Kërko

Vatican News

“Takim me martirët”: i Lumi dom Ejёll Deda, martir

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 10-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Ejёll Deda , meshtar martir.

Dom Ejёll Deda ishte inteligjent dhe i zellshëm, studiues, i edukuar, korrekt dhe shumë i mirë, i dashur nga besimtarёt e qytetarёt. Prokurori Qemal Llazani i tha dom Ejëllit: Ti je prift katolik dhe si tillë je kundër marksizmit dhe kundër pushtetit të popullit. Dom Ejëlli iu përgjigj: Kundër pushtetit jo, kundër marksizmit po. Sepse marksizmi nuk ka fe, nuk ka atdhe dhe as moral. 

E arrestuan më 10 janar 1947 në 2 të natës dhe e burgosën në kuvendin françeskan në Gjuhadol tashmë i kthyer në burg. Në pritje të gjyqit u torturua në hetuesinë e Shkodrës për 11 muaj. E dënuan me 10 vjet burg. Fizikisht i lodhur nga torturat e pësuara bënë që shëndeti t’i dobësohej dita-ditës derisa e dha shpirtin në qelitë e burgut të Shkodrës.

Regjimi komunist e la të kalbej në Burgun e Madh të Shkodrës ku edhe vdiq. Ishte 31 vjeç, e siç ishte dëshira e tij për të vdekur për Krishtin, aty, ku vuanin edhe shumë meshtarë të tjerë, më 12 maj 1948, vdiq mes shokëve të vet të burgut e të vuajtjes. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

N. 10 I Lumi dom Ejëll Deda, martir

Meshtari i lumë, martiri dom Ejëll Deda, lindi në qytetin e Shkodrës më 22 shkurt 1917. Ende i vogël mbeti jetim nga babai. Edhe nëna i vdiq prej vuajtjeve përpara se ky të shugurohej meshtar. Por, megjithëkëtë, ai u rrit me ngrohtësinë e nënës dhe të gjyshes, të cilat e formuan që ta jetonte me të vërtetë në praktikë fenë e krishterë. Të gjithë jetën e tij e drejtoi lutja e përditshme e rruzares.

Klasat e para fillore i bëri në shkollën e lagjes Ballabane në Shkodër. Më pas, bashkë me disa të rinj të tjerë, filloi të studionte pranë famullitarit të Pulajt të Velipojës, të lumit dom Alfons Tracki me origjinë gjermane, ndërsa përgatitjet për meshtari i vazhdoi në Kolegjin Urban të Propaganda Fides në Romë. U vu re se ishte inteligjent dhe i zellshëm, studiues, i edukuar, korrekt dhe shumë i mirë. Prandaj në seminar pati detyrën e prefektit. I gjatë në trup, me flokë në ngjyrë gështenjë e fytyrë e hareshme, kishte një karakter të ekuilibruar, të fortë, të vendosur dhe guximtar. Edhe pse ishte shumë i përgatitur në aspektin kulturor, paraqitej i butë dhe i përvuajtur.

U shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në Kishën e Seminarit Papnor Shqiptar në Shkodër. Katër ditë më pas kremtoi meshën e parë solemne në katedralen e Shkodrës. Në fillim të majit 1943 Arqipeshkvi i Shkodrës e emëroi administrator të famullisë së Rranxave të Bushatit dhe pas pak kohe famullitar të asaj famullie. Shkruan Atë Zef Pllumi: “Sikur e kishte shenjue Zoti për atë vend. Mbrenda pak kohe, me karakterin e tij të buzëqeshun e miqsor, u bâ boshti i gjithë jetës së atij fshati. Ai nuk pat në jetën e vet kurrnji keqdashës ose anmik. Vetëm për këtë e burgosi Partia Komuniste: për popullaritetin e tij”.

Dom Ejëll Deda ishte një meshtar gojëmbël, i qetë, me takt, i qeshur dhe gazmor. Dinte të këndonte bukur dhe i binte çiftelisë. Ishte aq i devotshëm dhe i butë, sa ipeshkvi, Imzot Zef Simoni, thotë: “Mbante erë shenjtërie”. Kur komunistët morën pushtetin, dom Ejëlli nuk u përzje politikë, por si famullitar nuk ngurronte të vinte në dukje parimet ogurzeza mbi të cilat bazohej regjimi i ri. Kur besimtarë të famullisë i thoshin të ruhej se meshtarë të tjerë ishin pushkatuar, dom Ejëlli iu përgjigjej: “Ta kem fatin e shokëve të mi martirë”.

Një dëshmitar, Nush Buzukja, tregon se si dom Ejëlli, duke parë situatën që përkeqësohej u thoshte: “Nëse nuk jam unë për t’ju pagëzuar fëmijët, pagëzojini vetë. Merreni ujin e bekuar dhe, nëse nuk e keni, pagëzojini me ujë pusi.”

