Kërko

 Gesù e il giovane ricco Gesù e il giovane ricco

Fjala e Zotit e dielës së 28-gjatë vitit “B”

Pasuria nuk na jep lumturinë mbi tokë, e as jetën e pasosur: këtë na kujton Jezusin nё fragmentin e Ungjillit nga Marku, duke na ftuar ta përdorin pasurinë sipas këshillave ungjillore. Jezusi na mëson se i pasuri e ka shumë të vështirë të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Të vështirë, po jo të pamundur. ,Zoti mund ta fitojë zemrën e njeriut, që ka pasuri të mëdha e ta nxisë në rrugën e solidaritetit e të ndarjes së kamjes me nevojtarët, me të varfërit, duke hyrë në logjikën e dhurimit.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-gjatë vitit “B”

Fjalës së Zotit e dielës së 28-gjatë vitit “B”

Pasuria nuk ta jep lumturinë mbi tokë, e as jetën e pasosur: këtë na kujton Jezusin nё fragmentin e Ungjillit tё kёsaj sё diele nga Marku, duke na ftuar ta përdorin pasurinë sipas këshillave ungjillore.

Pjesa e Ungjillit tё kёsaj sё diele na tregon pёr djaloshin pasanik që, shpirtërisht, i zbatonte të dhjetë urdhërimet e Tënzot, e megjithatë, nuk e po e gjente ende lumturinë. Prandaj e pyet Jezusin ç’duhet të bëjë akoma, për të fituar trashëgimin e jetës së amshuar. Nga njëra anë, djaloshin, ashtu si të gjithë, e tërhiqte fort përsosuria e jetës; nga ana tjetër, i mësuar siç ishte të mbështetej mbi pasuritë e veta, mendonte se edhe jeta e pasosur, në një farë mënyre, mund të ‘blihej’, ndoshta-ndoshta duke vënë në jetë ndonjë urdhërim krejt të posaçëm.

Jezusi e kupton menjëherë se djaloshi digjej nga dëshira për të jetuar në amshim, prandaj ia ngul sytë plot dashuri. Janë sytë e Zotit, ngulur mbi njeriun, që e dëshiron me gjithë zemër jetën e amshuar. Por Jezusi e kupton edhe cila është pika e dobët e këtij njeriu: lidhja tepër e ngushtë me pasuritë; prandaj i propozon t’ia japë gjithçka të varfërve, që thesari i tij, e prej këndej, edhe zemra e tij, të mos jenë më mbi tokë, por në qiell. E shton: ‘Eja! Më ndiq! (r.22)’. Por djaloshi, në vend që ta presë me gëzim ftesën e Jezusit, ikën e shkon i trishtuar (krh r.23), sepse nuk mund të shkëputet nga pasuritë e tij, të cilat nuk do të mund t’ia japin kurrë lumturinë e as jetën e pasosur.

Jezusi na mëson se i pasuri e ka shumë të vështirë të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Të vështirë, po jo të pamundur. Në të vërtetë, Zoti mund ta fitojë zemrën e njeriut, që ka pasuri të mëdha e ta nxisë në rrugën e solidaritetit e të ndarjes së kamjes me nevojtarët, me të varfërit, duke hyrë, kështu, në logjikën e dhurimit.

Historia e Kishës, është plot me shembuj njerëzish të pasur, që i përdorën pasuritë në mënyrë ungjillore, duke u ngjitur edhe në lartësitë e shenjtërisë, si Shën Françesku, Shёn Nёnё Tereza Ganxhe Bojaxhiu, Shën Elizabeta e Hungarisë ose Shën Karl Borromeu. Pas kësaj aradheje, i pёrket edhe Shën Klementi i Aleksandrisë, që na kujton se: Shëmbëlltyra u mëson të pasurve se nuk duhet ta harrojnë shëlbimin e tyre, si të ishin tashmë të dënuar, as t’i flakin pasuritë në det e as t’i dënojnë, si diçka e rrezikshme, armiqësore, që i kundërvihet jetës, por duhet të mësojnë mënyrën e përdorimit të pasurive dhe të vetë jetës”.

                                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Urt 7, 7-11

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.  E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 90

Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

 

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove,

për vjetët që i kaluam në mjerim.

 

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,

shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve tona.

 

Leximi dytë

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Ati i Zotit tone Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 10, 17-30

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!”

Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”  Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!” 

Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.”

Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigji: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndocifamullitar në Rranxa-Bushat, krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXVIII GJATË VITIT: GURIN E PAÇMUESHËM AS QË E KRAHASOVA ME TË.

