Kërko

Vatican News

“Takim me martirët”: i Lumi dom Lazёr Shantoja, martir

Gjatë kalvarit, dom Lazri, në burg dhe në tortura, reagoi si nxënës i vërtetë i Krishtit. Askush nuk dëgjoi asnjë fjalë të keqe prej tij. “Unë jam e do të vdes meshtar, e meshtarinë nuk dua ta shkel kurrë, sepse dua të jetoj e të vdes si meshtar”. E pushkatuan në Tiranë më 5 mars 1945. Trupin e tij e hodhën në një gropë së bashku me kufomën e myslimanit 80 vjeç Sulço Bej Bushati. “Do t’i kujtoj gjithë jetën ata sy [të tij]”, thotë Xhemal Alimehmeti. Atë dhe Sulçon i hodhën si thasët në bodrum.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, sot nё pjesën e 13-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit  dom Lazër Shantoja, publicist, përkthyes i Gëtes, i Shilerit dhe i Leopardit, poet lirik, satirist dhe esperantisti i parë shqiptar, qe ndër priftërinjtë e parë që u arrestua nga forcat e ndjekjes të regjimit komunist dhe i pari prift katolik që u pushkatua. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

N. 13 'TAKIM ME MARTIRET' I lumi dom Lazër Shantoja

I lumi dom Lazër Shantoja, publicist, përkthyes i Gëtes, i Shilerit dhe i Leopardit, poet lirik, satirist dhe esperantisti i parë shqiptar, qe ndër priftërinjtë e parë që u arrestua nga forcat e ndjekjes të regjimit komunist dhe i pari prift katolik që u pushkatua.

Ai lindi në Shkodër më 2 shtator 1892 dhe dy ditë më pas u pagëzua. Pati vetëm një vëlla, Luigjin. E ëma, Luçja, nxiti te të bijtë një shpirt me të vërtetë të krishterë. Ajo qe shoqëruesja e dom Lazrit deri në mërgimin e detyruar e deri në perëndimin e mundimshëm dhe, e dhimbshme si Nëna e Krishtit, jetoi edhe pas vdekjes së tij. I riu Lazër, pasi kreu dyvjeçarin filozofik dhe dyvjeçarin teologjik në Shkodër, e përfundoi dyvjeçarin e dytë të teologjisë në Innsbruck të Austrisë në vitet 1912-1914.

Pasi u kthye në atdhe u shugurua meshtar në Shkodër së bashku me dom Jak Bushatin më 29 maj 1915. Menjëherë u emërua zëvendësfamullitar i Katedrales e një vit më vonë famullitar i Pulajve të Velipojës, për t’u transferuar më 1920 si famullitar i Sheldisë ku, sipas dëshmisë dhënë nga Shuke Ndoja, aty “kishte hapur një shkollë për t’u mësuar fëmijëve që të shkruanin e të lexonin”. Nga viti 1923 e deri kur detyrohet të emigrojë, do të jetë kancelar dhe noter arqipeshkvor, si edhe sekretar i arqipeshkvit, imzot Lazër Mjedës.

Dom Lazër Shantoja, sipas dëshmisë të imzot Zef Simonit “ishte një person i gjallë dhe i shoqërueshëm, me sjellje të dalluar e fisnike. I butë, i përzemërt, i sinqertë, gjithmonë i qeshur, me inteligjencë të jashtëzakonshme”. Në lidhje me cilësitë e tij bamirëse, i bujshëm qe gjesti që bëri kur mirëpriti për të jetuar me të në qelë, në Sheldi, një të ri mysliman me origjinë nga Erseka, të cilin e kishte takuar në Shkodër ndërsa ky po kërkonte lëmoshë.

Dom Lazri qe një person shumë i ditur, publicist, dashamirës i muzikës dhe pianist. Qe i pari shqiptar që e njihte mirë gjuhën esperanto, përveç gjermanishtes, anglishtes dhe italishtes. Fytyra e tij e kthjellët dhe e qeshur ka qenë shprehje e një zemre të gëzueshme dhe e një shpirti të pastër. Buzëqeshja e tij shprehej me fjalë të sinqerta. Siç dëshmon imzot Zef Simoni: “Ishte orator i madh. Bënte predikime të shkëlqyeshme dhe e gjithë kjo më bën të mendoj se fjala bindëse që kishte, duhej të kishte një burim shpirtëror shumë të fortë”.