Ashtu si për Jezusin edhe për dom Ejëllin erdhi ora e tij. E arrestuan më 10 janar 1947 në 2 të natës dhe e burgosën në kuvendin françeskan në Gjuhadol tashmë i kthyer në burg. Gjon Kolë Jakaj, që u arrestua po atë ditë, na jep një dëshmi të hollësishme: “Arritëm te kazerma e Bushatit e nën dritën e fenerit e njoha. Po ai, thashë me vete, çfarë ka bërë? Me siguri asgjë sikurse unë!!! Në pritje të gjyqit u torturua në hetuesinë e Shkodrës për 11 muaj.” Kujton edhe Gjon Jakaj: “Gjatë asaj periudhe, në fund të marsit, kur shkuam në nevojtore, pashë se aty ishte një derë e mbyllur. Pyeta kush ishte aty brenda. E njohu zërin tim dhe dëgjova: - O Gjon, jam unë dom Ejëlli. - Këtu? Gjallë? - I thashë. M’u përgjigj: - Po, jam gjallë por mjaft keq. Jam tash 5 ditë pa bukë e pa ujë, do doja ujë. [Kujtojmë se si edhe Jezusi tha kam etje] U ktheva në qelinë time, e mbusha tasin tim me gjysmë kos e gjysmë ujë dhe ia çova, duke ia vënë mbi murin ndarës të nevojtores. Ditën e katërt kur shkova nuk e gjeta më aty. Nuk e pashë më deri më 26 nëntor kur na çuan në gjyq. Gjyqi nuk ishte gjë tjetër veçse një teatër për të na dënuar. Prokurori Qemal Llazani i tha dom Ejëllit: Ti je prift katolik dhe si tillë je kundër marksizmit dhe kundër pushtetit të popullit. Dom Ejëlli iu përgjigj: Kundër pushtetit jo, kundër marksizmit po. Sepse marksizmi nuk ka fe, nuk ka atdhe dhe as moral. E dënuan me 10 vjet burg. Fizikisht i lodhur nga torturat e pësuara bënë që shëndeti t’i dobësohej dita-ditës derisa e dha shpirtin në qelitë e burgut të Shkodrës.”  Siç dëshmon edhe Pashko Haxhari: “Ndihej krenar se po vdiste për Krishtin.”

Asllan Dan Shega, një mysliman i burgosur me të ka treguar: “Më kanë lidhur krah për krah me të e kështu na hidhnin në gropën e nevojtores. Dom Ejëlli lutej vazhdimisht dhe më jepte guxim duke më thënë: - Asllan, mos ki frikë dhe lutu edhe ti me lutjet e tua. Ndërsa ishte në infermieri i gjakosur dhe i shpërfytyruar, shërbyesja e infermierisë e dëgjon që e thërret dhe i thotë: Shuke, shiko në xhepin e veladonit, merre rruzaren dhe ma jep.” Dom Ejëlli, prej momentit të arrestimit u lëshua plotësisht në duart e Zotit. Qysh seminarist, pra pesë vjet para këtyre çasteve tragjike, në letrën dërguar të vëllait i shkruante: “Gjithçka është në duart e Zotit. Zoti e di atë që është e mirë dhe atë që është e keqe për ne, sepse ne i shikojmë gjërat prej këtu poshtë, ndërsa Ai i sheh ndryshe nga qielli.” Dhe i jep një shembull: “Herën e fundit që kam shkuar tek Mark Jaku kam takuar Çilen që po qëndiste. Nëse unë do ta kisha parë nga ana e prapme qëndisjen e Çiles, do ta kisha parë shumë të shëmtuar, por duke e parë nga ana e mbarë, ajo qëndisje ishte një mrekulli. Kështu është edhe nga ana e Zotit.”

Dom Ejëlli u la të kalbej në Burgun e Madh të Shkodrës ku edhe vdiq. Për fundin e tij Atë Zef Pllumi ka shkruar: “Aty kah gjysa e shkurtit ai filloi me ndigjue dhimbje në dhëmballë e mbasi dhimbjet nuk i pushuen për disa ditë, ai kërkoi dentistin. Por dentistin ia prunë vetëm pas dy-tri javësh që ai bërtiste ditë e natë prej dhimbjesh. Kur i hoqi dhëmballën atij i shpërtheu shumë gjak e nuk iu ndal. E dërguen në infermierinë e burgut. Na nuk e pamë mâ kurrë. Ishte 31 vjeç, e siç ishte dëshira e tij për të vdekur për Krishtin, aty, ku vuanin edhe shumë meshtarë të tjerë, më 12 maj 1948, një vit e katër muaj pas arrestimit, vdiq mes shokëve të vet të burgut e të vuajtjes.

Një besimtar i famullisë, kur mori vesh për vdekjen e tij, tha: “Na erdhi si engjëll dhe si i tillë iku.” E siç dëshmon Gjon Kolë Jakaj: “Dom Ejëlli si Bariu i mirë e udhëhoqi grigjën në kullota të begatshme të moralit dhe të fesë së krishterë.”

E ndërsa trupi i tij prehet në varrezat e Rrmajit në Shkodër, ai vazhdon ta bekojë çdonjërin prej nesh, duke ndërmjetësuar për ne te Krishti, Bariu i Mirë.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Ejëll Deda, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

04 korrik 2021, 09:29