(Urt 7, 7-11; Ps 90 (89); Heb 4, 12-13; Mk 10 17-30)

Shën Luigji Gonzaga, një djalosh që vdiq në moshën 26-vjeçare pak vite para se të shugurohej meshtar, thuhet se një herë u kishte treguar shokëve të vet këtë episod të jetës së tij: «Kur në pallatet e princave e në oborre shihja arin, argjendin, zbukurimet dhe nderimet e oborrtarëve, me zor e mbaja gazin, kaq të pavlera më dukeshin ato... »

Se ky djalosh i shenjtë ishte realisht i shkëputur në shpirt nga pasuritë tokësore, e tregonte edhe vetë jeta e tij. Ai jetoi në shekullin XVI dhe aso kohe familja Gonzaga ishte shumë e njohur. Kishte edhe shumë pasuri. Luigjit i takonte e drejta e trashëgimisë së pasurive familjare, por ai vendosi që, pa problem, t’ia kalonte të vëllait të vet këtë të drejtë dhe për vete të fillonte rrugën drejt meshtarisë. Madje në momentin e dorëzimit të kësaj të drejte, «ai qeshej pak nën buzë për krekosjen e të vëllait».

Shenjtërit «me zor e mbajnë gazin» apo «qeshen nën buzë» përballë krekosjes fodulle që ne shpesh bëjmë përballë pasurisë.

Mbase kështu do të kishte reaguar Shën Luigji edhe përballë largimit të këtij djaloshi nga Jezusi, siç na e tregon Ungjilli i sotëm. Jo se do të kënaqej me këtë gjest, por do të habitej se si kishte mundësi që njeriu të tregohej kaq i cekët në gjykimin e vet.

Shenjtërit – ata që e duan Hyjin jo “sa për të thënë” – do të çuditeshin me fudullëkun tonë nëse, për hir të krijesës, do t’i sillnim shpinën Krijuesit, nëse për hir të asaj që na jep një lumturi të rrejshme, do të largoheshim nga Ai që është vetë lumturia.

Se sa e çmueshme ishte marrëdhënia që shenjtërit kishin me Hyjin, sot na e tregon edhe leximi i parë. Aty autori i shenjtë thur disa vargje vërtetë të mrekullueshme, duke treguar se kush është Hyji për të: «U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë.» «Mençuria» dhe «shpirti i urtisë» për Biblën janë dashuria ndaj Hyjit, marrëdhënia e gjallë me Të. Dhe ja se si e krahason këtë shpirt urtësie: «E çmova më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të.»

Mbase edhe autori i këtyre rreshtave me zor se do ta mbante gazin përballë atyre që krekosen me pasuritë e veta, si në rastin e atij që krekoset me një shtëpi luksoze, me ndonjë makinë të re, me ndonjë veshje të re, me postet që ka arritur të zërë, me diplomat që ka fituar, me titujt që i janë dhënë, etj.

Madje autori i shenjtë thotë diçka edhe më madhështore: «E desha më tepër se shëndetin e bukurinë... » Sa larg kësaj «urtie» do të ndiheshim ne që shpesh jepemi «me mish e me shpirt» pas ruajtjes së shëndetit, pas pamjes fizike e pas dëshirës për të rënë në sy!

Por le të kthehemi tek pjesa ungjillore. Aty, pra, shohim një njeri që vrapon dhe bie në gjunjë para Jezusit dhe e pyet: «Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?»

Gjestet dhe pyetja e tij të bëjnë të mendosh se ky qenka vërtet i zellshëm, por në fakt kjo pyetje ka një mangësi të thellë: askush prej nesh nuk mund ta «fitojë» jetën e pasosur. Ta fitosh do të thotë ta meritosh. Por kush do të meritonte të hynte në jetën e pasosur, në bashkimin me Hyjin, përderisa Hyji është vetë «e mira e pambaruar»? Si mund ta meritojmë bashkimin me Të, ne që jemi mëkatarë dhe që nuk na kalon as edhe një ditë pa bërë ndonjë mëkat? Jeta e pasosur është dhuratë: na e dhuron vetëm mëshira e Hyjit.

Por Jezusi nuk ndalet tek këto vërejtje dhe, gjithsesi, e vlerëson zellin e këtij djaloshi. Prandaj i përgjigjet: «Pse më thua i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm.» Sa bukur: Jezusi këtu përsëri dëshiron të fshihet pas Emrit të Atit të vet. Pikërisht kështu mëson që, tek përvujtëria dhe mirësia e tij, të vihet re fytyra e Atit të vet.

Pastaj shton: «Urdhërimet i di... » dhe i rreshton vetëm urdhërimet që kërkojnë dashurinë ndaj të afërmit. Në fakt, duke dashur të afërmin siç duhet, kalitemi edhe për të dashur Hyjin.

Por ky njeri i kishte zbatuar të gjitha: «Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.» Prandaj ungjilltari thotë se «Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha... ».

