Kërko

Vatican News

Atë Ernesto Santucci, jezuit, u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor

Ishte ai, që bashkë me pak sivëllezër, rifilloi traditën e Shoqërisë së Jezusit në vend, menjëherë pas komunizmit. Tirana, por edhe fshatra si Bilaj, Arameras, Derven e të tjerë e njohën si punëtor të palodhur në vreshtën e Zotit, sa për ndërtimin e kishave, aq edhe për paqtimin e shpirtrave të plagosur të njerëzve, që mblidheshin sërish rreth sofrës eukaristike, sapo mori fund diktatura

R.SH. - Vatikan

Më 4 korrik, rreth orës 17.00, Ati Qiellor thirri në shtëpinë e vet atë Ernesto Santucci-n, jezuit, i mirënjohur në Shqipëri, për punën e tij të palodhur në fshatrat rreth Tiranës. Ishte ai, që bashkë me pak sivëllezër, rifilloi traditën e Shoqërisë së Jezusit në vend, menjëherë pas komunizmit. Tirana, por edhe fshatra si Bilaj, Arameras, Derven e të tjerë e njohën si punëtor të palodhur në vreshtën e Zotit, sa për ndërtimin e kishave, aq edhe për paqtimin e shpirtrave të plagosur të njerëzve, që mblidheshin sërish rreth sofrës eukaristike, sapo mori fund diktatura. U interesua fuqimisht për të nxjerrë në pah dëshmitë e kulturës së krishterë, ende të pazbuluara në truallin shqiptar. I deshi me shpirt shqiptarët, të cilëve u kushtoi një pjesë të jetës, por edhe libra. Emblematik, titulli i njërit prej tyre: “Unë jam shqiptar”.

Pak biografi

Atë Ernesto Santucci lindi në Akuila të Italisë, në vitin 1930. Në moshën 18 vjeçare hyri në Shoqërinë e Jezusit, për t’u shuguruar meshtar kur mbushi 31 vjeç. Filloi të shërbejë në Napoli, në Institutin Pontano të jezuitëve, si atë shpirtëror e profesor. Kaloi një pjesë të mirë të jetës, duke u marrë me të rinjtë e Lagjeve Spanjolle, siç quhet zona më e varfër e qytetit, ku i dhanë me dashamirësi emrin “ò Prevete d’è Mariuoli” (Prifti i hajdutëve), pasi bëri përpjekje të jashtëzakonshme për t’i larguar nga bota e krimit të rinjtë e atyre lagjeve. Hapi edhe një shtëpi për fëmijët e të rinjtë e pastrehë, si edhe bashkësinë e parë terapeutike “Il Pioppo” (Plepi) në rajonin e Kampanias. Këtë përvojë e ka përshkruar më së miri në librat e tij, i fundit prej të cilëve titullohet “Lo Scarto” (Hedhurinat), ku përdor qëllimisht fjalët e Papës Françesku për të mënjanuarit e shoqërisë.

Atë Santucci në Shqipëri

         Në Shqipëri, erdhi menjëherë pas komunzimit, për të hapur shtëpinë e parë të jezuitëve në Tiranë, për të çelur kishat, por sidomos për t’i ndërtuar, siç i kërkonin gjithë njerëzit, që takonte. Kështu, kishat e Bilajt, të Murqinës, Gramzit, Mallkuçit e të tjera, mbajnë vulën e impenjimit të tij. E jo vetëm kaq. Bashkë me to, mbërritën murgeshat, shkollat, laboratoret e rrobaqepësisë, ambulancat, edukimi për fëmijët e mësimi i fesë, për t’u bërë sërish njerëz pas diktaturës. Përvojë, të cilën e ka paraqitur pikërisht në librin “Unë jam shqiptar”.

Letra për Papën

         Megjithëse 90 vjeç e në pension, në shtëpinë e jezuitëve në Romë, atë Ernesto Santucci nuk rrinte duarkryq. I shkroi edhe Papës Françesku, sivëllait jezuit, duke i kërkuar një Jubile universal për shlyerjen e borxhit të popujve, armë “në duart e bankarëve të paskrupullt”. Aty bën thirrje që Kisha të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit e madje, kërkon – idealisht - të krijohet një monedhë e krishterë, “për t’i dhënë popullit të Zotit një monedhë të lirë nga borxhi me fajde”. Pastaj, mosha e sëmundja e mundën e tani, “lodhur së shumi”, mbylli sytë për këtë jetë, duke i lënë botës pasurinë e punës e të shërbimit të tij. Në postimin tonë në Facebook, iu propozojmë një poemth, që shpreh qartë impenjimin, por edhe ndjenjat e thella të dashurisë, që atë Ernesto Santucci ndiente për Shqipërinë e shqiptarët. Quhet “Psalmi shqiptar” e është testamenti i tij shpirtëror, për vendin, që e deshi aq shumë. U prehtë në paqe.

05 korrik 2021, 10:39