Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Sinodi e sinodaliteti

Nuk është e lehtë të kuptohet ndryshimi ndërmjt një sinodi e sinodalitetit. Ky i fundit duket koncept mjaft abstrakt, megjithëse këto kohë është përmendur shpesh nga Papa Françesku, i cili ka filluar një proces gjithëpërfshirës për Kishat e veçanta, edhe për Sinodin, që do të fillojë pikërisht nëpër dioqeza, këtë tetor. Pikërisht për të do të flasim në emisionin e sotëm

R.SH. - Vatikan

Koncili II i Vatikanit pati folur për kolegjialitet, sidomos për kolegjialitet ndërmjet ipeshkvijve, por më pak për sinodalitet, koncept i ri, theksuar kryesisht nga Papa Françesku, i cili, si hap të parë, e ndryshoi mënyrën e zhvillimit të Sinodit të Ipeshkvijve, duke e filluar diskutimin mbi temën e caktuar pikërisht në Kishat lokale, për të favorizuar shkëmbimin e ideve në të gjithë Popullin e Zotit. Ideja është të promovohet një Kishë vëllezërish e motrash, që ecin e vendosin së bashku.

Shenja dalluese e sinodalitetit është pluralizmi

Sinodaliteti është diçka tjetër në krahasim me kolegjialitetin. Fjala, që përkon më shumë me të është “kishtare”, ndërsa kolegjialiteti mbetet diçka “ipeshkvnore”. Prandaj, sinodaliteti ka frymëmarrje të gjerë e të ndërlikuar. Rrjedh nga kryqëzimi i marrëdhënieve në çdo Kishë lokale në vetvete e nga lidhja e secilës prej tyre me Kishat e tjera të veçanta. Në këtë horizont, ipeshkvijtë nuk janë veçan e as mbi gjymtyrët e tjera të Kishës, përfshirë lëvizjet dhe shoqatat e laikëve, që kanë intuitë karizmatike, ndjeshmëri shpirtërore, orientime kulturore, qëndrime shoqërore, madje edhe plane ekonomike e vizione politike të ndryshme. Nga kjo pikpamje, shenja dalluese e sinodalitetit është pluralizmi.

Baza teologjike e sinodalitetit

 Kisha vërtet sinodale është simfonike – “poliedrike” lexohet në Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium” – pra, vlerëson dallimet, por nuk i pranon distancat. Përveç kësaj, sinodalitet do të thotë edhe të arrihet në një mendim të përbashkët, të lëvizet së bashku e secili të luajë rolin e vet në bashkësi e për bashkësinë. Kjo do të thotë që Populli i Zotit duhet të ecë si i tillë, si një grup, siç rrjedh natyrshëm nga termi grek, që përshkruan sinodin, i cili s’është tjetër veçse një asamble, një bashkim njerëzish, një lidhje.

Sinodaliteti kishtar i bindet sintaksës trinitare, që rregullon jetën e Kishës.Në fakt, secili nga Tri Vetjet e Trinisë Shenjte – pra, Ati, Biri e Shpirti Shenjt – zë një vend të tillë, që u lejon dy të tjerëve të qëndrojnë aty ku duhet, ku është vendi i tyre më i drejtë. Me fjalë të tjera, secila nga Vetjet është ajo, që është, sepse dy të tjerat zënë vendin, që u përket. Kjo është e vërtetë edhe për Atin, i cili është Fillimi nga rrjedh Biri dhe Shpirti Shenjt: pa ta, edhe Ai nuk do të ishte Atë, nuk do të ishte Fillimi. Ajo, që i mban të lidhur, arsyeja e marrëdhënieve ndërmjet tyre, është dashuria – “agape”. Rregulla e artë e raportit të tyre qëndron në faktin se secili është vetvetja, nëse të tjerët janë në gjendje të jenë vetvetja. Sinodaliteti, faktikisht, vë në jetë këtë rregull, duke e kthyer në praktikë baritore e në ortodoksi teologjike.

Udha drejt sinodalitetit

Pikërisht këto lloj marrëdhëniesh ka nevojë të realizojë Kisha në këtë çast. Sfida e sinodalitetit është përjetimi i këtij bashkimi, ku secili ka vendin e vet në raport të drejtë me tjetrin, bashkuar me të gjithë, përmes dashurisë vëllazërore. Vetëm pas këtij procesi, që është udha drejt sinodalitetit, mund të mendohet për një Sinod, i cili do ta kishte gjithë materialin e nevojshëm të realizuar tashmë. Nëse sinodaliteti nuk kthehet në “zakon” kishtar, programimi i çdo lloj Sinodi është i destinuar të mos japë rezultatet e pritura.

Një “problem” sinodal mund të jetë, për shembull, ai i “opinionit publik kishtar”, vend konfrontimi në bashkësi, palestër në të cilën dialogu konkretizohet përmes dëgjimit e fjalës, duke shpjeguar sa më mirë këndvështrimin e secilit, por edhe duke kuptuar plotësisht qëndrimin e të tjerëve për të eksperimentuar edhe faktin, që nuk jemi dakord për gjithçka, por pa e parë këtë si kërcënim e as si armë, por si mjet bashkëpunimi. Do të ishte udhë e përshtatshme për një sinodalitet të frytshëm.

30 shtator 2021, 11:51