Kërko

Cristiani perseguitati in M.O. Cristiani perseguitati in M.O.

Më 20 të çdo muaji, lutje për të krishterët e persekutuar

Mbushi shtatë vjet jete Komiteti 'Nazarat', që i fton të gjithë të luten për të persekutuarit më 20 të çdo muaji dhe mbledh oferta të caktuara për një mori projektesh.

R.SH. - Vatikan

Mbushi shtatë vjet, më 20 korrikun e kaluar, nisma e Komitetit 'Nazarat' për të krishterët e persektuar. Nazarat, si Nazaret. Sepse këtë kuptim ka  fjala “Nun” ("Peshk", simboli i peshkut është përdorur nga të krishterët e hershëm për të treguar Jezu Krishtin), që milicët e Daesh ua vulosnin mbi lëkurë të krishterëve, ndërsa pushtonin Rrafshin e Ninives. Vulosnin atë popullsi, që shumë shpejt u bë protagoniste e një heksodi të ri, këtë herë me pasoja shkatrrimtare. E lindur në Rimini, nisma po përhapet në të gjithë Italinë.

I prekur në shpirt nga jeta, që detyrohen të jetojnë të krishterët në viset e gjakosura të persekutimit, por edhe me bindjen se të gjitha persekutimet duhen  përballuar e, sidomos, duhen dënuar, një grup miqsh nisi të mblidhej në vitin 2014, duke themeluar Komitetin Nazarat. E më 20 të çdo muaji miqtë e të persekutuarve thonë lutje publike, për t’u treguar të gjithëve afërsinë me të krishterët e përndjekur. E quajnë këtë “të mbledhësh popullin për vëllezërit tanë”.

Çasti i lutjes u quajt “Thirrje njerëzore” dhe u vlerësua nga kardinali Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit;  nga kardinali Louis Raffael Sako, patriark i Babilonisë së Kaldejve si dhe nga Patriarku Siro-katolik i Antiokisë, Youssef Younan, për të kujtuar vetëm disa nga personalitetet e Kishës katolike.

Por jo vetëm kaq. Komiteti Nazarat mbledh edhe oferta të lira e me to, gjatë shtatë vjetëve, po realizon një mori projektesh, në bashkëpunim me nismën “Adoptoje një të krishterë të Lindjes së Mesme”, me “Azia News”,  “Adoptoje një familje të krishterë në Siri”, me “Horizontet” e deri me “Ndihmë për Kishën që Vuan”, “Familjen Katolike të Latinëve të Halebit” dhe “Kuvendin Françeskan  të Kthimit të Shën Palit”, në Damask.

Nisma e lutjes çdo 20 të muajit, thekson edhe një herë se lutja është mjeti më i fuqishëm, që ia ndryshon rrjedhën historisë. Nuk mund të rrish duarkryq, indiferent përballë shkatërrimit të një populli të krishterë që përherë - e shumë para Islamit - banoi në tokat e Rrafshit të Ninives, ku flet ende aramajken, gjuhën e lashtë të  vetë Krishtit!

E më 20 të çdo muaji, Komiteti Nazarat takohet në Rimini, në Sheshin e Tre Martirëve, ku thotë Rruzaren dhe më pas, edhe lutjen të Falemi Mbretëreshë. E jep edhe dëshmi martirizimi, ose lexon ndonjë fragment  që përshkruan situatën e persekutimit në botë. Takimi përfundon me një këngë e edhe me mbledhjen e ndonjë ndihme, që dhurohet nga ata, të cilët e ndjejnë thellë në shpirt persekutimin e sivëllezërve - sa të largët - aq edhe të afërt.

Nisma sot është e pranishme në Rimini, Çesenë, Bolonjë, Prato, Sienë, Peruxhia, Katolika (RN), Loreto, Forlì, Ravena, Udine, Kremona, Buska (CN), Milano, Andora (SV). Jashtë Italisë, në Damask (Siri), Erbil (Irak), Lugano, Josh (Nigeri), Haiti. E edhe 27 manastire të klauzurës i shoqërojnë lutësit e Riminit në të njëtën datë!

28 korrik 2021, 16:06