Kërko

Vatican News
Ipeshkvijtë sllovakë Ipeshkvijtë sllovakë 

Ipeshkvijtë sllovakë presin Papën: “Kemi nevojë për forcën e Tij”

Në gjysmën e shtatorit Françesku do të vizitojë Sllovakinë, pasi të ketë marrë pjesë në Kongresin Eukaristik ndërkombëtar, në Budapest. Prelatët u drejtohen besimtarëve, duke u kujtuar rrënjët e lashta të krishtera të popullit, me urimin që uniteti, thellimi i vlerave të Ungjillit, mbrojtja e Marisë, Pajtore e Vendit, t’i prijnë kombit në rrugën e fuqizimit shpirtëror e qytetar.

R. SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e Sllovakisë e ftojnë popullin sllovak të përgatitet shpirtërisht për vizitën e Françeskut, i cili do të jetë në vend nga 12 deri më 15 shtatori i ardhshëm. Përmes një letre baritore kujtojnë vizitën e fundit  të një Pape në vend: ishte Gjon Pali II, tetëmbëdhjetë vjet më parë. Që aso kohe shumë gjëra kanë ndryshuar, është rritur një brezni e re - kujtojnë prelatët - e zhvillimi i shoqërisë bëhet gjithnjë më i shpejtë, duke sjellë me vete edhe ndryshime të shpejta. “Të  reflektojmë së bashku”- kërkojnë ipeshkvijtë, që vënë në qendër të vëmendjes gjendjen e sotme të vendit, por pa harruar as ëndrrat për të ardhmen.

Vend me rrënjë të lashta të krishtera

Sllovakia është krenare për rrënjët e saj të krishtera, që nisin nga thellësia e shekujve, nga koha kur këtu shkelnin shenjtorët pajtorë të Evropës, Çirili e Metodi, që e shndërruan vendin në një urë shpirtërore ndërmjet Perëndimit e Lindjes, në frymën e bashkimit katolik latin e bizantin. Ipeshkvijtë kujtojnë se kasnecët e parë të fesë, kodifikuesit e gjuhës, “personalitetet e  rizgjimit”, misionarët, martirët e disidentët, i përkasin të gjithë Kishës sllovake, ashtu i gjithë populli sllovak. “Historia jonë, pa Kishën katolike,  nuk do të ishte kjo që është!”- saktësojnë,  në dritën e mesazhit që la Gjon Pali II në këto troje. Pa harruar se në Sllovaki Kisha katolike bashkëvepron me Kishën Ortodokse e Bashkësitë kishtare të lindura nga Reforma. Në traditën shpirtërore të vendit kontribuon edhe Bashkësia hebraike. E tani duhet kujtuar edhe arritja e proceseve të shekullarizimit i cili, ndonëse nuk është konfesional, kërkon bashkëpunim në veprimtaritë me interes publik në shërbim të së mirës së përbashkët.

Duhet thelluar feja

Ipeshkvijtë ofrojnë disa mendime, duke i ftuar besimtarët ta njohin më thellë shërbesën e Papës Françesku. U kujtojnë se duhet ta marrin  në dorë Biblën,  duhet ta takojnë Jezusin në Ungjill, të ndalen tek Letra apostolike Patris corde kushtuar Shën Jozefit. Nënvizojnë edhe rëndësinë që kanë lutjet drejtuar Zojës, Pajtore e Sllovakisë, që populli e quan “Zoja me shtatë hanxharë” e që kremtohet pikërisht në ditën e festës kombëtare të 15 shtatorit e me shtegtimin tradicional, sivjet lumturisht në praninë e Papës. “Ta presim me gëzim - nxisin ipeshkvijtë, nësa afrohet çdo ditë e më tepër dita kur në trojet sllovake do të shkelë Papa - por edhe t’i ndjekim fjalët e  tij me vëmendje e gatishmëri të plotë shpirtërore. Është Papë i dashur e popullor, por edhe Pjetri i epokës sonë, shkëmbi, mbi të cilin Krishti ndërtoi Kishën e tij, atë Kishë, mbi të cilën nuk do të ngadhënjejnë kurrë forcat e ferrit! Është Ai, të cilit sot i besohet detyra t’i përforcojë vëllezërit në fe: “Kemi shumë nevojë për këtë forcë - kujtojnë ipeshkvijtë. E shtojnë: “Nuk do të mbetemi në sipërfaqe”.

Shpresa për ta kapërcyer nënshtrimin dhe shqetësimet

Prelatët sllovakë urojnë, në përfundim, që vizita e Papës të përtërijë gëzimin, t’i japë hov të ri shpirtrave, të lehtësojë barrën e lajmeve “tejet të rënda”, të fashisë lodhjen, të zhdukë mosbesimin e nënshtrimin përballë situatës së vështisë. “Ati i Shenjtë - shtojnë - na ndihmoftë jo vetëm për t’i lënë mënjanë, por edhe për t’u dhënë fund kundërvënieve pa kuptim. Kisha sllovake shpreson unitetin, e jo vetëm  në nivel shoqëror, por edhe, e  sidomos, në nivelin e  vlerave, që sjell Lajmi i mirë.

Në kanalin e internetit të Konferencës ipeshkvnore sllovake radhitet një sërë ndjetesh  për t’u bashkuar në lutje: për Papën, si shenjë e bashkimit  me Atin e Shenjtë; për Kishën në Sllovaki, si shenjë përgjegjësie për vendin; për botën, si shenjë solidariteti ungjillor!

20 korrik 2021, 13:18