Kërko

Vatican News

Shenjtorët e javës 27 qershor - 4 korrik

E diel 27 qershor, Kisha katolike kremton të dielën e 13-të gjatë vitit kishtar e po më më 27 qershor, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Cirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës.

R.SH. - Vatikan

E Diel 27 qershor, Kisha katolike kremton të dielën e 13-të gjatë vitit kishtar e po më më 27 qershor, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Cirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës. Ky shenjt na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, dmth nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat, është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë.

Të hënën, më 28 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir. Shën Ireneu, ishte njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Nga Bariu i Mirë kishte mësuar ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit.

Të martën më 29 qershor, kremtohet festa e shën Pjetrit dhe e shën Palit, Apostuj, pajtorë qiellorë të Qytetit të Amshuar, Romës. Shën Pjetri e shën Pali kremtohen së bashku që në kohët e para të krishterimit. Duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj. Trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën e Ostienses. Shenjtorët Apostuj kremtohen në shumë vise të Shqipërisë. Katedralja e kryeqytetit i kushtohet Shën Palit, prandaj shenjti nderohet shumë nga besimtarët e Tiranës, por kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet katedralja e gjithë Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë, dhe në Gjakovë (Kosovë).

Të mërkurën më 30 qershor, kalendari kishtar përkujton martirët e parë të Kishës romake, festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”.

Të enjten, më 1 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Julin e Aronin, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. 

Të premten më 2 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bernardinin e shenjtorët martirë Procesin, Martinianin e Eutikin, dishepuj të Jezu Krishtit. Këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.

Të shtunën më 3 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Tomën Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Kjo ditë është edhe festa liturgjike e shën Leonit papë.

 

Të dielën e ardhshme më 4 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar e po më 4 korrik kalendari kishtar pёrkujton Shën Elizabetën e Portugalisë. U lind në Spanjë më 1271. Ishte bija e mbretit të Spanjës dhe u martua me Dionizin, mbretin e Portugalisë, me të cilin pati dy djem. Pasi i vdiq i shoqi, ua dha pasuritë e familjes manastirëve dhe u bë anëtare e urdhrit të tretë françeskan.

27 qershor 2021, 09:20