Kërko

Vatican News

Fjala e Zotit e dielës së 14-të gajtë vitit kishtar ‘B’

Ungjilli i dielës së 14-të ndalet te mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezu bëri para syve të tyre. Në fakt ky mosbesim, është i kuptueshëm sepse afërsia familjare në planin njerëzor e bënë më të vështirë besimin e nuk lejon të shkosh përtej kësaj lidhjeje e t’i hapesh përmasës hyjnore. Në anën tjetër, edhe Jezusi u çudit për mosbesimin e njerëzve të Nazaretit. Edhe Ai, në një farë kuptimi, shkandullohet!

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Fjala e Zotit e dielës së 14-të gajtë vitit kishtar ‘B’

Fjala e Zotit e kësaj së diele flet për pritjen dhe për refuzimin e profetit e të birit të njeriut, flet për besimin dhe mosbesimin në Zotin. Jezusi është ‘transparenca e Hyjit’, ‘mrekullia më e madhe e gjithësisë’. Kёtё na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele tё 14-tё nga Marku. Ne shpesh jemi në kërkimin e shenjave e të mrekullive, e nuk vërejmë se Shenja e vërtetë është pikërisht Jezusi, “Zoti i mishëruar”.

Mrekullitë e Krishtit nuk janë shfaqje ekzibicionuese të fuqisë, por shenja të dashurisë së Zotit që zbatohet a mishёrohet aty ky takon e gjen fenë e njeriut, na kujton pjesa e Ungjillit të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar e cila pastaj ndalet tek mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezu bëri para syve të tyre. Në fakt ky mosbesim, është i kuptueshëm sepse afërsia familjare në planin njerëzor e bënë më të vështirë besimin e nuk lejon të shkosh përtej kësaj lidhjeje e t’i hapesh përmasës hyjnore. Në anën tjetër, edhe Jezusi u çudit për mosbesimin e njerëzve të Nazaretit.

Edhe Ai, në një farë kuptimi, shkandullohet! Megjithëse e dimë që asnjë profet nuk pranohet mirë në vendlindje, prapëseprapë mbyllja e zemrës së njerëzve të vet mbetët për Jezusin e pakuptueshme, e pashqyrtueshme: si është e mundur që mos ta njohin dritën e së Vërtetës.
Kjo sepse nuk hapen para mirësisë së Zotit, që ka dashur të ndajë bashkë me ne njerëzimin tonë”. Në realitet, njeriu Jezus i Narazetit është transparenca e Hyjit, në Të Hyji banon plotësisht.

E ndërsa ne kërkojmë gjithmonë shenja tjera, mrekulli tjera, nuk e vërejmë faktin që Shenja e vërtet është Ai, Zoti i mishëruar, Ai është mrekullia më e madhe e gjithësisë: tërë dashuria e Zotit e përmbledhur në një zemër njerëzore, një fytyrë të njeriut. E këtu na ndihmon Virgjëra Mari e cila e ka kuptuar më të vërtetë këtë të realitet. Maria nuk është skandalizuar me të Birin e saj: çudia e saj ndaj Tij është plot fe, plot dashuri e gëzim, duke e parë atë kaq njerëzor e në të njëjtën kohë kaq hyjnor. E prandaj Kisha na këshillon të mësojnë nga Maria, “Nëna e fesë”, ta vërejmë e të njohim në përmasën njerëzore Krishtin, zbulimin e përsosur të Hyjit

                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I parë Ez 2, 2-5

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Në ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua.
Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një popull kryengri-tësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!”
Fjala e Zotit.

Psalmi 123
Sytë tanë janë të kthyer drejt Zotit

Drejt teje po i ngre sytë e mi,
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet.

Porsi sytë e shërbëtores
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, 
Hyjit tonë,
derisa të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, 
ki mëshirë për ne, 
sepse për së tepërmi 
na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve,
me përbuzje të krenarëve.

Leximi II : 2Kor 12,7-10

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë. 
Fjala e Zotit.

Aleluja. Aleluja.
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. 
Atyre që e pranuan u dha zotësinë 
të bëhen bijtë e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 1-6

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre.
Fjala e Zotit.


Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat

E DIELA XIV GJATË VITIT (Ez 2, 2-5; Ps 123 (122); 2 Kor 12, 7, 10; Mk 6, 1-6)

Martin Luter King, pastori i famshëm luteran, shkruante: «Njeriu që e angazhon pak mendjen e tij, e ka frikë gjithnjë ndryshimin. Ai ndien siguri në atë gjendje në të cilën është dhe ka një frikë të ankthshme për risinë. Për të, vuajtja më e madhe është vuajtja për një ide të re.»

Fjalët e këtij njeriu të shquar jehonin në shekullin e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ai me forcë e guxim po kërkonte të drejtat e njerëzve me ngjyrë. Jeta e tij u mbyll në mënyrë tragjike, sepse e vranë ata që deshën ta shuanin atë zë i cili po përpiqej t’i zgjonte ndërgjegjet e sëmura të shumë të bardhëve që nuk donin ta besonin se të gjithë njerëzit kanë të njëjtin dinjitet.

