Kërko

 La messa presieduta da padre generale Arturo Sosa La messa presieduta da padre generale Arturo Sosa

At Arturo Sosa hap Vitin Jubilar Injacian nё Manresa

Në Manresa, Spanjë, Eprori i Përgjithshëm i Jezuitëve, at Sosa hapi mё 31 korrik, festë liturgjike e Shën Injacit të Lojolës, Vitin Jubilar Injacian, duke përuruar veprimtaritë e kremtimet jubilare qё do të mbyllen në Loyola më 31 korrik 2022. Tema e zgjedhur për këtë Jubile është "T’i shohësh të reja tё gjitha gjërat në Krishtin".

R.SH. - Vatikan

Në Manresa, Spanjë, Eprori i Përgjithshëm i Jezuitëve At Arturo Sosa hapi vitin jubilar Injacian. Viti Injacian filloi mё 31 korrik 2021 e do të mbyllet në Loyola më 31 korrik 2022. Tema e zgjedhur për këtë Jubile është "T’i shohësh të reja tё gjitha gjërat në Krishtin".

Dera e Vitit Jubilar Injacian u hap, të shtunën e kaluar pasdite, mё 31 korrik, festë liturgjike e Shën Injacit të Lojolës, nga Epror i Përgjithshëm i jezuitëve, venezueliani At Arturo Sosa, në qytetin Manresa (Catalunya), duke përuruan, kёshtu, veprimtaritë e kremtimet përkujtimore tё Vitit Jubilar kushtuar themeluesit të Shoqërisë së Jezusit, i cili vdiq në Romë më 31 korrik 1556.

Në fakt këto janë kremtime të veçanta në këtë 2021 sepse jezuitët përkujtojnë 500-vjetorin e konvertimit të Injacit pas plagës gjatë betejës në Pamplona, ​​e cila ndodhi më 20 maj 1521, çast që shënoi kthimin e tij në shtegtar, në kërkim të Zotit dhe fillimin udhës sё kthimit tё tij në fe. 

E nё Manresa, afёr  Barcelonës, gjendet Shpella ku, themeluesi i Jezuitëve, Shën Injaci kaloi një stinë, duke medituar e shkruar versionin e parë të Ushtrimeve të tij të famshme Shpirtërore. Shën Injacit mbërriti nё Manresa për të kaluar disa ditë dhe qëndroi njëmbëdhjetë muaj, kjo kohë qe vendimtare për jetën e tij dhe të Kishës, me themelimin e një urdhri rregulltar që sot ka më shumë se 15.000 jezuitë.

Me kalimin e viteve, Shpella e thjeshtë e Mabresёs u bë Shenjtërore dhe ndërtesa më monumentale e më e njohur e qytetit. Shenjtërorja Shpellё e Shёn Injacit në Manresa, ngritur mbi shkëmbin origjinal, është imponuese e padyshim vendi Injacian par excellence, si dhe një nga pikat e referimit  për jezuitët e mbarё botёs.

Kujtojmë se Injaci lindi në Vendet Baske e pikërisht në Azpeitia në vitin 1491. Në moshën 14 vjeçare zgjodhi karrierën ushtarake. Pas një lufte të rreptë shpirtërore, natën ndërmjet 24 e 25 marsit 1522, vendosi t’i kushtohej plotësisht Zotit, duke braktisur të gjitha rrugët tjera, që kishte provuar në moshën e ëndrrave. Vdiq në Romë më 31 korrik 1556, pasi kishte themeluar Urdhërin e Jezuitëve.

Spiritualiteti Injacian

"Shumë tipare të Jezuitëve dhe të asaj që ne njohim sot si spiritualiteti Injacian burojnë nga Manresa", shpjegoi Gjenerali Jezuitëve at Arturo Sosa. Prandaj "në zemrën e këtij Viti Injacian edhe ne duhet të ndjejmë  se Zoti na thërret, ta lejojmë të punojë për kthimin tonë, të frymëzuar nga eksperienca personale e Injacit".

Injaci në Manresa fitoi një njohuri të madhe dhe ndjenja shumë të gjalla rreth mistereve hyjnorë dhe Kishës. Nё Manresa Injaci përjetoi njё shndërrim tё thellë në shpirtin dhe sjelljen e tij: Prandaj, Iñigo (Injaci), nga një njeri thellësisht shpirteror, bëhet njeri apostolik. Imitimi i Jezusit shndërrohet në një "ndjekje" të Krishtit të pranishëm në Kishën militante. Mbretëria e Krishtit është Kisha, në të cilën janë tё përmbledhura të gjitha misteret e tjera. Krishti bëhet për të "Mbreti i gjallë dhe aktiv, i cili nuk e ka përfunduar ende misionin që i është besuar nga Ati për të pushtuar të gjithë botën.

