Kërko

Të rinj të Caritas Internationalis në Liban Të rinj të Caritas Internationalis në Liban

Caritas Internationalis, gjithnjë krah të varfërve dhe të ligshtëve

Më 12 dhjetor, Caritas Internationalis kremton 70-vjetorin e themelimit. Në një intervistë për mediat vatikanase, sekretari i tij i përgjithshëm, Aloysius John, ndalet mbi rëndësinë e këtij përvjetori dhe mbi sfidat më urgjente në këtë kohë pandemie

R.SH. - Vatikan

Përballimi i nevojave humanitare në fund të Luftës II Botërore dhe ndihma për viktimat e konfliktit. Kur Papa Piu XII e themeloi, më 12 dhjetor 1951, këto ishin objektivat kryesore të Caritas Internationalis. Një Konfederatë e Karitaseve kombëtare – 13 fillestare e 162 sot - e cila, gjatë këtyre 70 viteve, e ka zgjeruar gjithnjë e më shumë gamën e veprimit dhe i ka shumëfishuar sektorët e ndërhyrjes. Në qendër të punës së saj, dëshmia konkrete e bamirësisë që njerëzit – sidomos më të pambrojturit - ta përjetojnë dashurinë e mëshirshme të Zotit. Sot Caritas Internationalis njoftoi programin e ngjarjeve dhe të nismave, që do të shënojnë këtë 70-vjetor. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, sekretari i tij i përgjithshëm, Aloysius John, flet për sfidat që e presin Karitasin në të ardhmen, gjithnjë në frymën e vlerave, mbi të cilat mbështetet që nga zanafilla. Ta dëgjojmë…

Caritas Internationalis lindi si “dora e kujdesshme dhe e dashur” e Kishës për t’i shërbyer njeriut e në veçanti, më të varfërve, më të mënjanuarve dhe më të pambrojturve të shoqërisë. Gjatë këtyre 70 viteve, Konfederata jonë është udhëhequr nga vlera themelore si mbrojtja e dinjitetit njerëzor, e të drejtave themelore dhe e drejtësisë shoqërore. Këto vlera kanë mbetur gjithmonë në bazën e punës sonë, e cila është zhvilluar gjatë viteve, duke ndjekur shenjat e kohës dhe duke bërë përpjekje për t’u shërbyer sa më mirë njerëzve në nevojë. Në qendër të misionit tonë është dhe do të jetë gjithmonë takimi me të varfërit, siç na e kujtoi edhe Papa Françesku në vitin 2019, me rastin e Asamblesë sonë të Përgjithshme. “Nuk mund ta jetosh bamirësinë, pa marrëdhënie personale me të varfrit – na tha ai – sepse duke jetuar me të varfërit mësojmë ta praktikojmë bamirësinë me frymën e varfërisë, mësojmë se bamirësi do të thotë bashkëndarje”.

Gjatë këtyre 70 viteve, Caritas Internationalis ka qenë i pranishëm në të gjitha emergjencat e mëdha humanitare. Sipas jush, sot, cila është sfida më e madhe në këtë botë, që po pëson shndërrime të shpejta e të thella?

Puna humanitare ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1951 dhe sot, po përballemi me kriza të ndërlikuara e afatgjata, si natyrore, ashtu edhe të krijuara nga njeriu. Përçarjet politike, luftërat, konfliktet fetare ndërthuren me pasojat e ndryshimeve klimatike, duke shtuar dramatikisht numrin e refugjatëve dhe të të shpërngulurve brenda vendit. Përballemi edhe me pabarazi serioze dhe me shfaqjen e formave të reja të varfërisë. Ndërsa vazhdojmë t’u shërbejmë këtyre të vuajturve, kemi përpara edhe sfidën e promovimit të solidaritetit ndaj tyre në shoqërinë tonë moderne. Para vuajtjes njerëzore, duhen mobilizuar burimet e nevojshme për kryerjen e misionit.

Covid-19 i vuri në provë veprimtaritë bamirëse dhe humanitare. Si e përballoi krizën Caritas Internationalis e si po përgatitet për periudhën pas pandemisë?

Konfederata jonë është përballur me një krizë të paparë e të gjitha Karitaset e botës janë impenjuar për t’iu përgjigjur si duhet pandemisë. Një shenjë konkrete mbështetjeje dhe shprese erdhi nga Ati i Shenjtë, i cili e përfshiu Caritas Internationalis në Komisionin vatikanas COVID-19. Me urdhër të Papës dhe në bashkëpunim me Dikasterin për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, kemi krijuar një fond për financimin e 40 projekteve të Karitasit. Ky gjest solidariteti nxiti edhe të tjerë të bashkohen me Karitasin për të ofruar mbështetjen e tyre. Në Bangladesh, për shembull, disa pronarë restorantesh, myslimanë, e mbështetën Karitasin lokal, duke dhuruar ushqime për refugjatët. Reagimi i menjëhershëm ndaj emergjencës u shoqërua edhe me reflektimin për të nesërmen. Të nxitur nga ftesa e Papës Françesku për të “menduar për të ardhmen e re” pas pandemisë, ne kemi krijuar një “think tank” dhe po reflektojmë si do të ndikohet puna e Karitasit nga realiteti i ri.

Kisha është e impenjuar në procesin sinodal të filluar nga Papa Françesku. Cili është kontributi, që mund të japë për sinodalitetin, një realitet kishtar botëror siç është Karitasi Ndërkombëtar?

Papa Françesku theksoi se procesi sinodal, i cili e përfshin të gjithë Kishën, ka si pikë të parë dëgjimin. Prandaj, aftësia për të imagjinuar një të ardhme të re për Kishën varet kryesisht nga fillimi i një procesi dëgjimi, dialogu dhe shoshitjeje në bashkësi. Prandaj Caritas Internationalis mund të kontribuojë në reflektimin brenda bashkësive dhe famullive të krishtera, para së gjithash, duke promovuar dialogun dhe solidaritetin me më të ligështit, që bëjnë pjesë në to.

Përvjetori është rast për bilance, por edhe për të hedhur vështrimin drejt së ardhmes. Cilat janë planet e Caritas Internationalis për vitet e ardhshme? Me rastin e 70-vjetorit, a ka ndonjë fushatë të veçantë?

Kjo pandemi na ka treguar se pa kujdes për njerëzimin dhe për gjithësinë e krijuar nga Zoti, do të bëhemi gjithnjë e më të brishtë. Sot, bota ka nevojë më shumë se kurrë për një shndërrim rrënjësor të zemrave dhe të mendjeve, si edhe për pajtim me krijimin. Duke kryer bamirësi, ne i përkushtohemi veçanërisht promovimit të qytetërimit të dashurisë dhe kujdesit për njerëzimin e për shtëpinë tonë të përbashkët. Pikërisht në këto pika do të bazohet fushata jonë globale, të cilën do ta nisim me rastin e 70-vjetorit e do ta përfundojmë në vitin 2024.

26 tetor 2021, 13:28