Kërko

San Domenico di Guzmán, Basilica di san Domenico a Bologna San Domenico di Guzmán, Basilica di san Domenico a Bologna

Bolonja nderon Shën Domenikun, 800 vjet pas vdekjes

Sot 4 gusht 2021, në orën 19.00, në Bazilikën e Shën Dedës, në Bolonjë, kremtohet Mesha e kryesuar nga kardinali Zuppi. Një letër e Themeluesit të Urdhërit të Domenikanëve dhe e pasardhësve të tij, përshkon gjithë historinë e Kapitujve gjatë tetë shekujve

R.SH. - Vatikan

Shën Domeniku Guzman (1170-1221) - i njohur ndër shqiptarë me emrin Shën Deda - emër tejet i përhapur ndër shqiptarë - ishte predikatar i vërtetë i hirit në Evropën e kohës së tij, në shekullin XIII” -  kështu, me pak penelata, e pikturon Papa Françesku, në një letër shkruar në 800- vjetorin e kalimit të Shenjtit në amshim.

Bolonja në festë

Eukaristinë e 4 gushtit 2021, në Bazilikën që mban emrin e Shenjtit në Bolonjë, ku pushon në paqe trupi i tij, do ta kremtojë, në orën 19.00, kardinali kryeipeshkëv i Bolonjës, Matteo Maria Zuppi. Rreth Hirësisë së Tij do të  mblidhet Familja rregulltare domenikane, me në krye Mjeshtrin aktual të Urdhërit të Predikatarëve, filipinasin fra Gerard Francisco Timoner III.

Mbi gjurmët e Shën Dedës

Të enjten, më 5 gusht, në orën 20.45, gjithnjë në Bolonjë,  parashikohet një procesion me qirinj ndezur. Gjatë ecjes në viset më simbolike bolonjeze, ku shkeli fra Domeniku, do të mbartet me procesion edhe relikja e Shenjtit.

Ndërsa mbrëmë, në orën 19.00, kardinali i Bolonjës, Zuppi, kryesoi Mbrëmësoret solemne në Bazilikën patriarkale  të  vëllezërve predikatarë.

Përkujtim i 800- vjetorit të kapitujve të përgjithshëm  të Urdhërit

Në këtë atmosferë domenikanët po kujtojnë një etapë simbolike të historisë së tyre shumëshekullore në gjirin e Kishës katolike: 800 vjetorin e kapitujve të përgjithshëm të Urdhërit, më 1220 e 1221, kryesuar pikërisht nga Shën Domeniku.

Një Letër, drejtuar 5 mijë domenikanëve

 E mjeshtri aktual i Urdhërit, Gerard Francisco Timoner III, i 88-ti pasardhës i Shenjtit spanjoll, deshi ta kremtojë këtë përvjetor kaq simbolik  me botimin e një letre, drejtuar rreth 5 mijë domenikanëve, të përhapur në mbarë botën. Tekst origjinal, i publikuar më 13 majin e kaluar, me rastin e Solemnitetit të të Ngjiturit të Zotit në qiell, nënshkruar së bashku me paraardhësit e viteve të fundit, që ndoqën njëri-tjetrin në krye të Urdhërit: me anglezin Timothy Radcliffe, argjentinasin Carlos Azipiroz Costa, sot kryeipeshkëv i Bahia Blanca(Argjntinë) dhe francezin Bruno Cadoré.

Në këto faqe vlerësohet lart demokracia në votimet kapitullare, kujtohen marrëdhëniet vëllazërore të fretërve në çdo çast e veprimtari të jetës, varfëria ungjillore, jeta e bazuar mbi lypësinë, e, sidomos, misioni. Theksohet me forcë, edhe e sidomos, “modeli kushtetues” për kremtimin e  kapitujve. Në këto faqe  mund të gjejmë të sintetizuar gjithë historinë e këtij urdhëri të famshëm, që lindi e veproi paralelisht e  në marrëdhënie të ngushta vëllazërore me Urdhërin tjetër të mirënjohur, atë të Françeskanëve, e edhe fragmente  lidhur me mendimet profetike të Fra Domenikut e të mendimtarëve të mëdhenj, si Toma i Akuinit e Marie Dominiq Chenu, që i dhanë nder e lavdi  kësaj familjeje rregulltare. E që vijojnë të na kujtojnë edhe sot, “sesi Shpirti Shenjt u duk mbi çdo frat e mbi gjithë Urdhërin”.

Letra, e shkruar me “tetë duar” nga mjeshtrat e fundit të Urdhërit, nuk harron aspektet më të veçanta, ADN-në e fretërve të veshur me zhgunat bardh e zi:  vlerën e predikimit si dhe të mësimit të teologjisë.

Tetë shekujt e historisë e të jetës kapitullare të fretërve predikatarë mund të përmblidhen në një frazë të vetme të Shën Albertit të Madh: “Kërkuan të vërtetën, në harmoninë e këndshme të jetës vëllazërore”.

04 gusht 2021, 11:21