Kërko

Vatican News
Perdono d’Assisi Perdono d’Assisi 

Ndjesa e Asizit: dhuratë kërkuar Zotit për çdo njeri

Më 1 e 2 gusht në Asizi kremtohet Solemniteti i Ndjesës. Besimtarët, që do të shkojnë në Porciunkola, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ose në çdo Kishë françekane të botës, mund të fitojnë Ndjesën e Plotë. Të gjitha kremtimet mund të ndiqen edhe përmes streaming. “Ndjesa është përqafimi i Atit për çdo bir”, shpjegon atë Francesco Piloni, Provincial i Fretërve të Vegjël të Umbries e Sardenjës.

R. SH. - Vatikan

“Të lutem, o Atë, që të gjithë ata të cilët, të penduar e të rrëfyer, do të vijnë të vizitojnë këtë kishë, të mund të fitojnë ndjesën e plotë e bujare  të të gjitha mëkateve”. Kërkesë guximtare kjo, që Françesku ia lypi Zotit, i cili iu duk një natë të vitit 1216, ndërsa ishte përhumbur në lutje, në Porciunkola, në atë kishë të vogël, që sot ka pamjen e një tabernakulli. Papritmas, siç  rrëfejnë burimet e kohës, u rrethua i tëri nga një fashë drite. Zoti ia dëgjoi lutjen e Françesku rendi menjëherë tek Papa Onori III, për të miratuar ndjesën e, më 2 gusht 1216, përballë një turme vigane, në praninë e ipeshkvijve të Umbries, shpalli Ndjesën e parë të Plotë. E i tha turmës, që ishte mbledhur e po e dëgjonte: “Vëllezër, dua t’ju çoj të gjithë në Parriz, ndaj po ju kumtoj  hirin, që  e mora nga goja e Atit të Shenjtë”.

Falja e plotë e mëkateve

Kështu, në atë ditë të largët e të valë vere lindte thesari i Porciunkolës, Ndjesa e plotë, që mund të kërkohet për vete e edhe për të vdekurit. Për ta merituar, duhet të  rrëfehesh, të marrësh pjesë në meshë, të kungohesh e, gjatë vizitës, të thuash Besojmën e Atynën. Së fundi, edhe lutjen sipas ndjeteve të Papës e për Papën.

Nga ora 12 e 1 gushtit, deri në orën 24 të datës 2, në të gjitha kishat famullitare e në ato françeskane, të përhapura në botën mbarë, mund të fitohet kjo ndjesë plot hire për çdo njeri.

Në përfundim të një Triditëshi përgatitor, sot, në orën 11,00, u hap Solemniteti i Ndjesës. Eprori i përgjithshëm i fretërve të vegjël kryesoi Procesionin  e “hapjes së Ndjesës”: e nga ky çast, deri  në orën 24 të së hënës, Ndjesa e Plotë  do të shtrihet mbi të gjitha kishat françekane.

Më 2 gusht do të mund të ndiqen meshë njëra pas tjetrës. Në orën 11.30 kardinali Mario Piacenza, kryependestar pranë Gjykatës së Pendestarisë Apostolike, do të kremtojë Meshën solemne: në orën 14.30 do të nisë hyrja në Porciunkola e të rinjve “Rahamim”, “Nën shenjën e mëshirës”. Në orën 19.00, mbrëmësoret e dyta të solemnitetit të Ndjesës, kryesuar nga provinciali i Fretërve të Vegjël të Umbries e Sardenjës, atë Francesco Piloni. Në orën 20, mbrëmësorja e të rinjve.

Ngjarjet kryesore të kësaj feste të madhe e të jashtëzakonshme mund të ndiqen drejtpërdrejt në WebTV-në e Porciunkolës, përmes App “Frati Assisi” si dhe në kanalet social “Frati Assisi”, Facebook e Youtube.

01 gusht 2021, 11:01