 Ishte i njohur edhe në fushën letrare e humoristike. Drejtoi revistën kulturore “Ora e maleve” dhe më vonë qe drejtor i Fletores Zyrtare të Klerit Katolik të Shqipërisë. Që kur ishte i ri, prej ajrit që thithte në familje, kultivoi një atdhetari të frymëzuar prej parimeve të krishtera të demokracisë. Në vitin 1924 qe mbështetës i lëvizjes së Fan Nolit e me rënien e këtij, pasi në vitin 1925 u arrestua dhe u lirua, qe i detyruar të largohej papritmas nga atdheu. Fillimisht u strehua në Beograd e më pas në Vjenë, Berlin e së fundmi në Zvicër. Për rreth 15 vjet qëndroi në emigrim. Gjatë këtyre viteve vihet re qartësisht në shkrimet e tij e sidomos në korrespondencën e tij të dendur me imzot Lazër Mjedën, vetëdija e tij se është meshtar i bindur në shërbim të popullit të Zotit. I shkruan arqipeshkvit: “Unë jam e do të vdes meshtar, dhe meshtarinë nuk dua ta shkel kurrë, sepse dua të jetoj e të vdes si meshtar”.

Edhe pse kudo në mërgim e shoqëron një mungesë e plotë mjetesh financiare, nuk është i demoralizuar. Gjatë kohës në emigrim do të përjetojë edhe humbjen e të vëllait në Bukuresht. Më 1939 kthehet në Shqipëri, sepse sipas opinionit të atëhershëm “nëpërmjet italianëve do të shpëtonte Shqipëria”. Edhe pse e kuptonte mirë situatën që po krijohej në Shqipëri me ardhjen e komunizmit, prapë nuk dëshironte të ikte. Zekë Simoni dëshmon se: «Dom Lazri thoshte: “Krishti pas nesh do të dërgojë gjithmonë meshtarë të tjerë në Kishën e vet”,  e se ai [dom Lazri] edhe pas përvojës së gjatë në mërgim, ishte i vetëdijshëm se ishte më mirë për të që të rrinte dhe të vdiste me nder, sesa të arratisej në një vend të huaj dhe të jetonte.»

U arrestua në Sheldi në ditët e para të dhjetorit 1944. Bashkë me të arrestuan edhe Kolë Sheldinë (i riu mysliman që ai strehoi e që më vonë u pagëzua duke marrë emrin Kolë), si dhe Gjeto Lazër Ndojën. E çuan në burgun e Shkodrës. Jezuiti atë Luigi Rosa jep një përshkrim të atyre ditëve dhe nënvizon se “kah Këshndellat na vjen lajmi i torturave të para bâ Dom Lazër Shantojës”.

Dom Lazri qe meshtari i parë i pushkatuar nga komunistët, pasi u torturua tmerrësisht dhe barbarisht. Ndër të tjera i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish i hodhën kripë e përsëri, nën tortura, me hekura të nxehtë “i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Trupin e tij të martirizuar e çuan të sakatuar në pushkatim”. Kur nëna që shkoi ta vizitonte, e pa në ato kushte, u tha policëve: “Ma vrisni... Bajeni këtë mirësi... E mos ma lini me vujtë kështu... Aman. Plumbin jua paguaj vetë!”.

Dëshmitarët tregojnë se me gjithë këtë kalvar, dom Lazri në burg dhe në tortura reagoi si nxënës i vërtetë i Krishtit. Askush nuk dëgjoi asnjë fjalë të keqe të dilte prej gojës së tij. E pushkatuan në Tiranë më 5 mars 1945, në moshën 53-vjeçare, pak më shumë se dy muaj pas arrestimit. Trupin e tij e hodhën në një gropë së bashku me kufomën e myslimanit 80 vjeç Sulço Bej Bushati. “Do t’i kujtoj gjithë jetën ata sy [të tij]”, thotë Xhemal Alimehmeti. Atë dhe Sulçon i hodhën si thasët në bodrum. Dom Lazrin e kishin futur në një thes nga i cili i dilte vetëm koka. Dhe prej asaj fytyre tashmë të deformuar, dilnin dy sy që nuk do t’i harroj për gjithë jetën”.

E derdhi gjakun e vet për të pohuar besnikërinë e tij ndaj Krishtit e ndaj Kishës dhe për të mirën e atdheut të vet. Gjaku i derdhur në hovin e dashurisë e bën të shkëlqejë si model të atij që në një dashuri të vetme ka ditur të bashkojë dashurinë për njeriun dhe dashurinë për Krishtin, Shëlbuesin e vet. Figura e këtij martiri gojëmbël lë te na jetë mbështetje dhe nxitje për të mos u ndalur në dobësitë tona, por për t’iu besuar Atij që nuk na braktis kurrë, Krishtit Zot.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Lazër Shantoja, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

01 gusht 2021, 14:39