Kërko

Vatican News

“Takim me martirët”: i Lumi dom Dedё Plani, martir

I Lumi dom Dedё Plani u arrestua rreth muajve shtator-tetor 1947. Kjo gjë nuk e befasoi dom Dedën që e priti arrestimin i qetë, i sigurt për pafajësinë e vet. Nga Rrenci u dërgua në burgun e Shkodrës. Pësoi shumë tortura. Vdiq in odium fidei, për urrejte ndaj fesë, si një martir i vërtetë i Kishës tonë Shqiptare e një martir i vërtetë i fesë.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 9-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Dedё Plani, meshtar martir, i cili vdiq in odium fidei, për urrejte ndaj fesë, si një martir i vërtetë i Kishës tonë Shqiptare dhe një martir i vërtetë i fesë. Po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

Po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

I Lumi Dom Dedë Plani nuk arriti në martirizim rastësisht. Mundimet e Krishtit ishin ngulitur në mendjen dhe zemrën e tij që në rininë e tij. Lindi në Shkodër më 21 janar 1891 por me origjinë ishte nga Plani i Dukagjinit. Ishte i fundit ndër tre vëllezër: Mikeli, Dom Ndreu, meshtar dhe Dom Deda. Familja e tij ishte një familje fetare, në të cilën thithej me krejt mushkëritë prania e Zotit, aq sa mund të quhet familje-seminar. Pasi përfundoi shkollën e mesme dhe atë filozofike pranë Seminarit Panor në Shkodër, në tetorin e vitit 1916 hyri në Kolegjin Canisianum të Innsbruck në Austri. Shugurohet meshtar më 3 gusht 1919 pas dispensës që Ipeshkvi i Pultit Bernardin Shllaku i kërkoi Prefektit të Kongregatës të Propaganda Fide. Arsyen e kërkesës për dispensë e shpjegon Ipeshkvi në letër kur shkruan se: Do të kishte qenë shumë më mirë sikur ky i ri të kishte vazhduar dhe përfunduar studimet teologjike në mënyrë të rregullt nën kujdesin e një profesori, por kjo fatkeqësisht nuk mund të kryhet për mungesë mjetesh financiare, kështu që nuk mbetet gjë tjetër veçse ta marr në Gjan. Prefekti i Kongregatës e aprovon kërkesën për dispensë.

Pak muaj pas shugurimit Imzot Shllaku e emëron dom Dedën në famullinë e re të Gimajve të Shalës, famulli që në atë kohë nuk kishte as Kishë dhe as qelë. Dom Deda banoi në një dhomë të vetme që përdorej edhe për kremtimin e Meshës të dieleva edhe për banesë për të. Varfëria ishte ekstreme. Këtë e pohon edhe Delegati Apostolik Imzot Cozzi kur në lidhje më gjendjen e kishave shkruan në relacionin e tij: Kishat …, me përjashtim të atyre të qyteteve, janë tepër të thjeshta, pa asnjë parim arti të krishterë dhe madje edhe pa këmbanare e sakristi. Disa kisha famullitare pastaj janë kolibe, jerevi që nuk e meritojnë emrin kishë. Në këto lloj kushtesh do të zhvillojë apostullatin ky meshtar i ri. Më pas dom Deda do të emërohet fmaullitar në Pog, në Prekal e në Kir.

E kishte një karakter të përvujtë, i thjeshtë, komunikues, shumë i zellshëm, korrekt, zemërgjerë dhe guximtar, punëtor i palodhur. Kusha Cini dëshmon: Në mbrëmje nga lodhja e madhe, e zinte gjumi me veladon veshur. Ai ishte i prirur drejt rrugës së shenjtërisë. E në fakt qe një meshtar me fe të madhe e përshpirtëri të fortë.

Dëshmitari Martin Ndoci pohon: “Lumturia e dom Dedës arrinte kulmin kur, ku qe famullitar, mund të flinte nën të njëjtën çati me të Shenjtërueshmin Sakrament, domethën kur qela ishte ngjitur me Kishën dhe kështu mund ta vizitonte dhe adhuronte shpesh”. Nga familja kishte trashëguar një devocion birnor për Nënën e Këshillit të Mirë. Ai vetë në veçanti kishte një devocion për shën Mëhillin Kryeengjëll. Por si thamë që në fillim, mundimet e Krishtit ishin ngulitur në zemrën e tij, e kur bënte katekizëm apo predikonte, shpesh mallëngjehej kur i referohej këtyre mundimeve. Një nga problematikat që luftoi nëpër këto famulli malore ishte ajo e “bashkëjetesës pa kurorë”. Pasi shëndeti i tij ishte i dobët arqipeshkvi i Shkodrës e pranon në këtë dioqezë dhe emëron famullitar në Shirokë. Në këtë famulli dom Deda gjen 454 banorë ndër të cilët 338 katolikë dhe 116 myslimanë, por edhe pse famulli me numër të vogël, ai thotë se: Jeta shpirtërore ishte e lavdërueshme, dhe famullia ishte aktive dhe e angazhuar. Më vonë u trasferua në Rrenc të Gurit të Zi ku qëndroi deri në arrestimin e tij. Dom Deda 30 vitet e meshtarisë së tij i kishte kaluar pa zhurmë e nuk ishte përzier kurrë në politikë.

