Kërko

Fillimi i procesit sinodal, 9 tetor 2021, Vatikan Fillimi i procesit sinodal, 9 tetor 2021, Vatikan

Çelësi i fjalëve të Kishës: Sinodi, etapa të një përvoje shekullore

Sinodi, që Papa Françesku hapi më 10 tetor e ipeshkvijtë e çdo dioqeze do të përurojnë më 17 tetor, është arritja e një udhe të gjatë në Kishë. Sot, përshkojmë historinë e tij, deri në magjisterin e Françeskut, që përfshin në këtë përvojë gjithë Popullin e Zotit

R.SH. - Vatikan

“Sinod” është fjalë e lashtë e Traditës së Kishës. Përbëhet nga parafjala “me” (σύν), dhe emri “udhë” (ὁδός) e tregon udhëtimin e bërë së bashku nga Populli i Zotit. I referohet Jezu Krishtit Zot, që e paraqet veten si “rruga, e vërteta dhe jeta”. Në greqishten kishtare, termi shpreh thirrjen në asamble. Që nga shekujt më të hershëm, quhen “sinode” kuvendet kishtare të niveleve të ndryshme (dioqezane, krahinore ose rajonale, patriarkale, universale) për të diskutuar çështje doktrinore, liturgjike, kanonike dhe baritore, në dritën e Fjalës së Zotit e nën dikimin e Shpirtit Shenjt. Termi grek σύνoδος përkthehet në latinisht si sýnodus ose concilium. Rrënjët e fjalëve “sinod” dhe “koncil” janë të ndryshme, por kuptimi është i ngjashëm. Termi “koncil” e pasuron përmbajtjen semantike të “sinodit”: kujton termin hebraik קָהָל (qahal) që do të thotë “mbledhje, asamble”. Përkthimi i kësaj fjale hebraike përshtatet në greqisht me fjalën ἐκκλησία (ecclesia), e cila ka lidhje etimologjike me foljen kalein, që do të thotë “thërras”. Përvoja e Sinodit është pra ajo e “ecjes së bashku”. Besimtarët janë σύνoδοι, shokë udhe, të thirrur për të dëshmuar dhe për të shpallur Fjalën e Hyjit.

Si është shprehur sinodaliteti në historinë e Kishës?

 Sinodaliteti është “përmasë themeltare e Kishës, e cila, përmes saj, bëhet e dukshme dhe formohet si Popull i Zotit”, thuhet në dokumentin “Sinodaliteti në jetën dhe në misionin e Kishës”. Që nga zanafilla, Kisha është mbledhur për të diskutuar çështje, që kanë nevojë për studim të mëtejshëm. “Sinodaliteti paraqitet që në fillim si garanci dhe mishërim i besnikërisë krijuese të Kishës ndaj origjinës së saj apostolike dhe thirrjes së saj katolike”. Në veçanti, Sinodet e Kishës janë vende për të zgjidhur ato çështje, të cilat ipeshkvi nuk është në gjendje t’i trajtojë i vetëm. “Kanunet Apostolike”, tekst që daton në periudhën ndërmjet shekujve të katërt dhe të pestë, pohojnë se ipeshkvi vendas nuk duhet të bëjë asgjë “të rëndësishme” pa miratimin e ipeshkvit “epror”.

 Por disa probleme kanë të bëjnë me gjithë Kishën. Atëherë, në vitin 325, u thirr në Nike “Koncili i parë Ekumenik”. “Për herë të parë, përmes ushtrimit sinodal të shërbesës së ipeshkvijve, shprehet institucionalisht në nivelin universal, ἐξουσία (autoriteti) i Zotit të Ngjallur, i cili e udhëheq dhe e drejton udhën e Popullit të Zotit përmes Shpirtit Shenjt”. Gjatë mijëvjeçarit të parë, mbahen koncile ekumenike. Ndërsa, Sinodet e përhershme kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në jetën e Kishave Lindore. Për të pasur një Sinod ipeshkvijsh edhe në Kishën e Perëndimit, duhet pritur Koncili II i Vatikanit.

Ç’është Sinodi i Ipeshkvijve?

