Kërko

Il Beato don Joseph Marxen con i fedeli albanesi Il Beato don Joseph Marxen con i fedeli albanesi

“Takim me martirët”: i Lumi Josef Marksen, martir

Në një gjyq farsë u dënua me dy vjet burg. Por regjimi duke mos gjetur një mënyrë për ta eliminuar, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët erdhën dhe e morën nga burgu i Tiranës. E pushkatuan në një pyll rrugës për Kukës, 8 km nga Tirana. Ishte 40 vjeç. “Jam i lumtur, sepse do të vdes me kujtimin e paharrueshëm se i kam kremtuar meshët në emër të Krishtit për shqiptarët…".

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, sot nё pjesën e 12-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Jozef Marksen, meshtar misionar në Shqipëria nga Gjermania, martir.

Para arrestimit e vdekjes së shkaktuar nga regjimi komunist, dom Jozef Marxen tha: “Jam i lumtur, sepse do të vdes me kujtimin e paharrueshëm se i kam kremtuar meshët në emër të Krishtit për shqiptarët… Jam i lumtur se do të kujtohem gjithmonë prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”.  Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

Antonius Joseph Marxen (dom Jozef Marksen) lindi në Gjermani, në Worrin­gen, sot pjesë e rrethinës të qytetit të Këlnit, më 2 gusht 1906, në një familje të madhe, që e rriti me një edukim të shëndoshë njerëzor dhe të krishterë.

Nëna e Anton Jozefit kishte edhe një vëlla meshtar. Në këtë klimë familjare të krishterë u poq thirrja e Jozefit, si edhe e të vëllait, Teodorit. Ndërsa mendja e tij iu hap ëndrrës që t’i kushtohej Krishtit, ai u prek shumë prej zellit të Misionarëve Verbitë (Shoqëria e Fjalës Hyjnore). Do të qëndrojë te kjo kongregatë nga viti 1921 deri në vitin 1935. Më pas ai do t’i lërë Verbitët, por jo ëndrrën e misionarit. Në vitin 1936 e gjejmë në kolegjin e Shën Andresë në Mynih të Bavarisë.

Në këtë qytet po atë vit shugurohet meshtar për arkidioqezën e Durrësit, me datë 21 qershor nga kardinali arqipeshkëv i Mynihut Mi­cha­el von Faul­ha­ber, i njëjti kardinal që do të shugurojë meshtar më 1951 të riun Joseph Ratzinger (Papa Benedikti XVI). Meshën e parë e kremton në famullinë e tij të Shën Lambertit në Breyell në praninë e të vëllait, dom Teodorit, që ishte shuguruar më 1932, dhe të dajës së tij, Dom Wilhelm Hahnen-it.

Në këtë kolegj oriental të benediktinëve në Mynih ai shqyrton dhe zhvillon thirrjen misionare për në Rusi, por vendimi për t’u drejtuar në Durrës, që sigurisht ndërmjetësohet nga rektori i kolegjit benedektini atë Chrysostomus Baur, nxitet nga fakti që kjo arkidioqezë kishte një kler të vogël në numër. Megjithatë, dom Jozefi shprehet se është gjithnjë i gatshëm të transferohet në Rusi nëse paraqitet nevoja. Rektori, duke ia paraqitur dom Jozefin arqipeshkvit të Durrësit, i shkruan: “Mendoj se do të jetë një prift i mirë. Ka treguar një vullnet të sinqertë në përmbushjen e detyrave meshtarake. Ka një formim të mirë teologjik dhe, për sa i përket moralitetit, ka qenë gjithmonë shumë korrekt”. E kështu meshtari i ri niset për në këtë tokë të panjohur duke marrë trenin nga Boisheim për në Bari. I vëllai, Alfonsi, që e shoqëroi për në stacion tregon një hollësi, e cila na jep të kuptojmë edhe atë periudhë kohore. Ai tregon se, kur në stacion kërkuan një biletë për Bari, punonjësi i biletarisë nuk e dinte as se ku ndodhej ky qytet, atëherë Alfonsi i shpjegoi se ndodhej në Jug të Italisë.

Kështu në vitin 1936, pas një rrugëtimi me anije nga Bari në Durrës, dom Jozefi arriti në vendin e misionit të dëshiruar. Këtu iu nënshtrua studimit të gjuhës nën përkujdesjen e dom Mati Fishtës, i cili e mirëpriti në Kthellë. Pas kësaj periudhe në Kthellë emërohet famullitar në Perlat më 1 nëntor 1937 e më 1943 transferohet në Jubë (rrethi i Durrësit), ku do të qëndrojë deri në arrestimin e tij të dytë. Ky bari i zellshëm, i thjeshtë, i dashur e zemërgjerë, me një trup të gjatë, flokë gështenjë të dendur e sy bojë qielli, u hyri menjëherë në zemër njerëzve.