E, me sa duket, disa njerëz e kanë vërtet të vështirë të pranojnë jo vetëm madhështinë e çdo njeriu, por edhe madhështinë e vetë Hyjit, atë të vërtetën. Hyji është i madh, por duhet t’ia lëmë Atij ta vendosë se në ç’mënyrë dëshiron ta shfaqë këtë madhështi të veten.

Ungjilli i sotëm na tregon vështirësinë që patën nazaretasit e asaj kohe përballë «risisë» që po u sillte Jezusi për sa i përket madhështisë së vërtetë të Hyjit. Ungjilli tregon se Jezusi shkoi në Nazaret, në atë vend ku ishte rritur. Ungjilli i Shën Markut, në vend të termit «fshat», përdor termin «vend». Kështu ai nuk ka dashur të përshkruajë vetëm reagimin e Nazaretit përballë Jezusit, por reagimin e mbarë vendit, domethënë e mbarë Izraelit.

E cili është ky reagim? Është kundërshtimi që i ndodh pikërisht në atë vend i cili kishte qenë gjithnjë vendi i përzgjedhur i Hyjit në mes të të gjithë popujve. Por reagimi i këtij populli ndaj shumë mirësive Hyjnore nuk ishte i ngjyrosur gjithnjë me mirënjohje. Madje shpesh ngrinte krye ndaj Hyjit të vet.

Në Leximin e Parë sot Zoti i thotë profetit Ezekiel: «Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, tek një popull kryengritësish. [...] Njerëzit tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemërgurë.» Janë fjalë shumë të forta. Ato natyrisht që nuk përfshinin tërë popullin e Izraelit të asaj kohe e aq më pak tërë Izraelin e ditëve tona, por duan të përshkruajnë sidomos ngurtësimin e zemrës nga ana e disa drejtuesve të bashkësisë së Izraelit në atë periudhë.

Bëhej fjalë për largimin nga Besëlidhja e bërë me Hyjin, sepse kishin filluar të jetonin një jetë jo ndryshe prej popujve paganë. Madje gjendja bëhej vërtet e rëndë kur ata fillonin t’ia mbushnin mendjen vetes edhe se ishin në të drejtën dhe se veprimet e tyre të këqija ishin të lejuara edhe nga vetë Zoti. Kjo ngjan me sjelljen tipike të shumë diktaturave: «Gott mi uns.» (Zoti është me ne.), shkruhej në një stemë të vogël të cilën ushtarët nazistë e kishin në rripin e tyre. Edhe ata e kishin kopjuar nga diktatorë të tjerë para tyre këtë shprehje.

Kështu pra: ngaqë nuk donin të ndryshonin jetë, izraelitët të cilët profeti Ezekiel i qorton, përpiqeshin në të gjitha mënyrat të gjenin motive e justifikime teologjike për të mos ia pranuar fjalën.

I njëjti qëndrim përsëritet edhe përballë Jezusit. Ungjilli thotë se «shumica e njerëzve çuditeshin» kur Jezusi filloi të mësonte. Pyesnin veten: «Nga i vijnë këtij këto?» E filluan të përmendin gjithçka që dinin për të: është zdrukthëtar, biri i Marisë, ia njohin vëllezërit dhe motrat (që për hebrenjtë do të thotë edhe kushërinjtë). Duket sikur Jezusi filloi ta kuptonte se çfarë donte të thoshte gjithë kjo «çudi» e tyre. Pandaj u thotë atë fjalë e cila ngjan më shumë me një proverb që mund të përdorej aso kohe: «Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.»

Ngaqë thonë «Po a nuk është ky zdrukthëtar?», ne e kuptojmë se arsyeja e mungesës së «nderimit» nga ana e nazaretasve, ishte pikërisht thjeshtësia e jetës së këtij njeriu. Sot do të thoshim se i çudiste fakti që Jezusi kishte një kurrikulum shumë të varfër. Njihej prej të gjithëve: ishte zdrukthëtar e nuk njihej si dikush me tipare të veçanta. Ai kurrë nuk kishte bërë ndonjë gjest të bujshëm e kurrë nuk e kishin dëgjuar më parë të fliste me një autoritet të tillë. Nuk njihej si dikush që kishte ndjekur ndonjë shkollë të njohur teologjike të kohës.

Këto u dukeshin arsye të mjaftueshme për të dalë në përfundimin se ky nuk mund të jetë i dërguar i Hyjit. Sa interesante: ia dolën edhe këta t’i gjenin motivet e justifikimet teologjike për të mos ia vënë veshin. Pas kësaj mënyre të të vepruari të tyre, fshihet vështirësia për t’iu hapur «risisë» së Hyjit e kjo i ndodh atyre që e kanë zemrën e ngurtë, që janë kokëfortëve e indiferentë.

Njerëz të tillë mund t’i takosh kudo, shpesh edhe brenda rrethit tënd shoqëror, brenda vendit ku rritesh apo edhe brenda familjes sate. Pastaj, tek arsyet e mospranimit nga ana e nazaretasve, fshihej edhe diçka tjetër: ishin kaq të fiksuar se Hyji kishte disa mënyra “standarde” për ta treguar madhështinë e vet, saqë nuk pranonin më madhështinë e përvujtërisë së Hyjit që po u dëftohej tani në Krishtin.

