Kërko

Vatican News
Kisha e  goditur në Beni Kisha e goditur në Beni  (AFP or licensors)

RDK- shpërthim në një kishë në Beni, alarm i ipeshkvijve

“Nuk ka ditë pa të vrarë”: ipeshkvijtë ngrenë zërin përsëri, pas plagosjes së dy grave, më 27 qershor, në Kishën e Benit.

R. SH. - Vatikan

Mund të kishte shkaktuar një masakër të mirëfilltë, shpërthimi që ndodhi dje, më 27 qershor, në një famulli katolike në Butembo-Beni, në Republikën Demokratike të Kongos. Në orën gjashtë të mëngjesit shpërtheu një bombë e vendosur pas altarit, në pikën ku rri kori. Shpërthimi plagosi rëndë dy gra, që po përgatisnin mjedisin për Meshën e së dielës. Dy gratë përfunduan menjëherë në spital. Shpërthimi, që shkatërroi disa banka, mund të kishte përfunduar me një numër shumë më të madh viktimash, po kishte ndodhur paksa më vonë, kur priteshin shumë fëmijë e të rinj, të shoqëruar nga prindërit. Famullia, ndërkaq, formoi një Komitet sigurie.

Për t’u kujtuar se dioqeza e Butembo-Beni, që gjindet në veri  të Kivusë, veri-lindje e Republikës Demokratike të Kongos, sulmohet prej kohe nga të ashtuquajturat “Forca demokratike aleate”, një grup rebelësh pranë Shtetit islamik. Që muajin e kaluar ipeshkvi i vendit, Imzot Melkisedek Sikuli Paluku, pati shprehur shqetësimin e tij të thellë për sulmet e përsëritura në zonë. Në shënjestër të agresorëve nuk janë vetëm kishat, por edhe  shkollat e spitalet. Nuk kalon asnjë ditë pa të vrarë - pati denoncuar ipeshkvi. Rebelët arrijnë deri në atë pikë, sa t’i vrasin pa pikë mëshire të sëmurët e shtruar në spital, për t’u mjekuar.

Vetëm ndërmjet viteve 2013 e 2020 nga sulmet mbetën të vrarë rreth 6 mijë vetë, vetëm në Beni; 3 milionë u shpërngulën, për të shpëtuar nga sulmet; 7.500 njerëz u rrëmbyen; shtëpi e fshatra të panumërta u dogjën; ndërtesat administrative u plaçkitën; kafshët, arat e të korrat, u grabitën. Prillin e kaluar Komiteti i Konferencës Ipeshkvnore kombëtare (Cenco) pati përhapur një mesazh, përmes të cilit bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës: “Jepini fund vrasjes së vëllezërve - luteshin ipeshkvijtë - duke iu drejtuar të gjitha palëve në konflikt. Gjaku i tyre ngre zërin deri në qiell nga toka e martirizuar, e arrin para fronit të Zotit! Gjaku i tyre nuk kërkon hakmarrje, kërkon paqe!

Ipeshkvijtë kërkojnë reformimin e qeverisë, organizimin më të mirë të ushtrisë, fuqizimin e kontrolleve, për të parandaluar sulmet e milicëve, duke shpëtuar, kështu, jetë njerëore, që vijojnë të humbasin. Kërkojnë edhe   fillimin e një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë, nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, çarmatimin dhe integrimin e ri shoqëror  të ushtarakëve të çmobilizuar, për të shmangur rrezikun e shtimit të radhëve të milicëve.

E kërkojnë edhe, e sidomos, që në zonat e konfliktit të  krijohen hapësira dialogu, me bindjen se “Lufta, nëna e të gjitha mjerimeve, vë në lojë edhe ardhmërinë e bijve”. Prej këndej, bëjnë thirrje që të gjithë të luten për paqen në lindje të vendit, sepse tragjedia e këtij vendi “lidhet me jetën e gjithë kombit”.

28 qershor 2021, 15:42