Kërko

Vatican News
Relikja e Shëna Ndout Relikja e Shëna Ndout  (Paróquia Santo Antônio SINOP)

Mrekullitë e Shëna Ndout: “Predikimi peshqve” dhe “Vegimi”.

Në prag të festës së Shëna Ndout, po kujtojmë tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar tek mrekullia e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot “Predikimi peshqve” dhe “Vegimi”.

R. SH. - Vatikan

Në prag të festës së Shëna Ndout, po kujtojmë tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar tek mrekullia e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot  “Predikimi peshqve” dhe  “Vegimi”.

Predikimi peshqve

Ashtu si në jetën e Shën Françeskut kujtohet predikimi, që u bëri zogjve, në atë të Shëna Ndout flitet për predikimin jo më pak fantastik, drejtuar peshqve. Thuhet se ngjarja ndodhi në Rimini. Qyteti kish rënë krejtësisht në duar heretikësh. Sapo arrit misionari françeskan, krerët vendosën ta rrethojnë me një mur heshtjeje. E kjo edhe ndodhi. Antoni nuk gjeti asnjëri, të cilit të mund t’ia drejtonte fjalën. Kishat ishin bosh! Doli në shesh, po askush nuk ia vuri veshin. Askush nuk ktheu kokën për ta parë. Aq më pak, për ta dëgjuar.  E ai vijoi ecjen duke u lutur e duke menduar. Arriti kështu, në breg të detit. Atëherë nisi të thërrasë auditorin e tij: “ Me që ju po dëshmoni se jeni të padenjë për fjalën e Zotit, ja , unë po u drejtohem peshqve, që të dalë edhe me në shesh mosbemimi juaj”. Tha kështu e kështu edhe bëri. E sapo nisi predikimin, mbi ujë nxorrën kokën qindra- mijëra peshq, që mbetën shtang, duke dëgjuar fjalën e Zotit Krijues”.

Vegimi

Pak para se të vdiste, Antoni u tërhoq në lutje, në Camposampiero, pranë Padovës, në viset që zotëria i vendit, konti Tiso, ua kishte besuar françeskanëve pranë kështjellës së tij. Duke ecur në shtigjet e pyllit, vuri re një arrë vigane e i lindi ideja të ndërtonte ndërmjet degëve të gjëra të drurit, një lloj çelëze. Tisoja ia plotësoi menjëherë dëshirën. E shenjti u ngjit aty e kaloi ditët e kundrimit, duke u kthyer në vetmitoren e fretërve vetëm natën vonë. Një mbrëmje konti shkoi në çelën e mikut të tij. Sapo mbërriti te porta, pa, i mrekulluar, se prej aty dilte një shkëlqim verbues. Duke drashtë se aty kishte rënë zjarr, shtyu portën e...mbeti pa frymë, në prag... para një skene të mrekullueshme: Antoni shtrëngonte në krahë Krishtin Fëmijë. Ashtu si  e shikojmë sot në shtatoret e Tij. Kur u zgjua nga ekstaza e pa Tison të prekur thellë në shpirt, Shenjti iu lut të mos ia tregonte askujt vegimin qiellor. E konti ia mbajti fjalën. E tregoi çka kishte parë vetëm pas vdekjes së Shenjtit!

11 qershor 2021, 09:44