Kërko

Varrezë e krishterë Varrezë e krishterë

Çelësi i fjalëve të Kishës: horizonti i krishterë i vdekjes

Të dashur dëgjues sot do të flasim për një argument të vështirë, pasi ka të bëjë me fatin tonë të fundmë e me ndjenjat për të afërmit që na rrethojnë. Do të flasim për “vdekjen” dhe kuptimin e saj të krishterë, ndërsa afrohet festa e të shumëve, që Kisha e kremton më 2 nëntor, por edhe ajo e të Gjithë Shenjtorëve, në aradhen e të cilëve, secili prej nesh shpreson të gjejë të afërmit e vet, që e kanë lënë këtë botë.

R.SH. - Vatikan

Sot është bërë e vështirë të flitet për vdekjen, e cila paraqitet si një lloj tabuje, për të cilën s’duhet menduar aspak. Ndonjë predikatar e përdor edhe keq këtë koncept, deri aty sa të mbysë kënaqësinë për të jetuar, por në pjesën më të madhe të shoqërisë së sotme, po bëhet ç’është e mundur për ta mënjanuar, për të mos e takuar.

Mjetet e komunikimit e shndërrojnë vdekjen në lajm, ose e spektakularizojnë atë, por reflektojnë pak e nuk bëjnë asnjë lloj vlerësimi për humbjen e jetës. Njeriu i sotëm përpiqet të ndërtojë çdo lloj pengese mes tij dhe vdekjes, a thua se nuk është diçka që na takon të gjithëve, a thua se nuk jemi të gjithë “qenie të vdekshme”.

Për ne është e vështirë ta kuptojmë misterin e vdekjes. Secili hipën në barkën e jetës, ngre velat dhe del në det të hapur, mbi valët e pasigurta e nganjëherë, edhe kapriçoze. Ka ditë, që duke parë horizontin, sheh se një barkë zhduket: “Iku!”. Por para misterit të vdekjes, ndërsa ne themi “iku”, të tjerë, në bregun tjetër të detit të jetës, në molin e portit të Qiellit, thërrasin me gëzim: “Ja, po vjen!”. Ajo që për ne është ndarje e trishtuar, për të afërmit tanë, që ndahen nga kjo botë, është horizont i lumtur. Barka nuk zhduket, jam unë, që nuk e shoh më. Të vdekurit nuk janë “njerëz, që mungojnë”, por “njerëz të padukshëm”. Nuk janë më “ndër” ne, por do të jenë gjithmonë “me” ne. Thotë feja: “Jeta nuk mbaron, shndërrohet”.

Por gjithnjë vdekja mbetet si një përvojë limite, prandaj, sidomos fetë janë përpjekur të zgjidhin enigmën e saj, duke dhënë përgjigje të ndryshme, por me një perspektivë të përbashkët, atë të jetës së amshuar pas vdekjes. Feja e krishterë bazohet mbi këtë bindje origjinale: Krishti ka fituar mbi vdekjen me anë të vdekjes së vet. Koncili II i Vatikanit thotë: “Zoti e thërret njeriun që të shtrëngohet me të me krejt natyrën e tij, në një bashkim të vazhdueshëm me jetën e pakorruptuar hyjnore. Kjo është fitorja e Krishtit, i cili është ringjallur e kthyer në jetë, pasi e ka çliruar njeriun nga vdekja përmes vdekjes”.

Edhe për ata, që nuk besojnë në jetën e përtejme, mbetet vazhda e të dashurve në detin e jetës: gjurmë, që u shtron përpara pyetje, që i provokon, që i nxit të kërkojnë. Si për atë që beson, ashtu edhe për atë që s’beson, vështrimi mbi historinë e jetës, që vijon edhe përtej horizontit, është nxitje për të menduar mbi dashurinë e shpresat, që kemi ndarë me të vdekurin, është shtysë për një shqyrtim serioz e të thellë të ndërgjegjes, është guxim për ta pyetur veten nëse mbi atë barkë jemi vërtet duke lundruar, apo vetëm qëndrojmë mbi ujë.

Të afërmit e vdekur na mësojnë të kemi më tepër frikë nga një jetë plot gabime, ose bosh, ose të kotë, se sa nga horizonti i fundëm drejt të cilit shkojmë, pra, nga vdekja. Le t’i mendojmë ata në dritën e Zotit të Ringjallur. Sepse, nëse Zoti është dashuri, atëherë Ai do të marrë hak për vdekjen tonë. Gjithçka përfshihet në dashuri, i është shkëputur vdekjes. Hakmarrja e Zotit është ringjallja, shpëtimi. Të shpëtosh do të thotë të ruash. Ringjallje do të thotë dashuri e pandarë, ku asgjë nuk humbet, as përkëdhelja, as buzëqeshja, as fjala, as loti më i vogël e më i fshehtë.

T’u themi atëherë të afërmve të vdekur “Lamtumirë”, “Adio”, pra, “ad Deum”, te Zoti. Do të shihemi te Zoti, në shtëpinë e Hyjit, në hapësirën pa fund të Dashurisë së amshuar.

28 tetor 2021, 08:20