Thirrje e teologëve për të shpëtuar vëllazërimin, siç kërkon enciklika e Papës
R.SH. - Vatikan
Titullohet “Të shpëtojmë Vëllazërimin – Së bashku”, thirrja e nënshkruar nga një grup prej dhjetë teologesh e teologësh katolikë, ftuar nga kreu i Akademisë Papnore për Jetën, mzot Vincenzo Paglia dhe nga imzot Pierangeli Sequeri, drejtor i Institutit Papnor Teologjik Gjon Pali II për Shkencat e Martesës e të Familjes, ku imzot Paglia është Kancelar i Madh. Ky apel i drejtohet Kishës, në të gjitha komponentet e saj, grave dhe burrave vullnetmirë, me të cilët teologët dëshirojnë të konfrontohen, jo thjesht përmes një analize që, o duhet pranuar, o duhet hedhur poshtë.
Dialog pa paragjykime
Nuk është tezë, me të cilën ata u kërkojnë njerëzve të pajtohen, por është një “repertor” temash, që i konsiderojnë vendimtare për reflektim e diskutim. Teologët janë bazuar në enciklikën e Papës Françesku “Fratelli tutti”. Ata propozojnë të kuptohet më thellë Kisha, e cila nxitet të hapet ndaj një bote, që priret të mbyllet. “Kisha – shkruhet në dokument – nuk është aristokraci shpirtërore e të zgjedhurve, por tendë mikpritëse, që mbron ylberin e besëlidhjes ndërmjet Zotit dhe krijesës njerëzore. Feja do të mësojë si të banojë në gjuhën e botës shekullare, pa paragjykim për kumtin e saj të afërsisë me Zotin. Afërsia kishtare e fesë do të mund të banohet edhe nga kananea, samaritanja, Zakeu, centurioni. Pa paragjykime për distancën e tyre”.
Thirrje jo besimtarëve
Teologët katolikë u bëjnë thirrje edhe jo besimtarëve. “Ne ju propozojmë një kthesë në prirjet e mendimit të kohës – shkruhet në tekst. - Mos e përbuzni Emrin e Zotit, të cilit i drejtohet lutja e besimtarëve të sinqertë për gjithë burrat dhe gratë e planetit, e për të cilin besimtarët janë gati të ndërhyjnë për gjithë të varfrit e të braktisurit. Na kritikoni ne, kur duhet – e madje, edhe kur nuk do t’ju takonte – por mbrojeni me respekt misterin e Emrit të Zotit – i pashqyrtueshëm edhe për ju”.
Enciklika “Fratelli tutti”, perspektivë e re vëllazërimi
Siç shpjegon imzot Paglia në pasthënie, “institucionet kishtare janë të thirrura të luajnë rolin e tyre në promovimin e një dialogu më të thellë e më të shpeshtë ndërmjet inteligjencës së fesë dhe mendimit njerëzor. Në këtë risi, teologjia e baritoria konvergjojnë, si dy anë të të njëjtit veprim”. Enciklika e fundit e Papës Françesku “Fratelli tutti” “inkurajon përfytyrimin e një perspektive të re në këtë dialog, si interpretim i frytshëm dhe i nevojshëm i një vëllazërimi intelektual, në shërbim të gjithë bashkësisë njerëzore”. Grupi i teologeve dhe teologëve, që kanë hartuar thirrjen, janë: Kurt Appell, atë Carlo Casalone SJ, don Dario Cornati, Joao Manuel Duque, Isabella Guanzini, atë Marcello Neri, don Giovanni Cesare Pagazzi, Vincenzo Rosito, Gemma Serrano, Lucia Vantini.