Kërko

Vatican News

Më 21 qershor kalendari kishtar kujton Shën Luigj Gonzagën, jezuit

Shën Luigj Gonzaga ishte dhe mbetet model i të riut katolik, prandaj edhe është shpallur Pajtor qiellor i rinisë katolike.

R.SH. - Vatikan

Bir i dukës së Mantovës, don Ferrante Gonzaga dhe i konteshës Marta Tana di Santena, shën Luigj Gonzaga, festa liturgjike e të cilit kremtohet sot, lindi më 19 mars të vitit 1568. Që në fëmijëri, i ati e edukoi të përdorë armët, por Luigji, në moshën 10 vjeçare, vendosi që rruga e jetës së tij do të ishte ajo e përvujtërisë, thjeshtësisë, pastërtisë morale e shërbimit për të afërmit, në veçanti, për të sëmurët. Kjo rrugë do ta çonte tek Zoti.

Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciatin e Etërve jezuitë, në Romë. Kur në vitin 1590 shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sikstit. Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe nuk e la derisa e dorëzoi në duart e mjekëve. Por, kështu, mori edhe sëmundjen, e cila do ta çonte drejt vdekjes. Ndërroi jetë në moshën 23 vjeçare më 21 qershor 1591 në Romë.

Në vitin 1726, Papa Benedikti XIII e shpalli shenjt. Trupi i tij gjendet në kishën e Shën Injacit në Romë, ndërsa koka ruhet në bazilikën kushtuar atij në vendlindje, në Castiljone të Stivieres. Shën Luigji Gonzaga mbetet model i të riut katolik, prandaj edhe është shpallur Pajtor qiellor i rinisë katolike.

21 qershor 2021, 11:53