Kërko

Vatican News

Korpi e Gjaku i Krishtit, mister i pakapshëm pёr mendjen njerёzore

"Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, fjalë që na përkujtojnë Besëlidhjen e Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin, nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shpëtimin e mbarë botës.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton sot festën e Korpit të Krishtit. Në trevat shqiptare e në vende të tjera, kjo festë, pavarësisht se bie sot, do të kremtohet të dielën, për t’u dhënë mundësinë besimtarëve të marrin pjesë në meshë e në veprimtaritë e rastit.

Ky solemnitet është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore nëse nuk ndriçohet nga feja, nëse nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Jezu Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i Shenjti ndër Sakramente.

Ungjilli i kësaj dite vë në dukje çastin sublim të kremtimit të Eukaristisë nga Jezu Krishti, çastin që e përjetojmë gjithnjë në meshë, sa herë lartohen drejt qiellit hostja e vera, të cilat shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. “Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është trupi im!” Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë.” (Mk 14,22-25).

Fjala e parë, që thotë Jezusi, është “merrni”. Është urdhër, por edhe deklaratë dashurie. Është sikur Jezusi të na thoshte: “unë dua te jem në duart, në gojën, në brendësinë tënde, ashtu si buka”. Nuk u kërkon dishepujve ta adhurojnë, ta kundrojnë ose ta lusin atë Bukë, por u kërkon ta mbajnë në duar, ta shtrëngojnë fort, ta bëjnë një me trupin e tyre, ta kthejnë në një qelizë të trupit të tyre, që merr frymë, mendon e vepron së bashku me ta. Pa pengesa, pa frikë, pa ndonjë synim të mefshtë! “Zoti në ne”: zemra jonë e bën të vetin, Hyji e bën të vetën zemrën tonë e kështu, bëhemi një gjë e vetme. Shën Leoni i Madh e shpreh këtë me një frazë, që ka mbetur në histori: “Pjesëmarrja jonë në Korpin e Gjakun e Krishtit nuk ka synim tjetër, përveç shndërrimit tonë në atë që po marrim”. Zoti erdhi në botë për të dhuruar vetveten.

Abati i lum, belgu Guerrico d’Igny, i cili ka jetuar ndërmjet shekujve XI dhe XII, në njërin nga predikimet e tij, nënvizon se si njeriu e takon Zotin me të gjitha shqisat, pra fizikisht, me trupin e vet, në Eukaristinë Shenjte: “Jo vetëm, Fjala e Zotit u bë për ne e dukshme dhe e prekshme – shkruan i Lumi – por madje mund ta shijojmë e t’i marrim erë, sepse sigurisht që ka kërkuar për veten një rrugë drejt shpirtit, përmes të gjitha shqisave, në mënyrë që, ashtu siç pati hyrë vdekja në njeriun, përmes shqisave, ashtu edhe, po përmes tyre, të kthehej jeta. Kështu pra, Fjala u bë njeri për ne, që jemi të gjithë njerëz, korp, për të na dhënë mundësi neve, që më parë vetëm mund ta dëgjonim Fjalën e Zotit, ta shohim e ta shijojmë, tani që është bërë korp, të përfshijmë të gjitha shqisat, në mënyrë që ato, më një zë të vetëm të shpallin: “Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim” (Ps 48,9)”.

Pikërisht nga ajo bukë e verë, që shndërrohet në Korpin e në Gjakun e Krishtit, kremtuar sot, kuptojmë se Jezusi nuk erdhi mbi tokë vetëm për të shlyer mëkatet tona, por me një plan më të madh, më të fuqishëm: erdhi për të sjellë Qiellin në tokë, Zotin në njeriun, jetën e amshuar në jetën tonë të kufizuar. Në Korpin e Tij, Jezusi na jep krejt historinë e vet, sa na donte, si derdhte lot, si gëzohej, na jep gjithçka e lidhte me të tjerët: fjalë, vështrim, gjest, dëgjim, zemër. “Merrni, ky është korpi im”, do të thotë: bëjeni tuajin këtë mënyrën time për të jetuar në botë, duke kujtuar se Korpi e Gjaku i Krishtit janë në elterin e Eukaristisë, por edhe në elterin e të afërmit, të të varfrit, të të voglit, të të huajit, të të sëmurit, të plakut, të të vetmuarit. Vetëm kështu mund të bëhemi, atë që marrim: Korp i Krishtit.

Shën Agostini na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështu që bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të.

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Korpi i Krishtirt, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngijë mua.
Uji i kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi I Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fsheh mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më del zot mua.
Në fill të vdekjes sime ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te ti,
që me shenjtër të lëvdoj ty,
për gjithmonë e motit të jetës. Ashtu Kjoftë!

03 qershor 2021, 09:44