Hyji është vërtet i madh e kjo është e padiskutueshme, por nuk mund ta përcaktojmë ne mënyrën se si Ai e shfaq madhështinë e Vet.

Madje Hyji e shfaq edhe më fort madhështinë e Vet pikërisht kur përvujtërohet. Mjafton, për shembull, të mendojmë faktin e thjeshtë se Ai që i jep jetën gjithçkaje, ka dashur të përjetojë vështirësinë për të siguruar jetesën e përditshme duke nxënë zanatin e zdrukthëtarit. E ky nuk ishte ndonjë zanat që, në atë kohë e në atë fshat të vogël të Nazaretit, mund të sillte përfitime të mëdha ekonomike. A nuk është kjo madhështore? A nuk na bën të mendojmë se ç’zemër paska Hyji ynë, pikërisht ngaqë përvujtërohet kaq shumë?

Hyji, në krijimin e gjithësisë e në mrekullitë e ndryshme që bën, na shfaq pushtetin e tij të pakufi, por, në përvujtërimin e Tij, Ai na shfaq se me ç’zemër e ka krijuar dhe e mban gjithësinë.

Çështja është se ne do të donim një Hyj ndryshe: një Hyj që të largon rreziqet, një Hyj që një prindi i ruan fëmijët që janë rrugëve të botës apo një Hyj që nuk e lë pa e ndëshkuar mëkatarin. Mbase jemi të prirur të adhurojmë Hyjin që nuk ekziston, Hyjin pa përvujtëri e dashuri. Por Hyji është përvujtëri e dashuri dhe vetëm ata që brumosen me përvujtëri e dashuri, do të dijnë t’i kapin gjestet e përvujtërisë e të dashurisë Hyjnore e do të mundohen t’i përngjajnë asaj.

Si nazaretasit, shpesh edhe ne jemi të ftuar të kemi «një ide të re» mbi Hyjin. A jemi të gatshëm të ndryshojmë?

Në Ungjillin e sotëm thuhet se Jezusi «nuk mundi të bënte aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart». Nuk mundi të bëjë mrekulli, sepse mrekullia ka nevojë për fenë e gjallë. Mjerisht Jezusit iu desh vetëm të «çuditej për mosbesimin e tyre».

Nga ana tjetër, duhet edhe të ruhemi nga kërkesat e tepërta për mrekulli, sepse mbase nuk po kërkojmë gjërat për të cilët vërtet kemi nevojë. Edhe Shën Pali, në letrën e tij të drejtuar Korintasve, tregon se kishte një vështirësi të madhe dhe se filloi të kërkonte ndonjë mrekulli nga Zoti. Tregon: «Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për ta rrahur.» Nuk është e qartë se për çfarë lloj vështirësie bëhej fjalë: mbase vërtet djalli e mundonte fizikisht, mbase ishte ndonjë sëmundje, ndoshta një tundim shpirtëror apo ndonjë pengesë në ungjillëzimin e tij. Iu lut Hyjit që t’ia hiqte, por përgjigjja që mori prej Tij ishte: «Të mjafton Hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.»

Kërkonte një ndërhyrje madhështorë nga ana e Hyjit, por u ftua që ta vinte re se, pikërisht forca e paktë që e shoqëronte në përballimin e kësaj vështirësie, ishte mënyra në të cilën Hyji po e shfaqte madhështinë e vet. Shën Pali e vinte re se ishte i ligsht, por duhej të vinte re edhe se, gjithsesi, po ia dilte. Kjo ishte shenja se nuk ishin aftësitë e tija që e çonin përpara ungjillëzimin e popujve, por forca e Dikujt tjetër. Shën Palit iu desh edhe këtu «të ndryshonte ide» mbi mënyrat se si Hyji e tregon madhështinë e Tij.

Hyji ngul këmbë që të na mësojë ta kuptojmë këtë gjuhë të përvujtë të Tijën. Hyji i ngjan një plaku të moçëm, që shpesh duket se të mërzit me bisedat e tij të gjata e të njëjta. Fatkeqësisht janë të paktë ata që kanë durimin t’i dëgjojnë, sepse të paktë janë ata që kuptojnë se, pas këtyre bisedave të përsëritura, fshihet zemra dhe historia e një njeriu.

Po ashtu edhe këtë gjuhë të përsëritur mbi përvujtërinë që del nga zemra e Hyjit tonë, «i Tejetlashti i motit» (Dan 7, 13) që s’di të tregojë tjetër histori përveç asaj që ndodh në jetën e Tij trinitare, e kuptojnë vetëm ata që nuk kanë «frikë të ankthshme për risinë» e që nuk e kanë atë «vuajtjen përballë ndonjë ideje të re» për të cilën fliste Martin Luter Kingu. Vetëm këta i hapen «risisë» që Hyji mund t’u kërkojë të pranojnë në jetë.

Dom Dritan Ndoci

03 korrik 2021, 09:41