Kërko

Vatican News

“Takim me martirët”: i Lumi Josif Papamihali, martir

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 12-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit  Josif Papamihali apo Sifi, të cilin të gjithë e kujtojnë si një meshtar të përmbajtur, shumë të devotshëm dhe të zellshëm.

“Lulja më e bukur e Elbasanit” pati shkruar për Josif Papamihalin apo Sifin, në vitin 1933 delegati apostolik imzot Della Pietra. Kur fliste dukej si një plak i urtë. Atë Josifi nga torturat në burgje dhe kampe të punës, ishte dobësuar aq shumë sa nuk mundte më. Komunistët e detyronin të qëndronte pa ngrënë derisa ta mbaronte punën e caktuar prej tyre. Për këtë arsye e linin jashtë në oborr deri në mesnatë. Pak javë para vdekjes i kishte mbushur 36 vjeç. Po më tepër mbi figurën dhe shembullin  e të Lumit Josif Papamihali, ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Mbi figurën dhe shembullin e të Lumit Josif Papamihali, ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

N. 12 I Lumi Josif Papamihalin apo Sifin

Të gjithë e kujtojnë si një meshtar të përmbajtur, shumë të devotshëm dhe të zellshëm. Kur fliste dukej si një plak i urtë.

I Lumi Josif Papamihali

“Lulja më e bukur e Elbasanit” pati shkruar për Josif Papamihalin apo Sifin, në vitin 1933 delegati apostolik imzot Della Pietra. E kjo lule më e bukur që do të rritej e të flijohej në vitin 1948, e këputur prej Virgjërës Mari, e dashur dhe e lutur në mbarë Shqipërinë si Nëna e Këshillit të Mirë, iu dhurua Zotit për të lëshuar erën e vet të mirë në qiell e në mbarë tokën.

Josifi, i quajtur Sifi, djali i ortodoksëve Avi dhe Evimia, lindi më 23 shtator 1912 në Elbasan, qytet i cili më 1939 do të bëhej pjesë e Administraturës Apostolike të Jugut. Lindi e u rrit në një familje të vjetër të lagjes Kala. Mësuesja e parë e tij qe e ëma, prej së cilës mori kulturën dhe fenë. Ende fëmijë, rreth moshës 10-vjeçare takohet në Elbasan me arkimandritin atë Pietro Scarpelli i Heparkisë së Lungros. Bisedat shpirtërore me arkimandritin qenë të ngrohta e në një nga këto takime ai i tregoi katekizmin e shën Piut X. Josifi e lexoi me interes të madh dhe Zoti nëpërmjet arkimandritit ia shfaqi projektin dhe e thirri që të bëhej në të ardhmen mbarështuesi i tij.

Në vitin 1923 Josifi ende 11 vjeç hyn në seminar në Grotaferrata afër Romës, bashkë me 3 djem të tjerë nga Elbasani: Vasil Papamihalin, Kostantin Dodë Bibën dhe Dhimitër Gjufkën. Një fëmijë i ëmbël, i butë, shumë i ndjeshëm, i përkushtuar me dashuri ndaj devocionit dhe studimit e me një inteligjencë të mirë. Janë këto karakteristikat që rezultojnë nga regjistri i seminarit. Kur ishte 12 vjeç humbi të atin, por kjo nuk e lëkundi thirrjen e tij kishtare.

Në moshën 18 vjeç kalon në kolegjin e “Shën Atanasit” në Romë, ku përfundon kursin filozofik teologjik. Në këtë kishë shugurohet meshtar nga ipeshkvi arbëresh i Lungros më 1 dhjetor 1935. Nuk kthehet menjëherë në Shqipëri, pasi dërgohet për një periudhë 6-mujore në Lungro. Besimtarët atje e duan kaq shumë, saqë, kur marrin vesh se po bëhej gati të nisej për në Shqipëri, i shkruajnë Prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore në Romë duke i kërkuar të shtyhej nisja e tij. Ja si shkruajnë ata: Ju bëjmë thirrje që të na e lini edhe për pak kohë, meqë e mira që ka bërë dhe që po bën në këtë vend është me të vërtetë e pallogaritshme. Kurrë si tani kisha e Lungros nuk ka qenë e mbushur plot si tani.

Në dhjetor 1936 kthehet në Shqipëri dhe qëndroi në Elbasan për një vit e tre muaj. Më 1938 transferohet në Berat, prej ku shërbeu edhe në Lushnje, Elbasan dhe Pogradec. Në janar 1946 transferohet në Korçë, ku do të qëndrojë deri në momentin e arrestimit. Për veprimtarinë e tij të palodhur flet edhe delegati apostolik imzot Nigris. “Të gjithë e kujtojnë si një meshtar të përmbajtur, shumë të devotshëm dhe të zellshëm. Kur fliste, dukej si një plak i urtë.” Sipas dëshmisë të motër Pasqua Barcia-s kishte një devocion plot besim dhe të ëmbël ndaj Nënës së Zotit dhe motrave u thoshte: “Lutjuni Zojës! Ajo është nëna që ju çon në rrugën e drejtë për të qenë më pranë Zotit.”

