Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Kur mbillet në zemrën e njeriut, mbretëria e Zotit rritet vetë. Ungjilli, marrë nga kreu 4 i Shën Markut, në të dielën XI gjatë vitit kishtar, e paraqet këtë mrekulli të Hyjit përmes kokrrës së sinapit, e cila rritet vetvetiu, nën kujdesin e Atit Qiellor e jo me forcat e njeriut. Prandaj, Jezu Krishti na mëson të kemi durim, të presim e të mos shkurajohemi. Por le të ndjekim pjesën ungjillore…

R.SH. - Vatikan

26 Në atë kohë, Jezusi u thoshte kështu njerëzve: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet - pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes”. 30 Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj”. 33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Të lutemi së bashku

Të mësuar me stilin e të pushtetshmëve të kësaj bote

që u bien borive me të madhe,

që i ndezin të gjitha dritat mbi vete,

që ngrenë skena e mendojnë skenografi

për të vënë në dukje praninë e tyre,

arrijmë të besojmë, o Jezu Krisht,

se edhe Zoti, në këtë mënyrë vepron.

Por Ti na e kujton:

Ai i Lumi i bën planet e tij, pa zhurmë e bujë,

me mjete të thjeshta, nganjëherë, krejt të parëndësishme,

duke thirrur në shërbim gra e burra

të brishtë, të kufizuar, si ne të gjithë.

 

Në të vërtetë, rëndësi ka rezultati

e ai është gjithnjë, pa dyshim mahnitës.

Por, për të arritur në atë çast

kërkohet durimi e besimi

i atij, që ia lë tokës farën e vet,

i atij, që di të presë, pa ngut,

realizimin e premtimeve.

 

Por Ti e di, s’është e lehtë

të ecësh nëpër këto rrugë pak të shkelura:

të tërheqin më shumë rezultatet e menjëhershme,

turmat e mëdha, tejet të fuqishme,

që ndryshojnë opinion sipas dëshirës së ndokujt,

tërheq gjithçka, që mbart në vetvete

ndjesinë e efikasitetit e të forcës,

që imponohet mbi publikun.

 

Na ndihmo o Krisht, ta kapërcejmë tundimin

e konsensusit e të popullaritetit,

sepse plani yt i dashurisë

nuk ka nevojë aspak për to.

12 qershor 2021, 08:31