Kërko

Vatican News

Kardinali Marx publikon letrën e dorëheqjes paraqitur Papës

Prelati gjerman shpjegon se dëshiron ta lërë kryesinë e dioqezës së Mynihut dhe Frajsingut, për shkak të shkandullit të abuzimit me të miturit në Gjermani

R.SH. - Vatikan

Kardinali Reinhard Marx, një nga eksponentët më të njohur të Kishës Katolike në Gjermani, i ka paraqitur dorëheqjen Papës. Ndër arsyet e këtij gjesti, 67-vjeçari përmend mënyrën e trajtimit të abuzimeve seksuale e deklaron se impenjimi institucional kundër tyre ka arritur në një “pikë të vdekur”. Kryeipeshkvi i Mynihut dhe Frajsingut ka publikuar në internet një pjesë të letrës së dorëheqjes, pasi mori lejen nga Ati i Shenjtë, i cili akoma nuk është shprehur për të.

Kardinali Reinhard Marx shkruan se merr përsipër një pjesë të përgjegjësisë për “katastrofën e abuzimit seksual nga ana e meshtarëve të Kishës në dekadat e kaluara”. Kardinali Marx, i cili ka qenë kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane nga viti 2014 në vitin 2020, pohon se gjatë dekadës së fundit hetimet kanë treguar “shumë mungesa personale dhe gabime administrative, por edhe dështime institucionale, ose sistematike”.

Në vitin 2018, një raport i porositur nga Kisha Katolike në Gjermani, nxorri në pah se në periudhën 1946-2014, në Gjermani, janë abuzuar seksualisht nga anëtarë të klerit së paku 3.677 vetë. Më se gjysma e atyre njerëzve ishin nën moshën 13 vjeç kur u abuzuan, ndërsa gati një e treta ishin ministrantë, që ndihmonin në meshë. Këtë vit, një studim tjetër, që i referohet Këlnit, zbuloi shumë raste të tjera abuzimi. Edhe kryeipeshkvi i Hamburgut, ish-rregulltar i Kishës në Këln, i paraqiti Papës dorëheqjen dhe mori prej tij “lejen” për t’u tërhequr nga veprimtaritë publike për një kohë të pacaktuar.

04 qershor 2021, 16:07