Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës: fashitja e detit

Në fragmentin ungjillor të kësaj së diele, e 12-ta e vitit kishtar, përshkruhet njerëzimi e plani hyjnor, që Biri i Zotit ka ardhur të zbatojë në tokë. Ngjarja që përshkuan shën Marku ungjilltar, në kreun 4, simbolizon historinë e përhershme të njerëzimit, kur vjen mbrëmja: nata e frikës dhe dyshimit; fundi i ditës dhe i sigurive të saj të përkohshme. Jezusi e fton Kishën e tij të mos ketë frikë nga stuhia e të “kalojë” në bregun tjetër. Bregu tjetër është ai i Zotit. Barka, që lundron mbi liqen, me dishepujt dhe Jezusin, është Kisha. Por shpërthen stuhia. Forcat e së keqes lëshohen kundër saj. Varka mbushet me ujë, simbol i vdekjes: uji i merr frymën njeriut. E keqja lufton me Shpirtin. E Jezusi fle. Mungesa e Jezusit rëndon në zemrat e besimtarëve, që kanë frikë. Por lutja këmbëngulëse e tyre dëgjohet nga Jezusi. Ai zgjohet. Është atje, siç premtoi. Jezusi e shpëton Kishën e tij nga të gjitha stuhitë që mund ta fundosin. Por, le të ndjekim pjesën ungjillore…

R.SH. - Vatikan

35 Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve: “Të kalojmë matanë!” 36 Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra tjera. 37 Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. 38 Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?” 39 Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit: “Qetësohu! Shuaj!” Era pushoi e u bë fashë e madhe. 40 Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” 41 Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Vallë, kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?”

Të lutemi së bashku:

U besojmë mjeteve të jashtëzakonshme,

nganjëherë, edhe mbështetjes së të pushtetshmëve.

Mendojmë se mund të lundrojmë gjithnjë

me erën, që fryn si duam ne

e na jep një shtysë, nga një sukses në tjetrin.

Besojmë se Mbretëria jote

realizohet me ndonjë marrshim triumfal,

që zhduk menjëherë çdo forcë kundërshtare.

 

Kështu, o Jezus, kemi frikë

kur ndodhemi papritmas

në mes të stuhisë,

në mëshirën e natyrës së zemëruar,

pa siguritë tona njerëzore e pa ndonjë shkop magjik,

ndërsa Ti duket se nuk të intereson

ç’na ndodh ne njerëzve…

 

Kështu, o Jezus, jemi kthyer

në pengje të frikës,

në viktima të shkurajimit,

të ankthit, të trishtimit, të dëshpërimit…

 

Vërtet, ç’na mungon

është pikërisht e domosdoshmja:

besimi në Ty,

në praninë tënde,

në afërsinë tënde,

në fjalën tënde,

në veprimin tënd…

 

Guximin – e kjo dihet – s’mund të na e japë askush.

Por, secili prej nesh mund e duhet

të besojë në Ty, nëse dëshiron ta kalojë

stuhinë, pa u cënuar.

18 qershor 2021, 18:24