Kërko

Vatican News

Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër

Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër, në në praninë e kryeipeshkvit Pooten dhe të Atë Zef Lombardinit, një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli shqiptar e kujton gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane. Stema e Kolegjit kishte në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Për Zot, Për Atme e Përparim’.

R.SH. - Vatikan

Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër, në  praninë e kryeipeshkvit plak Pooten dhe të Atë Zef Lombardinit, jezuit, një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli ynë do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane

Kolegja Saveriane e filloi veprimtarinë e vet në shekujt e kaluar, duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet e antiklerikalizmit vendas. Kështu mund të themi se interesi i jezuitëve për kulturën shqiptare është më i hershëm se Kolegja; nis që në shekullin XVIII, kur Papa shqiptar Klementi XI, si organizoi Kuvendin e Arbnit dhe i kërkoi dokumentet edhe në gjuhën shqipe, hodhi idenë të mblidheshin materiale e dokumente iliro-shqiptare. Mbledhjen e filloi Atë Riçeputi e e vazhduen etërit jezuitë Daniel Farlati e Jakob Koleti, që realizuan veprën fort të çmueshme “Illyricum Sacrum”, një vepër sine qua non per historinë e Shqipërisë.

Ardhja e jezuitëve do të shoqërohej me veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore e shoqërore, të panjohura më parë në vendin tonë. Ndër këto veprimtari kujtojmë ngritjen e shtypshkronjës së parë, botimin e revistës së parë “Elçija e Zemrës së Krishtit”, krijimin e bandës së parë muzikore e të orkestrave moderne, fillimin e artit dramatik, lulëzimin e shoqërive kulturore, patriotike e sportive, mbledhjen e koleksionit të famshëm numizmatik, hapjen e Muzeut botanik, etnografik etj. etj.

Jezuitët nisën edhe punën arsimore. E filluan me një shkollë të vogël, me pak nxënës, per të arritë te viti i paharrueshëm 1877, data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten e të At Zef Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli ynë do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane. Ndër themelues kujtojmë At Luigjin Maca, që dhuroi nga pasuria e shtëpisë së vet 1100 napolona. Ndër civilë duhen permendur familjet shkodrane: Muzhani, Sima, Suma, Saraçi e Shiroka.

Stema e Kolegjit: në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Për Zot, Për Atme e Përparim’. Filluan mësimet me seriozitet jezuit: arsim i vërtetë, i plotë, i rregullt; kulturë e pergjithshme perëndimore, qytetërim i zgjedhur evropian, me programe të studiuara e të zgjedhura; me metoda të përparuara e efikase; me mjete moderne e të reja. Shkurt, një formim i gjithanshëm perëndimor. Me të drejtë Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”.

Shkolla në fillim pati drejtim tregtar, më vonë mori drejtim klasik, por gjithmonë qe e barasvlershëm me shkollat më të mira të mesme të Evropës Perëndimore. E kjo edhe pse mësuesit që dhanë mësim në këtë shkollë qenë të gjithë me shkollë të lartë të kryer jashtë shteti, të gjithë autorë tekstesh a veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj.; të gjithë me një botë të pasur shpirtërore e intelektuale, të gatshëm për të zhvilluar fuqitë mendore të nxënësve per një formim intelektual të shëndoshë, por edhe per emancipimin e jetës shoqërore e kulturore si dhe për integrimin e shoqërisë shqiptare në Kontinentin e Vjetër, në mënyrë që Shqipëria, gjeografikisht në Evropë, të mos mbetej realisht në Orient.

Rrallë ka shkolla me kuadër të tillë arsimor: Atë Jak Jungu, misionar italian me zemër shqiptari, si i thoshte Shantoja, autor i një gramatike dhe i një Fjalori dygjuhësh; Atë Anton Xanoni, italian me nanë shqiptare, që shkroi vetëm shqip për ne, autor i “Prijësi në lamë të literaturës”, dhe “Gramatika e gjuhës shqipe”; Atë Fulvio Kordinjani, autor i shumë veprave; Atë Buxeti i ‘Fjalorit’ të madh; martiri Imzot Bonati që përktheu ‘Lahuten e Malcis’ italisht. Pastaj Atë Aldeghieri, Atë Fracchioni, Atë Valentini, autor i shumë vëllimeve, ndërmjet të cilëve, 25 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”.