Një profil i shkurtër njerëzor i shën Injacit

Vetë Injaci tregon për jetën e tij. Ai besonte se përvoja e lidhjes së tij me Jezusin do të mund të na ndihmonte. I lindur më 1491 në një vend bask shumë katolik, si fisnik që ishte, përgatitej për karrierën ushtarake. Ndonëse ishte krenar për përkatësinë e tij fetare, nuk mund të themi se e jetonte në mënyrë të krishterë rininë e vet. Në muajin e majit 1521, me një trupë spanjolle pak të arsyeshme, sepse të paguar keq, mbronte qytezën e Pamplonës kundër një armate franko-navarreze. Pasi u godit ndër këmbë nga një predhë topi, u mbart në kështjellën ku kishte lindur. U detyrua t'i shtrohej disa operacioneve, tortura të vërteta, që e lanë të çalë dhe, për muaj të tërë, vetëm fill me mendimet e veta: ndërsa mërzitej, por edhe ëndërronte, në dhomën (sot restauruar shumë mirë), ku dergjej, në pritje të shërimit, para syve të tij u shfaq një rrugë e re.

Në se je në gjendje të dallosh në shpirt çka vjen nga djalli nga ajo që vjen nga Zoti, kur mendon për projektet e frymëzuara nga Hyji, e ndjen veten të gëzuar e të kënaqur. Kështu i ngjau Injacit. Në zemër të këtij dallimi ishte e njëjta trimëri, me të cilën mbrojti Pamplonën me njëmijë ushtarë spanjollë kundra 13 mijë franko-navarrezëve - il magis - kërkimi i së mirës më të madhe. Por tashti heroizmi i duhej për të vënë në jetë planet e Hyjit, në shërbim të të cilave ai e ndjen veten më të gëzuar, më të hareshëm.

Tani e tutje, e deri në fund të fundit të jetës së vet, Injaci nuk njeh pasion tjetër, veç atij të shqyrtimit, të dallimit të vullnetit të Zotit në gjithçka, për t'u impenjuar në zbatimin e këtij vullneti me gjithë zemër. Injaci ka një kauzë tё vetme: kauzën e Zotit: ai është luftëtar i Zotit, ai lufton për Zotin. Për të gjithçka përfundon në Zotin, sepse gjithçka vjen nga Zoti e te Zoti duhet të kthehet. Lutjet e tija e dëshirat e tija, kundrimi e veprimtaria: gjithë jeta, përqendrohet mistikisht në shërbimin sa më të madh ndaj Zotit, duke zgjedhur kështu gjithnjë rrugët që dëshiron Zoti. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet jeta e Shën Injacit me shqetësimet e të papriturat e saja.

Kjo mistikë shërbimi nuk jetohet kurrsesi në marrëdhënie zotëri-skllav, por, siç thotë edhe vetë Injaci, "në një bisedë pa fund plot dashuri me një Zot që është bërë miku im". Dy janë ngjarjet që hedhin dritë mbi këtë përshpirtëri. Në shkurtin e 1522-së Injaci lë shtëpinë atërore, për t'u nisur drejt Jerusalemit si shtegtar pendestar. Gjatë kalimit nëpër Manrezë, pranë Barcelonës, spastron thellësisht jetën e vet, duke hyrë deri në skajet më të fshehta, me qëllim që gjithçka të jetë në përkim me vullnetin e Zotit. Ai vë në pikëpyetje gjithçka, me përjashtim të bindjes se Zoti e don në Tokën Shenjte për vijimin e misionit të Jezusit. Në muajin shtator të 1523 gjendet në Qytetin Shenjt - Jerusalem, për të kuptuar se Kisha nuk don që ai të rrijë në Palestinë. Nuk është ky vullneti i Zotit. Injaci përulet me përvujtëri plot dashuri dhe, ndonëse në moshë të pjekur, fillon të studiojë, sepse është pikërisht kjo që Zoti kërkon prej tij. Pasojë e këtij nënshtrimi do të ishte themelimi i Shoqërisë së Jezusit që, sërish, e deri në hollësira, do të jetë më shumë plan i Hyjit se sa ide e Injacit.

