Kërko

Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem 

Patton: zëri i Françeskut, zë i të vuajturve në Lindjen e Mesme

Rojtari i Tokës Shenjte lutet për rifillimin e jetës normale në zonë dhe i nxit shtegtarët të rikthehen në viset e jetës së Krishtit, ku të krishterët po jetojnë çaste të rënda për shkak të krizës ekonomike, mungesës së punës e të turizmit. Papa dhe nunci Zenari flasin për situatë dramatike.

R. SH. - Vatikan

Shpresohet që Viset e Shenjta të ripopullohen, që shtegtarët të rinisin  ecjen në Udhën e Dhimbshme të Kryqit, që Varri i Shenjtë të mund të jetojë përsëri nderimin e drejtpërdrejtë të besimtarëve e që Bazilika dhe Shpella e Lindjes së Krishtit t’i dëgjojnë përsëri lutjet e tyre. Shpresohet që muajt e ardhshëm të rifillojë dialogu ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, pas emërimit të qeverisë së re, kryesuar nga Naftali Bennet  e pas orëve të fundit, gjatë të cilave Izraeli dhe Autoriteti kombëtar palestinez u morën vesh për shkëmbimin e vaksinave kundër Covid-19 Pfizer. Pavarësisht nga ndeshjet e fundit ndërmjet Gazës e Izraelit, që me sa duket nuk e vunë në rrezik serioz armëpushimin nga 21 maji, pasuar nga 11 ditë lufte rrufe. Shpresohet, prandaj, që kjo tokë të bëjë provë për t’i mbyllur plagët, e shpresa për ditë të reja të mbështetet nga të dyja palët.

Atë Patton: shpresa nuk vdes kurrë

Mund të shpresohet gjithnjë - pohon atë Patton - pavarësisht nga ngjarjet tragjike, ndonëse të shkurtra, të konflkitit me qindra të vdekur. Aq më tepër tani kur kryeministri Naftali Bennet, ashtu edhe anëtarët e koalicionit, po flasin me një gjuhë tjetër, të ndryshme nga ajo, që u përdor  kohët e fundit e po e ulin zërin, për  të shmangur rrezikun e rindezjes së urrejtjes, jo vetëm ndërmjet Izraelit e Palestinës, por edhe brenda vetë shtetit të Izraelit.

Gjithsesi Toka Shenjte vijon të vuajë e njerëzit, të ikin. Nga Siria u larguan më se gjysma e të krishterëve. Nga 2 milionë që ishin, mbetën vetëm 500 mijë. Prania në Haleb kaloi nga 300 mijë, në 30 mijë. Libani ndodhet në kushte të dëshpëruara. Shpërthimi në Beirut la 300.000 familje në rrugë të madhe…

Falënderojmë Zotin - nënvizon atë Patton -  që kanë mbetur akoma zëra të cilët ngrihen në mbrojtje të këtyre viseve: zëri i nuncit apostolik, kardinalit Mario Zenari në Siri, që ngrihet vazhdimisht për tragjedinë e këtij vendi, e, natyrisht, zëri i Papës Françesku, i cili ia përcjell bashkësisë ndërkombëtare  britmën e njerëzve, që jetojnë në këto situata. E ne e falënderojmë pambarimisht Zotin, që kemi një Papë, i cili i jep zë, atyre që nuk e kanë, edhe në Lindjen e Mesme.

19 qershor 2021, 14:39