Përshpirtërinë që ai jetonte në nivel personal, ua mësonte në mënyrë shembullore edhe të tjerëve. Pasi filloi stuhia komuniste, i ftonte të gjithë që të ishin të lumtur e të qetë duke e lënë veten në duart e vullnesës së Zotit. U arrestua në Korçë më 31 tetor 1946. Ishte 34 vjeç. Atë Zef Pllumi dëshmon për sjelljen e tij shembullore në burg që ia kishte treguar një prift ortodoks, atë Anastazi, i cili e konsideronte si një idhull. Thotë: “Ushqimin që i sillnin, e ndante me të tjerët. Ishte i qëndrueshëm dhe i fortë në fe. Një shenjt i vërtetë”. Një herë, ndërsa po lutej në qeli, Agap Papajani, kushëriri i të kunatit, e pyeti: “Çfarë po bën? Iu përgjigj – “Po lutem për këta [përndjekësit] që Zoti t’i falë për të gjitha këto gjëra që po na bëjnë.” Bindja e fortë se po vuante për Krishtin dhe për Kishën e Tij, e mbushi me hirin e shpallur prej Zotit në Malin e Lumturive: “Të Lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

Në burg dhe në hetuesi nuk iu kursye asnjë torturë. Një prej poshtërimeve që i bënin ishte ky: e detyronin ta përdorte enën në të cilën hante edhe për nevojat e tij higjienike. Siç thoshte një i burgosur: “Çdo gjë do ta kisha menduar, por asnjëherë nuk do të më kishte shkuar ndërmend se një shqiptar do t’ia bënte këtë një shqiptarit tjetër.” Një i burgosur me të, Sezai Garo, thotë: “Atë Josifi, arrestuar vetëm se ishte prift, torturohej shpesh… E kanë lidhur me duar lart dhe e kanë torturuar për 24 orë derisa i ka rënë të fikët. Zgjodhi të vuante e të vdiste vetëm për t’i qëndruar besnik meshtarisë së vet.”

Gjyqi që u mbajt në Korçë nga Gjykata Ushtarake më 5 gusht 1947, e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar. E dërguan në punë të detyruar për tharjen e kënetës së Maliqit, ku ishin rreth 1400 të burgosur. Atë Giacomo Gardini dhe atë Anton Luli që gjendeshin po në burgun e Maliqit, dëshmojnë për Papa Josifin si njeri guximtar dhe heroik. Po atë Zef Pllumi na sjell dëshminë e vdekjes së tij treguar nga atë Anastazi: “Gjatë orarit të punës, për shkak të lodhjes së stërmadhe, ra në baltën e kanalit. Përgjegjësit e burgut dhanë urdhër që aty, në kanal, ta mbulonin me baltë dhe kështu, duke mos pasur mundësi për të marrë frymë, vdiq”.

Siç ka treguar edhe një shok i tij i qelisë më 11 në gusht të vitit 1948, atë Josifi ishte dobësuar aq shumë sa nuk mundte më. Për më tepër komunistët e detyronin të qëndronte pa ngrënë derisa ta mbaronte punën e caktuar prej tyre. Për këtë arsye e linin jashtë në oborr deri në mesnatë. Pak javë para vdekjes i kishte mbushur 36 vjeç.

Nëna e vet nuk arriti ta shohë apo ta varrosë, por sigurisht asaj ndër vite do t’i jetë kujtuar çfarë i kishte shkruar 10 vjet përpara rektori i Grotafferatës: Zoti do ta bekojë shumë e nderuara zonjë dhe ju vetë do të jeni krenare që keni një djalë që do të jetë nderi juaj dhe bekimi i familjes suaj.  Fjalë profetike që Sifi as në jetë dhe as deri në flijimin e tij nuk i ka përgënjeshtruar. E kështu në vitin 1994 arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Frano Illia, dëshmon: “Qe meshtar shumë i mirë; i përshpirtshëm dhe i zellshëm… I ëmbël dhe i dashur në mënyrë të jashtëzakonshme. Martir i vërtetë i fesë.”

Dhe Elbasani, Berati e Korça mund të mburren sot me këtë “lule të bukur” që nga qielli vazhdon ta dërgojë erën e këndshme të fesë për të gjithë ata që presin takimin me Atin qiellor, nga ku atë Sifi ndërmjetëson për të gjitha hiret që ata e çdokush kanë më shumë nevojë.

 

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin At Josif Papamihali, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit

 

 

18 korrik 2021, 08:59