Ja edhe ngjarja e dytë: Injaci ëndërron një grup njerëzish, dërguar nga Ati i Shenjtë nga pak kudo në botë për mision. Vetëm kaq. Nuk sheh në ëndërr as universitete e as kolegje. Tetë vjet para se të vdiste, më 1556, Zoti, për të mirën e Kishës së tij, që ndodhej në rrezik të madh, zbulon se shoqëria e vogël e aspak të përgatitur për ketë mision, duhet t'i kushtohej edukimit të rinisë. Por Injaci as këtë radhë nuk zmbrapset dhe i qëndron besnik gëzimit të jetës së tij, provuar në shtratin e sëmundjes në Lojolë, që e siguron se Zoti e ka pëlqyer dhe e ka zgjedhur si shërbëtor të misionit të Krishtit, gjë që duhet ta shtyjë secilin prej nesh të zbulojë, ashtu si Injaci " atë që i pëlqen Mirësisë së amshuar hyjnore" 

Programi i Vitit Injacian 

“Nga Pamplona në Romë, në gjurmët e Shën Injacit”: kështu quhet, ndërkaq, itinerari i planifikuar në Romë. Një mundësi për të eksperimentuar udhën e kthimit të shën Injacit në fe. Ndër nismat e tjera, lutja për t’ia besuar Zotit udhën e Shoqërisë së Jezusit, në përvjetorin e ditës kur shën Injaci fillon të shërohet dhe i largohet rreziku i vdekjes nga plaga. Pastaj, më 12 mars 2022, në përvjetorin e kanonizimit të Shën Injacit dhe të Shën Françesk Saverit, është planifikuar një shtegtim në zonën “La Storta” të Romës, ku ndodhet kapela, në të cilën Krishti iu duk Shën Injacit, duke e ftuar t’i shërbejë. Viti Injacian do të mbyllet më 31 korrik 2022, me një meshë në kishën e Jezusit në Romë, në solemnitetin e Shën Injacit.

Jezuitët ndër shqiptarë

Interesante, përfshirja e Shqipërisë në programin e Vitit Injacian. Aktualisht, në vend, shërbejnë 9 jezuitë, në kishën e Zemrës së Krishtit në Tiranë, në Qendrën e Mikpritjes “Anton Luli” në Vaqarr dhe në seminarin ndërdioqezan e në gjimnazin “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër. Kanë edhe librarinë “Genizah” dhe shtëpinë botuese “Ylber” në Tiranë. Ndërsa në Kosovë, vepron për formimin e brezave të rinj, gjimnazi “Loyola” në periferi të Prizrenit, i cili u themelua nga jezuitёt, po aktualisht nuk drejtohet mё prej nga ata. Ndër shqiptarë, urdhri i jezuitëve është i pranishëm që nga gjysma e shekullit XIX.

Më 1877, etërit jezuitë themeluan Kolegjin Saverian, ku kanë studiuar aradhe nxënësish, që dhanë një kontribut të shquar në ndërtimin e Shqipërisë moderne. Jezuitët janë të njohur për misionet shëtitëse në veri për pajtimin e gjaqeve, për kontributin në fushën kulturore dhe artistike, me grupet muzikore dhe teatrale, revistat e shtypshkronjën “Zoja e Papërlyer”.

Puna e tyre, ashtu si ajo e bashkësive të tjera rregulltare, shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën fetare, kulturore e arsimore ndër shqiptarë, derisa u ndërpre nga komunizmi, për të rifilluar sërish pas rënies së tij. Ndër 38 të Lumët e parë të martirizuar nga komunistët, bëjnë pjesë edhe tre jezuitë: atë Daniel Dajani, atë Gjovani Fausti dhe vëlla Gjon Pantalia. Gjatë verës, jezuitët kanë organizuar gjithnjë kampe verore në zona të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim edukimin e të rinjve, por edhe realizimin e së paku një projekti, që ndihmon banorët vendas dhe zgjidh ndonjë problem të territorit. Edhe gjatë Vitit Injacian, të rinjtë do të vijnë sërish në kampet verore në Shqipëri, të cilat u ndalën, për shkak të pandemisë.

