Kërko

Papa jep bekimin në shenjtëroren sllovake të Sastin Papa jep bekimin në shenjtëroren sllovake të Sastin

Çelësi i fjalëve të Kishës: liria, fjala e Papës për Evropën

Papa Françesku sapo u kthye nga shtegtimi i tij i 34-t apostolik, që e çoi të dielën e kaluar në Budapest, për mbylljen e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar e pastaj, në Sllovaki, ku qëndroi deri dje (15 shtator). Për vendet, që kanë dalë nga komunizmi, fjalët e Atit të Shenjtë mbi mënyrën e përdorimit të lirisë së rifituar kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Jemi të lirë, por a jemi të tillë edhe në shpirt? Ky është reflektimi ynë sot e, si çelës do të përdorim pikërisht fjalët e Françeskut

R.SH. - Vatikan

Si një ese e rëndësishme, e cila ndërthur aktualitetin me mendimet për të nesërmen, udhëtimi i Papës Françesku në Budapest dhe Sllovaki mund të lexohet me kapituj. Secili prej tyre përmban në vetvete një vlerë dhe një sfidë: paqja, vëllazërimi, dialogu, kultura e takimit, kundrimi, jeta aktive.

 I mban të bashkuara – si fill i kuq, i çmuar por i brishtë - edukimi i lirisë, një pasuri aq e vështirë për t’u fituar e rifituar, sa ç’është e thjeshtë për ta humbur e për ta shëmtuar, duke e shpërfytyruar. Historia është plot me hapësira konfrontimi, që reduktohen në bunkerë, e madje, edhe oborret më të mëdha, nëse rrethohen me tela me gjemba e thepa xhami, kthehen në burgje. Rreziku është më i madh sidomos në ato realitete ku terrori dhe totalitarizmi kanë bërë ç’është e mundur për t’ua skllavëruar njerëzve ndërgjegjen, duke lënë pas një trashëgimi frike, mbi të cilën mësuesit e këqij të sotëm mund të ngrenë kufij ndarës, sa të rinj aq të vjetër. E mendimi shkon menjëherë tek politikat për mospranimin e refugjatëve dhe të shpërngulurve, që justifikohen me dëshirën për të blinduar “të ashtuquajturin identitet” të krishterë, siç e quajti Papa në Budapest, që konsiderohet në rrezik, prandaj, duhet piketuar me “një mbrojtje të pathyeshme” përreth.

Ndryshimet, mundësi për t’ia hapur zemrën Ungjillit

Jo se feja e krishterë nuk sulmohet, theksoi shpesh Papa Françesku, por për ta mbrojtur duhen gjetur kundërshtarët e vërtetë të saj, pa akuzuar “në përgjithësi” e aq më pak, burrat e gratë, të cilët kanë paguar çmime të jashtëzakonshme e të patolerueshme për urrejtjen, që i ka shtyrë të vihen për udhë në kërkim të një jete më të mirë. Njëkohësisht, s’është rasti të vihemi në shërbim të atyre që, pas maskës së mbrojtjes së interesave kombëtare e identitare, krijojnë egoizëm të ri e i vënë kazmën ndjenjës se jemi pjesë e një shoqërie të vetme njerëzore. Fjala e Papës për ipeshkvijtë hungarezë ishte e qartë: megjithëse fillimisht mund të shkaktojnë pak frikë, ndryshimet janë mundësi e madhe për t’ia hapur zemrën Lajmit të Mirë të Ungjillit, që është thirrje për të dashur. Me fjalë të tjera, kryqi i Krishtit, ndërsa na fton t’i mbajmë të forta rrënjët, na thotë edhe t’ua hapim zemrën të eturve të kohës sonë.

Kjo do të thotë, t’i vadisim e pastaj, të rizgjojmë jetën në tokat e thata të sotme, duke filluar nga shpirti, që shuhet kur nuk di më të shohë vëllain tek tjetri. Rrezik ky, i pranishëm kudo, jo vetëm në Evropën Lindore, por që në të, ndoshta për shkak të trashëgimisë kulturore, ndoshta për shkak të penalizimeve ekonomiko-shoqërore të padrejta historike, duket më i theksuar. Në derë troket gjithnjë e më me forcë rreziku i shpërfytyrimit të lirisë, e cila për natyrën e saj, merr hov përmes pjesëmarrjes dhe ndjenjës së bashkësisë. Por, ajo ka rrezik të shndërrohet në një udhë vetmitarësh, ose në bashkëpunim ndërmjet grupeve pak a shumë të mëdha, që mund të ndryshojnë strategji nga sot – nesër e të bëhen armiq.

Skllavëria shpirtërore

Atëherë, del në pah prirja, edhe pse e pashprehur, e paformalizuar dhe ndoshta, as e njohur vërtet, për t’u gjetur përballë një armiku që, në një farë mënyre, është edhe më i keq se persekutimi ateist, është skllavëri shpirtërore, e brendshme - siç tha Ati i Shenjtë në Sllovaki. E hollë, e rrezikshme, pasi bazohet në mure që i ndërtojmë vetë, ditë pas dite, tullë pas tulle, dhunë pas dhune. Ndodh, kur pretendojmë ta thjeshtojmë tepër çka është e ndërlikuar, kur armatosemi me dëshpërim, kur krijojmë fantazma rreth atyre brishtësive, që kanë natyrë më të trishtuar e më të errët. Është gjendja e atyre që, duke parafrazuar mësimin e “inkuizitorit të madh” të Dostojevskit, shohim se janë gati ta shkëmbejnë autonominë e mendimit dhe veprimin që rrjedh prej saj, me pak bukë dhe siguri. Nuk thuhet, por skllavëria, të paktën ajo që nuk kushton shumë - pasi të qetëson e të përkëdhel ndërsa ta thith gjithë ajrin nga mushkëritë - është më e rehatshme se liria.

Po, sepse garanton qetësi, shmang dhimbjen e zemrës, t’i mbyll sytë (edhe gojën e veshët) përballë tmerreve. Do të thotë jetë e qetë, rehati, lëkundje ëndërrimtare, ndërsa koha rrjedh për inerci. E kundërta e krishterimit, që, në logjikën e një Zoti, emri i të cilit është dashuri, s’mund të bëjë tjetër, veçse ta vendosë njeriun në qendër, gjë që kërkon guxim për të hequr dorë nga rehatia e për të marrë vendime jo të lehta, të cilat synojnë bashkimin e kërkuar nga Jezu Krishti në Ungjillin sipas Gjonit. Jo bashkësi të vogla, indiferente ndaj njëra-tjetrës, por vëllazërim ndërmjet gjithë anëtarëve të së njëjtës familje njerëzore. Liria jonë, na mëson Ungjilli, kalon përmes lirisë së vëllait dhe motrës, sidomos të atyre më nevojtarëve e, nuk do të jetë kurrë e plotë pa ta.

16 shtator 2021, 11:36