Kërko

Vatican News

Katër muaj më parë, Papa në Irak. Vepra e Lindjes dhe vendet në krizë

Katër muaj më parë, Papa realizoi udhëtimin e tij historik në Irak. Vepra e Lindjes, themeluar më 1856, është një nga organizmat, që mbështet projektet për vendet në vështirësi, në zonën e Gjirit Persik

R.SH. - Vatikan

Vepra e Lindjes, në shërbim të të krishterëve lindorë që nga viti 1856, është shoqatë kishtare franceze, nën udhëheqjen e kryeipeshkvit të Parisit, që ndihmon  Kishat Lindore historike, kryesisht vendet në krizë, ku të krishterët janë pakicë: Irak, Siri, Izrael, Palestinë, Liban, Ukrainë, Qipro, Armeni, Etiopi, Eritre, Indi. Në to, fenomenet e diskriminimit janë të shpeshta, në shumë fusha, si ajo kushtetuese, legjislative, gjyqësore, administrative dhe profesionale. Vepra e Lindjes është e vetmja shoqatë franceze, që i kushtohet krejtësisht ndihmës për të krishterët lindorë, falë rreth 100 mijë donatorëve të saj. Tre, misionet që kryen: edukimi, promovimi shoqëror dhe veprimtaria baritore kishtare në 22 vende, që shtrihen deri në Bririn e Afrikës e në Evropën Lindore.  

 Kohët e fundit, presidenti i Republikës së Francës ngriti një fond në Ministrinë e Jashtme për të mbështetur shkollat, që frekuentojnë të krishterët e Lindjes, siç shpjegon për Vatican News, imzot Pascal Gollnisch, drejtori i përgjithshëm i Veprës. Ai nënvizon se të krishterët e zonave, ku vepron shoqata, detyrohen shpesh të emigrojnë, por duhen ndihmuar të jetojnë në vendet e tyre, sepse japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillim, sidomos në fushën e edukimit, të dialogut ndërfetar e të shëndetësisë. Ata janë urë lidhëse ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut, atij jugor e atij verior.

Solli dritë, udhëtimi i Papës në Irak

“I ndritur” quhet nga imzot Gollnisch udhëtimi i Papës Françesku në Irak, para katër muajsh. “U mallëngjyem, kur pamë Papën në vendet ku kryqet u shkatërruan”. Natyrisht, nënvizon ai, “një udhëtim tri-ditor nuk mjafton për t’i zgjidhur problemet, por Papa u dha një mesazh shprese të gjithë irakianëve dhe jo vetëm të krishterëve”, pa harruar plagët e vendit, për të cilat sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare. “Një mesazh, që u kuptua edhe nga myslimanët”, pohon imzot Gollnisch, i cili u kthye në Irak tre javë pas udhëtimit apostolik për të vërejtur se shikimi i myslimanëve për të krishterët kishte ndryshuar. Në veçanti, falë takimit me Al Sistani-n. Në Erbil, nënvizon më tej ai, ndjeu dhimbjen e refugjatëve irakianë, por nuk dëgjoi fjalë hakmarrjeje. “Papa – thekson drejtori i Veprës së Lindjes – nuk i mbështet të krishterët duke i nxitur të izolohen në ndonjë kullë. Ai u thotë: vazhdoni të merrni pjesë në veprimtaritë e vendit. Ata nuk kanë forcë ushtarake, politike, ose ekonomike, por kryejnë një shërbim në favor të të gjithë popullsisë, në emër të Ungjillit”.

Projektet për Lindjen e Mesme

 Ndërkaq, drejtori operativ, Vincent Cayol, nënvizon impenjimin e laikëve në ndihmën për popullsitë e Lindjes së Mesme. Për shembull, në Haleb të Sirisë, po bëhen përpjekje për t’i bindur të rinjtë të mos emigrojnë. “80% janë vajza – shpjegon Cayol. - Është sfidë e madhe sot”. Vepra e Lindjes bashkëpunon me organizata të vogla, që përpiqen të rifillojnë veprimtaritë familjare në krizë, për shembull fermat bujqësore. Shoqata ka ndërmend ta propozojë këtë ide edhe në Bejrut të Libanit.

Në Irak, kanë rifilluar veprimtaritë në Ninive dhe në Erbil. Një nga projektet është shndërrimi i një qendre tregtare në strehë për refugjatët. “Në Kurdistan – shpjegon Vincent Cayol - mirëpresim të moshuar dhe fëmijë me probleme autizmi. Problemi i të moshuarve është i ri në këto shoqëri. Kemi edhe një mikroprojekt për katër marangozë, që restaurojnë mobiljet e kishave të shkatërruara nga shteti islamik Isis”. Ai kujton me krenari kolltukun e realizuar prej tyre, ku u ul Papa Françesku gjatë kremtimit në Karakosh, në udhëtimin e tij në Irak. Edhe ndihma për Armeninë është rritur pesëfish nga viti i kaluar, për shkak të konfliktit në Nagorno-Karabak.

Shpresat për Libanin

Vepra e Lindjes po bën një investim të konsiderueshëm në shkollat ​​katolike: rreth 400.000 nxënës marrin fondet e saj, nga Egjipti në Turqi. Vetëm në Rripin e Gazës ka tre shkolla katolike, ku flitet frëngjisht. Edhe impenjimi për Libanin është mjaft i madh. Të gjithë shpresojnë që Papa të shkojë në këtë vend sa më shpejt, për të ndezur reflektorët e botës mbi shtetin e zhytur në një krizë me përmasa të jashtëzakonshme.

07 korrik 2021, 14:29