 Gjatë punimeve të Koncilit II të Vatikanit, Etërit konciliarë ndienë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e kolegjialitetit. Për këtë arsye, Papa Pali VI, me motu proprio “Apostolica sollicitudo” të 15 shtatorit 1965, themeloi Sinodin e Ipeshkvijve për gjithë Kishën. Në këtë dokument, Papa nënvizon se “Sinodi i Ipeshkvijve, përmes të cilit ipeshkvij të zgjedhur, nga anë të ndryshme të botës, i japin një ndihmë më efektive bariut të epërm të Kishës, themelohet për të qenë: një institucion qendror kishtar; përfaqësues i të gjithë Episkopatit Katolik; i përhershëm për nga natyra e tij; e, përsa i përket strukturës, i kryen detyrat në mënyrë të përkohshme, sipas rastit”. Sinodi i parë i Ipeshkvijve, mbajtur në vitin 1967, u përqëndrua në temën “Ruajtja dhe forcimi i fesë katolike, integriteti, forca, zhvillimi, koherenca e saj doktrinore dhe historike”. Sinodi i Ipeshkvijve, siç thekson Papa Françesku në Kushtetutën Apostolike “Episcopalis Communio”, përbën “një nga trashëgimitë më të çmuara të Koncilit II të Vatikanit”. “Që atëherë, Sinodi, i ri për nga themelimi, por shumë i vjetër për nga frymëzimi i tij - shton Papa – bashkëpunon frytshëm me Papën e Romës”.

Si do të zhvillohet Sinodi aktual i Ipeshkvijve?

Sinodi aktual i Ipeshkvijve, i cili u përurua nga Papa Françesku më 10 tetor 2021, trajton vetë temën e sinodalitetit dhe do të zhvillohet me mënyra e faza të reja. Nuk do të mbahet vetëm në Vatikan, por edhe në çdo Kishë të veçantë, në pesë kontinente. Është hera e parë, në historinë e këtij institucioni, që një Sinod mbahet në mënyrë të decentralizuar. Hapja e Sinodit në Kishat lokale do të kremtohet të dielën, më 17 tetor. Procesi sinodal do të ndjekë një itinerar trivjeçar të ndarë në tri faza të karakterizuara nga dëgjimi, shoshitja dhe këshillimi. Faza e parë (tetor 2021 - prill 2022) ka të bëjë me Kishat dioqezane të çdo vendi. Faza tjetër, ajo kontinentale (shtator 2022 - mars 2023), ka në qendër dialogun e diskutimin për tekstin e parë të Instrumentum Laboris, që s’është tjetër, veçse mjet për zbatimin e vendimeve të marra nga ipeshkvijtë. Faza e fundit e udhëtimit sinodal ka të bëjë me Kishën universale (tetor 2023). Etapë themelore e këtij procesi është Asambleja XVI e Zakonshme e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, në tetor 2023, e cila do të pasohet nga faza e zbatimit, që do të përfshijë sërish Kishat e veçanta.

Si shprehet sinondaliteti?

 Në fjalën e 18 shtatorit 2021 drejtuar besimtarëve të dioqezës së Romës, Papa Françesku u përqëndrua pikërisht në procesin sinodal rreth temës: “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”. Theksoi se “tema e sinodalitetit nuk është kapitull i ndonjë traktati mbi eklesiologjinë e, aq më pak, ndonjë mënyrë, parrullë, ose term i ri për t’u përdorur nëpër takime”. Sinodaliteti shpreh “natyrën e Kishës, formën, stilin e misionin e saj”. Në atë rast, Ati i Shenjtë pyeti: “A janë të varfërit, lypësit, të rinjtë e droguar, këta që shoqëria i hedh poshtë, pjesë e Sinodit?”. “Po, i dashur, po, e dashur: Nuk e them unë - shpjegon Papa - e thotë Zoti: janë pjesë e Kishës”. “Deri në atë pikë sa po qe se nuk i kontaktojmë - do të shihet rruga për këtë - ose nuk shkojmë për të ndenjur pak me ta, për të dëgjuar jo çka thonë, por çka ndiejnë, madje edhe fyerjet që na bëjnë, nuk po e kremtojmë mirë Sinodin. Sinodi është deri në kufi, në limit, i përfshin të gjithë. Sinod do të thotë edhe t’i lëmë hapësirë dialogut për mjerimet tona”.

14 tetor 2021, 11:11