Ky lloj gjesti i Jezusit («e shikoi ëmbël dhe e pëlqeu») nuk përmendet në asnjë pjesë tjetër të të katër Ungjijve, por vetëm këtu. Duket sikur për një çast Shën Marku e ka fokusuar objektivin e kamerës së tij tek Fytyra e Jezusit. Ai termi që në shqip është përkthyer me «e pëlqeu», në fakt në origjinalin grek thotë «e deshi». Pra Shën Marku është duke na thënë se, në atë çast, atij njeriu, përmes shikimit të Jezusit, po i përcillej e gjithë dashuria e Hyjit. Është i mrekullueshëm ky detaj ungjillor. Shën Pali diku në letrat e tij do të shpjegojë: «Njohuria e lavdisë së Hyjit shkëlqen në fytyrën e Krishtit.» (2 Kor 4, 6)

Prandaj, duke i vënë përpara një dashuri të tillë Hyjnore, Jezusi tani mund t’i kërkojë atë që duket e pamundur: «Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!» Jezusi më parë e rrethon me dashurinë e vet, pastaj i kërkon mohimin e pasurive. Kështu që, vetëm ata që duan t’i përgjigjen me dashuri kësaj Dashurie Hyjnore të Jezusit, dijnë t’i bien mohit pasurive të kësaj bote.

Është tepër e thellë edhe mënyra se si Jezusi i formulon fjalët e veta. Nuk i thotë që t’ia linte dikujt tjetër pasurinë e as t’ia sillte Jezusit paratë e fituara nga shitja e saj. Në atë rast, nëse do t’i ndryshonte mendja, do të mund t’i kërkonte përsëri. Por i thotë që t’ia shpërndante paratë të varfërve, duke humbur kështu edhe çdo mundësi që t’i gjente më ato para.

Kjo kërkesë papritur e turbulloi thellë pasanikun, sepse «kishte prona të shumta». «I trishtuar, u largua.» Për t’u shkëputur nga pasuria, i duhej të shkëputej nga planet e shumta që kishte në kokë. I duhet të shkëputej nga vetvetja. Këtë, me sa duket, nuk arrinte ta pranonte. E Jezusi e vinte re se pikërisht kjo gjë i mungonte.

Me fjalën e Tij, Jezusi prek atje ku ai nuk donte të ishte i prekur nga askush. Por, siç thotë Shën Pali: «Fjala e Hyjit është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa... shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës.» Kështu, ky pasanik, u vu si kurrë më parë përballë ndërgjegjes së vet dhe iu desh të bënte zgjedhjen e tij. Fatkeqësisht zgjodhi «pronat e shumta» që kishte, por humbi thesarin e vërtetë.

Prandaj edhe ky njeri do ta meritonte atë qortimin që psalmisti i bënte Izraelit kur u largua nga Hyji i gjallë, për të adhuruar shtatoren e viçit: «E ndërruan lavdinë e tyre me truporen e një kau që ha sanë.» (Ps 106, 20)

Ja, pra, e keqja e pasurisë: për shkak të saj ne arrijmë t’i biem mohit dashurisë së Hyjit. Prandaj Jezusi thotë: «Bijtë e mi! ... Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër vesh të gjilpërës, se të hyjë i pasuri në mbretërinë e Hyjit»

Jo se pasuria është diçka e keqe në vetvete, por bëhet e tillë kur zë vendin e Hyjit. Fjalët e Jezusit mund të na prekin të gjithëve thellë në shpirt, sepse të gjithë e shohim se, dashje pa dashje, kemi dëshirë “të kemi” disa gjëra. Prandaj, si “të zënë mat”, apostujt mendojnë se qenka e pamundur të shëlbohet ndokush, sepse e ndienin edhe ata se sa e vështirë është të shkëputesh nga gjithçka: «Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë, kush do të mund të shëlbohet?”»

Por Jezusi i qetëson duke u thënë një të vërtetë tjetër të madhe: «Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.» Ka shumë shenjtër, në fakt, që kanë jetuar në mes të pasurive të mëdha, por që e kanë ruajtur gjithnjë të pastër dashurinë e tyre ndaj Hyjit dhe njerëzve. Edhe pse ishin të zhytur në mes të pasurive, zemrën e kishin të ngulur në Hyjin: «Hyji mund të bëjë gjithçka.»

Do të na vinte natyrshëm këtu të pyesnim nëse edhe neve na duhet t’i shesim të gjitha pasuritë tona, por ne duhet të kemi të qartë se e rëndësishme është që të shkojmë pas Jezusit. Pastaj, për sa i përket braktisjes apo jo të të mirave materiale, na e tregon Ai se çfarë duhet të bëjmë.

Ajo që të gjithëve na kërkohet, është që ta duam Hyjin mbi gjithçka, duke pasur kujdes gjithnjë që të mos mashtrohemi nga vezullimet e rreme të pasurive. Kjo atëherë mund të na japë lirinë e zemrës për ta ndjekur Jezusin edhe në varfërí, nëse ai na e kërkon një gjë të tillë.

Të krishterët e parë e kishin kuptuar se ajo «Mençuria» për të cilën fliste sot leximi i parë, nënkuptonte vetë Jezusin. Tani e kuptojmë se sa bukur u është dukur atyre rreshti që thotë: «Gurin e paçmueshëm, as që e krahasova me të.»

Shenjtja Maria Bertila Boskardin thoshte në shekullin e kaluar: «Gjithçka e bëj vetëm për dashuri të Jezusit, thuajse as Ferri e as Parajsa të mos ekzistonin e as ngushëllimi i ndërgjegjes së pastër.»

Dom Dritan Ndoci

09 tetor 2021, 10:23