrimtare.

Nevojiten objektiva globale më ambicioze

 “Toka larton britma - kujton kardinali Hollerich, duke cituar Papën Françesku - dhe këto britma kanë marrë formën e rritjes së temperaturave, me rekorde në shumë rajone; kanë marrë formën e përmbytjeve vdekjeprurëse dhe të zjarreve, që shkatërrojnë bashkësi në gjithë Evropën dhe botën; kanë marrë formën e humbjeve materiale të rënduara nga traumat shoqërore dhe psikologjike”. Ndryshimet klimatike, shkruan kardinali, janë më të shpejta nga sa pritej dhe po i afrohemi pragut të ngrohjes globale, që nuk duhet të kalojë 1,5°C. Prandaj, “jemi në limit”. Krerët e BE-së, vëren ai, do të kenë së shpejti mundësinë për të diskutuar mbi zgjidhje të reja në takimin e Glasgow-t. Objektivat, që Evropa i ka vënë vetes për reduktimin e gazeve serrë shkojnë në drejtimin e duhur, vazhdon kardinali Hollerich, por gjendja aktuale u kërkon urgjentisht të gjithëve të vendosin objektiva më ambicioze në përgjigje të dy krizave globale: përshpejtimit të ndryshimeve klimatike dhe humbjes së biolarmisë. Prandaj, përpjekja duhet të jetë globale. Në tekst, theksohet: “Gjetja e një udhe, që respekton pragun 1,5°C për ngrohjen globale, është detyrë e rëndësishme morale”.

“E përsëris thirrjen – citon kardinali, Papën Françesku – të kujdesemi për Nënën tonë Tokë; ta kapërcejmë tundimin e egoizmit, që na bën grabitqarë pasurish. Nga duart e Zotit kemi marrë një kopsht të lulëzuar, të mos u lëmë një shkretëtirë fëmijëve tanë”.

Hapat konkrete, që duhen ndërmarrë

 “Është përgjegjësi kolektive ta ndryshojmë rrënjësisht stilin tonë të jetesës, t'i japim fund konsumizmit të pakuptimtë dhe shfrytëzimit grabitqar të burimeve dhe të jetojmë në harmoni brenda kufijve të planetit”, shkruan kardinali Hollerich, i cili në letrën e tij, përvijon edhe hapat, që duhen ndërmarrë, si “ndalimi i menjëhershëm i investimeve të reja në infrastrukturat për lëndët djegëse fosile” dhe eliminimi i subvencioneve, “që e zgjasin varësinë e bashkësisë njerëzore nga lëndët djegëse fosile dhe nga bujqësia industriale, shkatërrimtare për ambientin”. Vëmendje e veçantë u duhet kushtuar “industrive ajrore dhe detare, jashtëzakonisht ndotëse, kontributi i të cilave në luftën kundër ndryshimeve klimatike është krejtësisht i pamjaftueshëm”.

Shlyerja e “borxhit ekologjik” është çështje drejtësie

Kardinali Hollerich kujton fjalët e Papës Françesku për “borxhin ekologjik”, që kanë vendet e Veriut, të cilat “janë pasuruar, duke shfrytëzuar burimet natyrore të Jugut”. Shlyerja e këtij borxhi, nënvizon ai, “është më shumë se çështje solidariteti; është çështje drejtësie”. Më tej, thirrje tjetër për Evropën, e cila duhet “të respektojë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve e, jo më pak, të atyre që gjenden në situata më të këqija”. Kardinali jep disa shembuj nga veprimtaritë e miratuara nga BE-ja, “të cilat i dëmtojnë shoqëritë dhe ambientin në jugun e botës”, si përpjekjet “për të shfrytëzuar rezervat e reja të karburanteve fosile në Vaca Muerta të Argjentinës dhe për të ndërtuar infrastruktura të reja për karburantet fosile në Afrikën Lindore”, vendime që kundërshtojnë angazhimet e marra në lidhje me krizën ekologjike.

Glasgow: mundësi, që s’mund të humbet, për të mirën e planetit

COP 26 dhe COP 15 përfaqësojnë momente kritike për arritjen e qëllimeve të reja, ngul këmbë kardinali. “Evropa mund dhe duhet të luajë një rol udhëheqës në nivel ndërkombëtar në këto forume” për të gjetur përgjigje të guximshme në përballimin e emergjencës klimatike. Në veçanti, në emër të Aleancës Evropiane Laudato Si, ELSiA, (Aleanca Evropiane për Laudato si' e përbërë nga gjashtë institucione dhe organizata katolike të frymëzuara nga enciklika e Papës Françesku), kardinali, i cili është ambasador i saj, kërkon që Evropa të përcaktojë objektiva më ambicioze për ta kufizuar ngrohjen globale nën 1,5°C e për ta rritur me 50% mbrojtjen e natyrës.

Gjithashtu, vendet duhet t’i mbajnë premtimet për financimin e objektivave të reja, duke ndihmuar veçanërtisht vendet në zhvillim, duke u orientuar kah energjitë e rinovueshme dhe kah bujqësia ekologjike. Së fundi, thirrja për respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë ato të popujve indigjenë dhe të bashkësive lokale, protagonistë në ruajtjen e ambientit.

27 tetor 2021, 13:27