Kërko

Vatican News
 Fra Massimo Fusarelli, eprori i ri i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël Fra Massimo Fusarelli, eprori i ri i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël 

Fra Fusarelli: në shërbim të Kishës, duke mësuar nga të vegjlit

Ministri i ri i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, atë Massimo Fusarelli: “Ishte krejt i papritur mesazhi i Papës për zgjedhjen time”. Rregulltari e shikon shërbimin baritor në lagjet e jashtme romake e në mes të dëmutuarve nga tërmeti, si shenjë e vëmendjes, që i bën françeskanët ta ndjejnë veten në bashkim me Kishën universale.

R. SH. - Vatikan

“Ati Serafik, Shën Françesku, ju dhashtë guxim në krye të sivëllezërve"- ky, urimi i Papës, fra Massimo Fisarellit, që u zgjodh epror i përgjithshëm, a gjeneral, siç e quan tradita, i Fretëve të Vegjël, për  gjashtëvjeçarin 2021-2027. Në këtë mesazh urimi, dërguar rregulltarit, Papa  e përgëzoi, sapo e mori lajmin e zgjedhjes, duke e siguruar se lutet për të dhe e bekon.

Por, ta dëgjojmë intervistën e atë Massimo Fusarellit:

Pyetja e parë: si e pritët telegramin e Papës?

“Beh, para së gjithash ishte një e papritur. E mora vesh nga Ju, Vatican News, domethënë, nga mediat e Vatikanit, para se të arrinte tek unë. Arriti drejtpërdrejt. Na ngushëlloi e na gëzoi të gjithëve. Mua të parin, natyrisht,  sepse më drejtohej personalisht. Pak fjalë, por shumë të vërteta… Të themi, fjalë pa pikë fryme burokratike. Edhe për fretërit këtu, në Kapitull,  ishin shenjë e vëmendjes, e kujdesit. Gjë që na bën mirë, na bën  ta ndjejmë veten në bashkim me Papën, me Kishën universale, të gatshëm  që t’i përgjigjemi thirrjes së saj për të dalë nga viset tona e për ta kumtuar kudo Ungjillin. Ne jemi të pranishëm në 60 vende të botës e këtu na kërkohet të bëjmë një hap më tej, në njëmijë mënyra të ndryshme. Pastaj fakti që Papa, megjithëse në spital, u kujtua për ne, na bën ta duam e ta respektojmë edhe më fort!”.

Ju keni punuar shumë në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti në Accumoli e Amatrice, e edhe në lagjet e jashtme të Romës. Çfarë mund të na thoni për ndikimin e kësaj përvoje në rolin e ri, që do të luani në krye të Fretërve të Vegjël?

“Çka përfitova nga kjo përvojë, është kryesisht lidhja me jetën reale të njerëzve, të burrave e grave të sotme, posaçërisht atyre që vuajnë, të vegjëlve, të varfërve. Kjo lidhje me realitetin më ndihmoi të rritem. Pastaj e kam gjithnjë në shpirt çka thotë Ungjilli i Mateut, domethënë, se Zoti, Ati,  ua zbulon misteret të vegjëlve, jo atyre, që mbahen e mburren, që besojnë se janë më të mençur se të tjerët. Mendoja pikërisht sot, sa u zgjova,  se edhe unë kam bërë shkollën e të vegjëlve e se e vijoj akoma, sepse vijoj lidhjet me të vegjlit, posaçërisht në Amatrice e Accumoli.  E në shkollën  e të vegjëlve dua të mësoj ta bëj edhe këtë shërbim, ta bëj “si i vogël”, domethënë, jo si ai që mendon se mund ta bëjë vetë, se e ka gjithë shkencën e nevojshme e edhe inteligjencën për të ecur pa ndihmën e askujt, po si njeri që ia hap zemrën pikërisht të vegjëlve e që mëson prej tyre. Një gjë tjetër, që e kam në shpirt, është edhe mëshira, domethënë prekja nga njerëzit, nga jeta e tyre, sepse kjo ma zgjeron zemrën, e bën aq të madhe, sa t’i zërë të gjithë. Me këtë përvojë, e me të tjera, edhe ndërkombëtare, që pata në jetë, shpresoj se do të mund t’ua hap zemrën e mendjen njerëzve, gjuhëve, vendeve që do të vizitoj e me të cilët do të jem në lidhje të vazhdueshme”.

Sipas Jush,  çfarë kanë mësuar të vegjlit nga afërsia Juaj? Që, natyrisht, është afërsia e Kishës…

“Ta ndjejnë afërsinë…Më shumë se mësuan, kuptuan se mund të jemi pranë, se pranë tyre jemi ne, jo aq Kisha si institucion abstrakt, por si njerëz konkretë, që e jetojnë Ungjillin dhe e ndjekin Krishtin. Mësuan, pra, të mos e ndjejnë Kishën si institucion të largët, që duket vetëm në disa çaste a hapësira, por si realitet, që e kanë gjithnjë pranë. Që i shoqëron në rrugën e fesë, që u ndez në shpirt flakën e fesë, gjë që mund t’i çojë, më pas, në besojmën e një feje, që fiton më shumë pjekuri. Atëhere feja, prania e Zotit, bëhet realitet, që e mbush plot jetën, që është gjithnjë e pranishme, që  të bën t’ia besosh Zotit gjithë vetveten!”.

Përveç urimit të Papës, sigurisht do të keni marrë edhe urime të tjera, pikërisht nga ato zona pak të njohura, ndoshta edhe të harruara, domethënë, nga të dëmtuarit e tërmetit dhe banorët e borgatave, pra, të lagjeve  periferike?

“Po, mora shumë … mbrëmë, sonte. I gjeta në postë sot paradite e m’u duk se më thoshin: ”Ej, je aty edhe falë nesh!”. E kjo më pëlqeu shumë, madje më bëri edhe të qesh, sepse me këtë krenarinë e tyre, në fund të fundit thanë një të vërtetë. Mendoj se ky shërbim i ri fiton pjekurinë pikërisht falë  kontaktit me ta, jetës në gjirin e tyre. E sidomos, të njerëzve të thjeshtë, gjyshërve e gjysheve, që më uruan me dy fjalë të vetme, por sa të rëndësishme: “Mos ki frikë, se të del zot Zoti!”. Thënë nga njerëz, që vuajtën aq shumë, ky është bekim i cili, për mua, vlen gati-gati sa një bekim apostolik. Atyre që presin diçka nga françeskanët e shpërndarë në skajet  më të largëta të botës, u them: “Ndihmojeni njëri-tjetrin,  hapini rrugët për ta jetuar sot thirrjen tuaj, e për ta jetuar vërtetësisht”.

Sot ecim në gjurmët e Papës Françesku, duke menduar edhe se Fratelli tutti na fton për përqafimin e një bote, që ndryshon nga jona. Një bote të largët. A mund t’u prijë hapave tuaj e të shumë françeskanëve të tjerë ky vëllazërim, për të cilin bën thirrje Papa?

“Eshtë e qartë … Françesku i shembi tashmë shumë mure të kohës së tij: duke nisur nga të gërbulurit, për të arritur tek bota myslimane, tek mëkatarët e tek ata, që ishin larg nga Kisha. Papa i kapërceu  pengesat e, pas tyre, gjeti rrugën e Ungjillit. Ndaj shpresojmë se edhe ne na hapen shumë nga këto rrugë!”.

16 korrik 2021, 13:28