Nder mësues shqiptarë: Filip Ashiku, Gaspër Benusi, Pjetër Marubi, Fejzullah Efendì, Kolë Dema, Dom Ndre Mjeda, mësuesi ynë i paharrueshem, si thoshte Valentini; Etërit Mark Harapi e Zef Saraçi; Gjush Sheldija, bashkëpuntori i ngushtë i Valentinit; Musa Efendì Boriçi, Mati Logoreci, Gjon Qerraxhija, Kolë Thaçi, kater Gurakuqë, tre Rrota (vëllezërit e Pater Justin Rrotës), dy Çefa e deri te dijetari i thellë, i persekutuari i  paepur e mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Atë Pjeter Meshkalla, emrin e të cilit gëzon sot shkolla e rilindur saveriane.

Procesin mësimor e ndihmonin edhe ambientet shkollore, si kabinetet e fizikës e të kimisë e, sidomos, biblioteka shumë e pasur e jezuitëve. Këtu, si fort rrallë gjetiu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, këtu ‘Illyricum Sacrum’, dhe ‘Gramatika’ e parë shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thoshte Mjeda; e para gramatikë në Ballkan; “Historia bizantine” e Du Fressne e Du Cange, pastaj veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj. dhe skedari i famshëm i Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat më vonë do të grabiteshin, do të digjeshin, do të zhdukeshin, e çka do të tepronte, do të çohej  për karton.

Por, nëse puna mbatet me rezultatin, atëherë vjen natyrshëm pyetja: ‘Cila shkollë ka pasur rezultate më të mira, më të frytshme se kjo shkollë? Këtu mjafton të kujtojmë vetëm disa nxënës, emrat e të cilëve flasin vetë: “Imzot Lazër Mjedën, meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese, mecenat e lavrues i letrave shqipe; Imzot Luigj Bumçin, anëtar e pastaj kryetar i Dergatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, senator i Shqipërisë; Imzot  Prengë Doçin, luftëtar i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues i shoqërisë “Bashkimi” e autor krijimesh artistike; Faik Konicën, aristokratin elegant të letrave shqipe, stilistin e madh e, së fundi, djaloshin e jashtëzakonshëm, Luigj Gurakuqin, përfaqësuesin e politikës kombëtare e “pionierin e qytetërimit evropian”, pastaj nxënës të tjerë të shumtë, që u bënë drejtues të administratës shqiptare, kur kjo hidhte hapat e para të jetës vërtetë demokratike.

E ajo që do ia rritë më shumë emrin e mirë kësaj shkolle, janë shumë profesorë e nxënës, që pritet të ngjiten në nderimet e elterit si martirë të fesë e të atdheut. Kujtojmë Imzot Bonatin, Atë Faustin, Atë Dajanin, seminaristin Mark Çuni, të pushkatuarit Dom Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi, Dom Alfons Tracki, Dom Mark Dushi, Dom Dedë Maçaj, Dom Zef Bici, Dom Pjetër Çuni, Dom Luigj Pici, Dom Mark Gjani e Dom Lazër Jubani, që vdiq i helmatisur nga sigurimi komunist.

E përfundojmë  këtë përkujtim të shkurtër me vlerësimin e Faik Konicës: “Me këto e të tjera, Kolegja Saveriane mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Ish-kolegji Saverian, sot është shndërruar në gjimnazin  "Atë Pjetër Meshkalla"

Në vitin 1990, sapo u bë i mundur rrëfimi e praktikimi fetar, me rënien e ndryshimin e regjimit komunist ateist në Shqipëri, Jezuitët u kthyen menjëherë në vendin e shqiponjave. Në shkurt të vitit 1992 hapën në kryedioqezën e Shkodrës një si "para-seminar", për një grup të rinjsh katolikë, që kishin shprehur dëshirën për t'u bërë meshtarë.

Në vitin 1994 u ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore. Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u përvijuan dy realitete, ai i Seminarit, për përgatitjen e meshtarëve e të rregulltarëve të ardhshëm, dhe ai i Shkollës së Mesme, njohur zyrtarisht nga Shteti i Shqipërisë.

17 tetor 2021, 08:07