Ai e deshi popullin e vet me shumë thjeshtësi, me po atë intensitet që deshi edhe Krishtin, duke u bërë shërbëtor i të gjithëve edhe në çaste të vështira dhe të rrezikshme. Bekonte rregullisht çdo vit shtëpitë, duke takuar familjet dhe duke u interesuar për problemet e tyre. I dha gjithashtu një shtytje të fortë mësimdhënies.

Në Perlat, një djalë jetim, Prengë Dedën, e dërgoi pranë të afërmve të vet në Gjermani për të studiuar. Dom Jozefi kishte shumë për zemër formimin e të rinjve. Çdo kontakt njerëzor për të ishte një rast i volitshëm ndoshta jo aq për të folur për Krishtin sesa për ta dëshmuar atë me fenë e tij të thjeshtë, të thellë dhe koherente.

Ortodoksi Mihal Asllani dëshmon: “I pëlqente të ndalej dhe të fliste me njerëzit… Ishte i dashur me të gjithë, me katolikët, me ortodoksët dhe me myslimanët… Ishte prifti i të gjithëve”. Gjithashtu, Hilë Lala tregon: “Ka shpëtuar shumë persona nga gjermanët [të cilët ishin të pranishëm në zonë], ndër ta edhe një të ri mysliman, i cili ishte arrestuar nga gjermanët dhe rrezikonte jetën… U ka dhënë bukë komunistëve pa u treguar kurrë gjermanëve dhe duke vënë në rrezik veten e vet.” Por me afrimin e marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri ai ishte i tunduar nga një dilemë tronditëse: Të qëndronte apo të ikte? Në lidhje me këtë vlen të paraqitet dëshmia e lënë nga Hilë Lala: “Burrat e fshatit Jubë, ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, ishin mbledhur në një lëndinë të fshatit dhe dom Jozefi erdhi për të na përshëndetur duke na thënë: “Vëllezër, unë po shkoj… Nëse qëndroj këtu, rrezikoj të më kapin, të më torturojnë dhe të më vrasin”.

Atëherë këshilli i fshatit dhe veçanërisht Lam Asllani, kryetari, një mysliman, duke i thënë se ai vetëm kishte bërë mirë e nuk kishte pse të frikësohej, këmbënguli që të qëndronte dhe i premtoi se do ta mbronte nëse do ta arrestonin.” Dom Jozefi tha: “E di se do të më kapin, por meqë ju doni që të qëndroj, atëherë nuk ka rëndësi, do të qëndroj.” Bujaria e mundi frikën e vdekjes dhe i përgatiti ecjen që të tregonte deri në fund besnikërinë ndaj Krishtit, që e shihte te çdo njeri, të cilit, në meshtari, ia kishte dhuruar krejtësisht jetën e vet. Dhe pritja nuk qe e gjatë.

U arrestua dy herë. Herën e parë u dërgua në Durrës dhe pas pak ditësh u lirua pas interesimit të pleqve të fshatit Jubë, me në krye myslimanin Lam Asllani. Pas dy-tri javësh, në shkurt 1945, arrestohet për të dytën herë në Shijak e prej aty këtë herë u dërgua në Tiranë në burgun special, ku ndodheshin edhe dom Lazër Shantoja dhe patër Frano Kiri.

Dedë Markagjoni, shok i tij i burgut, ka dëshmuar: «Ishte shumë i butë dhe i thjeshtë. E sa më shumë që tregohej i butë dhe i qetë në mundime, aq më shumë xhelatët vërsuleshin kundër tij», dhe ai mund të thoshte së bashku me shën Palin: “Plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit!”.

Në një gjyq farsë u dënua me dy vjet burg. Por regjimit kjo “nuk iu duk e drejtë” dhe duke mos gjetur një mënyrë tjetër për ta eliminuar, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët erdhën dhe e morën nga burgu i Tiranës. E pushkatuan në një pyll rrugës për Kukës, 8 km nga Tirana. Ishte 40 vjeç. Pak ditë para se ta zhduknin kishte thënë: “Jam i lumtur, sepse do të vdes me kujtimin e paharrueshëm se i kam kremtuar meshët në emër të Krishtit për shqiptarët… Jam i lumtur se do të kujtohem gjithmonë prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”. I vëllai, Alfonsi, ka kujtuar se në kartolinën e fundit që kishte marrë prej tij, shkruante “Jemi në duart e Zotit. Jam mirë: jeta ime është në duart e Tij”. Në atë kohë ai gjendej në burg. Dom Markseni qe njëri prej shermendeve të së vetmes Hardhi, e prerë për të dhënë edhe më shumë fryte. E ndoqi Mësuesin Hyjnor dhe Atij i ngjasoi deri në kryq e më tej. Kujtimi i këtij martiri heroik ka mbetur i gjallë mes njerëzve, të cilët, duke iu besuar ndërmjetësimit të tij, e lusnin dhe vazhdojnë ta lusin që t’i kujtojë pranë Bariut të mirë, të cilit i qëndroi besnik “mu deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq”.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Jozef Marksen, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

25 korrik 2021, 11:10