Nëse nuk do të kishte ardhur cikloni i diktaturës komuniste, ndoshta askush nuk do ta kishte vënë re ekzistencën e tij. Por rregjimi ishte sëmurë nga psikoza e tradhëtisë. Mjerimit ekzistues iu shtua varfëria. Deelgati Apostolik Imzot Nigris shkruan: “Iu nda toka fshatarëve, por kjo qe vetëm një lojë, sepse këta duhej të sillnin gjithçka, deri edhe vezët, në magazinat e Shtetit, për t’i shitur me çmime qesharake dhe për të blerë pastaj me çmime shumë të larta ushqimet e triskës … pjesa më e madhe e ushqimeve dhe e naftës dërgohet ne Rusi dhe Jugosllavi në këmbim të armëve dhe të municionit … Arrestimet janë të shpeshta e bëhen natën, prandaj të gjithë bien të flenë me makthin se mund të arrestohen ndërsa po flenë; të burgosurit lihen në kushte të mjerueshme dhe torturohen … nganjëherë të burgosurit vdesin gjatë torturave dhe trupat hidhen prej dritareve për t’u dukur si vetëvrasje. Propaganda anti-fetare është metodike me shtyp, radio dhe konferenca”.

Edhe arrestimi i Dom Dedës bëhet pa një shkak të drejtë apo arsye. Në famullinë e tij jetonte një punonjës i sigurimit i cili pothuajse kishte braktisur familjen për të pasur marrëdhënie me një vajzë/grua të re komuniste, e për këtë e deturoi dom Dedën ti linte një dhomë për banim. Por dom Deda, duke parë situatën e pamoralshme, qe shumë i vendosur në shprehjen e pakënaqësive të veta. Kjo nuk i pëlqeu aspak këtij punonjësi të sigurimit dhe bëri të mundur që të arrestohej. Arrestimi ndodhi rreth muajve shtator-tetor 1947.

Kjo gjë nuk e befasoi dom Dedën që e priti arrestimin i qetë, i sigurt për pafajësinë e vet. Nga Rrenci u dërgua në burgun e Shkodrës. Pësoi shumë tortura, por kishte vetëm një shqetësim: nuk kishte arritur të vendoste në vend të sigurt të Shenjtërueshmin Sakrament. Në fakt kur Halla Kushë (Kusha Cini) shkoi për ta takuar në spital, i tha: Kushë, po i Shenjtërueshmi Sakrament ku është? U qetësua kur mori vesh se një meshtar tjetër kishte shkaur menjëherë në Kishë dhe e kishte marrë me vete.

Dom Deda nuk pësoi një gjyq të mirëfilltë, vdiq nën tortura më 30 prill 1948 në moshën 57 vjeç. E njëra prej torturave më të zakonshme ishte që viktima të lihej gjatë dimrit në qelinë e ngushtë me dyshemenë plot ujë. Vërtet ai vdiq i shkatërruar prej torturave, por i pasur me merita, sepse e kishte flijuar jetën e vet për të shpallur besnikërinë e tij meshtarake ndaj Krishtit, që e kishte thirrur.

Familjarët e morën trupin e tij dhe e varrosën në varrezat e Rrmjat në Shkodër. Aty, duke marrë nga Zoti lavdinë e përjetshme pret që të njihet Shenjt nga Kisha Katolike dhe ngjalljen e eshtrave të tij të vdekshme. Pjetër Seti që e kishte njohur shumë mirë, dëshmon: Të gjithë e mbanim të pranishëm në zemër dhe në mendje dhe, në fshehtësi, të gjithë i luteshim atij dhe e lutnim për ne. E ashtu siç pohon një tjetër njohës i tij, Imzot Frano Illia, dom Deda vdiq in odium fidei, për urrejte ndaj fesë, si një martir i vërtetë i Kishës tonë Shqiptare e një martir i vërtetë i fesë.      

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Dedë Plani, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

 

 

27 qershor 2021, 09:21