Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: paqja, për të krishterët

Papa Françesku dhe krerët e Kishave të krishtera të Libanit u mblodhën në Vatikan, në lutje për paqen në vendin e Kedrave, ku prej kohësh gjendja nuk është e qëndrueshme e vijon të keqësohet. Impenjimi i Papës në këtë drejtim, ka të bëjë jo vetëm me Libanin, por me vendosjen e paqes në gjithë Lindjen e Mesme, e cila është një nga përparësitë e politikës botërore, mjet i rëndësishëm për pajtimin në zonë e për qetësinë e krejt botës. Sot, ç’do të thotë fjala “paqe” për të krishterët

R.SH. - Vatikan

 

Sot, Papa Françesku dhe krerët e Kishave të krishtera të Libanit u mblodhën në Vatikan, në lutje për paqen në vendin e Kedrave, ku prej kohësh gjendja nuk është e qëndrueshme e vijon të keqësohet. Nëse më parë, Libani ishte pikë referimi për gjithë rajonin, përsa i përket bashkëjetesës paqësore dhe funksionimit të strukturës shtetërore, tani, sidomos që prej një viti, ka hyrë në një fazë amullie politike, pa një qeveri të dalë nga zgjedhjet dhe me protesta të vazhdueshme. Impenjimi i Papës në këtë drejtim, ka të bëjë jo vetëm me Libanin, por me vendosjen e paqes në gjithë Lindjen e Mesme, e cila është një nga përparësitë e politikës botërore, mjet i rëndësishëm për pajtimin në zonë e për qetësinë e krejt botës. Pikërisht për këtë arsye, në emisionin e sotëm, do të shpjegojmë se ç’do të thotë fjala “paqe” për të krishterët.

Lutja e Papës dhe e krerëve të krishterë për Libanin
Lutja e Papës dhe e krerëve të krishterë për Libanin


“Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt”: kështu u shkruante Shën Pali Apostull të krishterëve të Romës (Rm 14,17). Fatkeqësisht, historia e njerëzimit lahet gjithnjë me gjakun e luftrave e të dhunës. Bibla, që është zbulim i Hyjit në histori e mbi historinë, nuk mund të mos jetë e mbushur me beteja e padrejtësi: mëse 600 fraza evokojnë luftën e vrasjet, ndërsa 1000 të tjera përshkruajnë zemërimin hyjnor, që gjykon të këqiat e njerëzimit. E pra, plani hyjnor, që shihet në kapitullin 2 të Zanafillës, përmbante harmoninë e trifishtë e të përsosur të njeriut me Zotin, me natyrën e me të afërmin e vet (gruan).
Madje, horizonti për nga drejtohet rruga e historisë, për Biblën, është paqja mesianike, në hebraisht “shalom” (prej nga vjen fjala arabishte “salam”), në greqisht “eiréne”. Në Talmud, teksti i traditës judaike, lexohet se “paqja është për botën, si tharmi për brumin”. Konceptimi i fjalës “shalom” është i shumëfishtë, pasi rrënja e saj presupozon diçka “të plotësuar, të përsosur”, prandaj, paqja biblike nuk përmban vetëm mungesën e luftës, por edhe mirëqënien, përparimin, drejtësinë, gëzimin, plotësinë e jetës. Siç thuhet në Pslamin 85, “drejtësia e paqja do të merren ngrykë” (rr. 11). Filozofi hebre hollandez, Baruh Spinoza pohonte me të drejtë se “paqja nuk është vetëm mungesë lufte, është virtyt, gjendje shpirtërore, që na çon drejt mirësisë, besimit, drejtësisë”.
Emblematike për këtë është lajmërimin e Lindjes së Jezusit nga engjëlli: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2,14). Toka e qielli bashkohen në një harmoni dashurie, siç pati paralajmëruar Isaia në atë afresk, ku kafshë që zakonisht janë pre e njëra-tjetrës, paqtohen me ardhjen e mbretit/Emanuelit mesianik (11,6-8). Vërtet, dëshira e Hyjit është që të gjithë popujt “t’i kthejnë shpatat në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë” (Is 2,4). Mbreti mesianik është i pari që zhduk karroca e kavaleri, thyen harkun e luftës dhe “u shpall paqen të gjithë njerëzve” (Zak 9,10).
Lind kështu vizioni i paqes universale, që Besëlidhja e Re e ekzalton në Krishtin, “Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës, domethënënë armiqësinë… me qëllim që, prej të dyve: paganëve dhe hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e, duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin… duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’u kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat” (Ef 2,14-17). Krishti, pra, është Ai që i mund ndarjet, të cilat janë burim i urrejtjes dhe i konfliktit. Vërtet, në Fjalimin e Malit, Ai nuk hezitoi t’i ftojë dishepujt e vet “të duan armiqtë e të luten për persekutuesit” (Mt 5,43-45).
Kështu, Kisha bëhet shenjë bashkimi dhe paqeje ndërmjet popujve, siç duket në skenën e Rrëshajve, ku në të gjitha gjuhët e kulturat zhduket ndarja e Kullës së Babelit (Vap 2; Zan 11), e siç ravijëzohet për fundin e historisë njerëzore, kur “një shumicë e madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe” do të këndojë sëbashku himnin e shëlbimit (Zb 7) e më në fund, të gjithë do të dëgjojnë “ç’thotë Zoti Hyj: ai flet për paqe” (Ps 85,9).

 

01 korrik 2021, 11:04