Viti Injacian nëpër botë

Në gjithë botën, projektet e Vitit Injacian janë të shumta. E pamundur, të përmenden të gjitha, por mund të japim disa shembuj. Në Gjermani, do të paraqitet një dokumentar shumëgjuhësh për shën Injacin dhe përshpirtërinë e tij, me titull “Injaci, ai që kërkoi Zotin”. Në Amerikën e Veriut, ёshtё nё program një nismë me tregime të shkurtra injaciane, titulluar “Kompania e Shtegtarëve”. Në Marsejë të Francës, po organizohet një takim i madh i familjes injaciane për nëntorin e vitit 2021. Në Hungari, po përgatitet një lojë tryeze në shumë gjuhë, për të mësuar historinë e jezuitëve, duke u argëtuar. Në Amerikën Latine, janë në përfundim e sipër një seri prej 31 udhëzuesish për lutje, që përmbajnë kapsula audio-vizive për t’u përhapur në mediat shoqërore. Çdo dy muaj, do të ketë një lutje të përbashkët në internet për gjithë Amerikën Latine. Konferenca Afrikane ka nё program një konkurs fotografik për jezuitët e rinj, me synimin për të vënë në pah aspektet e ndryshme të misionit të Shoqërisë së Jezusit në Afrikë dhe në Madagaskar. Familja CVX-CLC, lëvizja laike injaciane, organizoi një takim botëror të të rinjve në korrikun e kaluar, me temën e Vitit Injacian.

Ku mund të gjendet informacioni

Lajmet dhe projektet kryesore për Vitin Injacian mund të gjenden në faqen botërore të internetit “ignatius500.global”. Mund të konsultohet edhe libri i Eprorit të përgjithshëm të jezuitëve “Në udhë me shën Injacin”, shkruar fillimisht në spanjisht dhe i përkthyer në anglisht, portugalisht, frëngjisht, italisht, polonisht, holandisht, tamil, në gjuhën vietnameze dhe arabe; Projekti Cannonball, një seri videosh ku njerëzit tregojnë për kthimin e tyre në fe; video të veçanta për shkollat e mesme mbi jetën dhe ndikimin e Shën Injacit, në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht; një aplikacion smartphone për të vizituar vendet injaciane, që do të paraqitet në vitin 2022.

 

Lutja e Vitit Injacian

 

Zot i dashurisë,

Vijmë përpara Teje për të kërkuar hirin Tënd të veçantë në këtë vit ku kujtojmë

Kthimin e Shën Injacit.

Kujtojmë betejën në Pamplona, guximin e Injacit, trimërinë e tij,

aftësinë e tij për t’u lidhur me shokët.

Kujtojmë plagën e tij, ëndrrat e prera, dështimin e tij në dukje;

Vulnerabilitetin e shëndetit të tij, kthimin e tij në Lojola e ditët e gjata të kërkimit

shpirtëror për të gjetur rrugën e tij në jetë, duke ta besuar, më në fund, jetën e tij Ty ndërsa dëgjonte zërin Tënd që i fliste përmes leximeve të tij;

ëndrrat e tij, lutjet e tij, imagjinatën e tij.

Kujtojmë udhëtimin e tij në Manresa; betejat e tij të brendshme, dëshirën e tij që

të arrinte tek të tjerët për t’ua shëruar shpirtin, për të zbuluar ngushëllimin në Birin Tënd të ringjallur

Të kërkojmë, o Zot, të ripërtërish, edhe sot, në ne shpirtin e Injacit.

Që të mund të ngjasojmë në besimin e tij të plotë në Shpirtin Shenjt, duke ndjekur

besnikërisht, pa kaluar para e pa mbetur pas.

Që të mund të bëjmë tonën aftësinë e tij të shoshitjes; guximin e tij;

vulnerabilitetin e tij; kërkimin e tij të shoqërisë; hapjen ndaj të rinjve e

dëshirën për të bashkëndarë me ta dijen e tij.

Që të mund të mësojmë nga guximi i tij për të shkuar përpara, edhe nëse ndonjëherë

do të thotë të gabosh.

Bëj, o Zot, të digjemi me zellin e tij apostolik e të jemi plot

me dashuri për këtë botë të bukur, por të plagosur.

Na ndihmo, o Zot, të largohemi nga shikimet tona të kufizuara, nga idetë tona

paragjykuese për veten, për të tjerët, për botën tonë,

e të shohim gjithçka me sy të rinj.

Na ndihmo të jetojmë gjithnjë e më thellësisht përshpirtërinë injaciane

Për të parë të re gjithçka në Krishtin, për të parë hirin Tënd në veprim,

edhe në errësirë e në vuajtje.

Ky Vit Injacian na ndihmoftë të njohim më qartësisht Jezusin,

të varfër e të përvuajtur, të duam më vëllazërisht e ta ndjekim më nga afër.

Kërkojmë ndërmjetësimin e Zojës Sonë të Rrugës. Na ndihmo

të ecim me Birin Tënd, Jezus, duke vënë dorën tonë në të Tijën;

duke dalë në botë çdo ditë me një botëkuptim aventure, dashurie e shprese.

Amen.

(Lutja e Vitit Injacia nga Famullia Zemra e Krishtit - Tirane)

03 gusht 2021, 10:52